Albumi i Taylor Swiftit, “Folklore” është bërë albumi i parë në katër vitet t e fundit, që e kryeson toplistën “Billboard 200” për gjashtë javë rresht.

Albumi i saj i tetë, u publikua në korrik të këtij viti, dhe është krijuar në bashkëpunim me themeluesin e bendit “The National”, Aaron Dessner dhe vokalistin e grupit “Bleachers”, Jack Antonoff.

Swift, ka shënuar rekord të qëndrimit për më së shumti javë në pozitën e parë, që nga lancimi i albumit të reperit Drake, “Views” në vitin 2016.

“Folklore” po ashtu e mban rekordin e albumit të vetëm jo R&B ose hip-hop nga një artiste femër, i cili e ka shënuar një sukses të këtillë, që nga lansimi i albumi “25” nga ylli i muzikës Adele.

Dominimi i këtij incizimi në toplistat muzikore do të thotë se, Swift tani barazohet me ikonën e muzikës, Whitney Houston, si artistja me albumin që ka qëndruar më së shumti javë në maje të toplistës “Billboard”.

Të dyja artistet i kanë kaluar nga 46 javë në pozitën e parë të kësaj liste, gjatë karrierës së tyre muzikore.