Një grua 55-vjeçare është vrarë nga një tigër në kopshtin zoologjik të Zyrihut. Viktima që punonte në përkujdesjen e kafshëve është sulmuar dhe kafshuar për vdekje nga një tiger Siberian brenda rrethimit  të felinit, bën me dije agjencia zvicerane e lajmeve Keystone-Ats.

Mbi ngjarjen tragjike është hapur tashmë një hetim. Episodi ndodhi rreth orës 13:30. Pas alarmit dy skuadra kanë mbërritur menjëherë për ta larguar kafshën dhe për të ndihmuar gruan, por ajo kishte vdekur në vend. Tigri nuk kishte dhënë më herët shenja agresiviteti. Në njoftim thuhet se është ngritur një grup mbështetës për vizitorët dhe stafin që kanë parë skenën e rëndë.