San Francisco, qyteti në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara kryeson renditjen për pagat më të larta dhe të ardhurat e mbetura në dispozicion pas qirasë, sipas klasifikimit të “Deutsche Bank” për vitin 2019.

Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, San Francisco është ngjitur me 7 dhe 21 vende në të dyja kategoritë. Sipas ekspertëve, rritja e shpejtë ekonomike e sektorit teknologjik në Shtetet e Bashkuara po ndihmon San Franciscon të lërë pas qytetet tradicionale, që kanë kryesuar klasifikimin për sa u takon të ardhurave.

Pavarësisht kostos së jetesës që rritet po ashtu çdo vit, San Francisco vazhdon të jetë një qytet ku me pjesën e mbetur të pagës jetohet mirë.

Zurich kryeson klasifikimin e “Deutcshe Bank” për sa i takon cilësisë së jetës dhe kostos së mallrave dhe shërbimeve. Por, në të njëjtën kohë, është edhe qyteti më i shtrenjtë për të dalë në një takim romantik. 

Për sa u takon cigareve dhe birrës, klasifikimi për zakonet e këqija i “Deutsche Bank” tregon se Melbourne ka lënë pas Oslon si qyteti më i shtrenjtë, i ndjekur nga Sydney, Auckland dhe Dubai.