Dy motrat e yllit të Mançester City, Rijad Mahrez u rrahën nga një bandë në sallonin e tyre të bukurisë. Sipas “The Sun”, Dujna dhe Ines u rrahën dhe u traumatizuan, ndërkohë që punonjësit e tjerë u goditën me shqelma dhe grushta.

Banda, e cila përbëhej nga rreth 12 veta, shkatërroi edhe produktet e bukurisë, pasi një klient refuzoi të paguante trajtimin në dyqanin në Paris. Dujna, e cila u kap nga fyti, tha se ato mund të ishin në shënjestër për shkak të vëllait të tyre futbollist.

“Të gjithë ishim të tronditur dhe të traumatizuar. Nuk e di pse ndodhi kjo, por mund të jetë, sepse ne jemi motrat e…(Rijad Mahrez)”,- tha ajo. Dujna shtoi duke thënë se telashet filluan kur një kliente femër bëri një trajtim bukurie, por nuk donte të paguante.

“Brenda pak sekondash, 3 makina mbërritën para sallonit dhe djemtë hynë në dyqan dhe filluan të na sulmonin. Ata po bërtisnin dhe po i fyenin të gjithë. I hodhën gjërat në tokë dhe vepruan pa mëshirë. Njëri u përpoq të më mbyste, ndërsa një tjetër goditi këmbën e motrës sime të vogël,”- vazhdoi ajo.

Nuk dihet nëse është vjedhur diçka gjatë sulmit. Mahrez nuk ka qenë në gjendje t’i vizitojë motrat e tij, pasi ka rezultuar pozitiv ndaj Covid-19. Në lidhje me sallonin që kanë, Douyna tha: “Në zgjohemi çdo mëngjes për të ardhur në punë. Ne punojmë shumë dhe meritojmë respekt.”