Një grua 50-vjeçare në Padova të Italisë u bllokua në ashensor për 27 orë dhe arriti të mbijetonte duke pirë verë, që për rastësi kishte me vete.

Ajo kishte harruar celularin dhe nuk mund të kërkonte ndihmë e për shkak të orëve të gjata e bllokuar në ashensor, rrezikonte dehidratimin, duke pasur parasysh edhe temperaturat e larta gjatë fundjavës.

Ishte ora 09:30 kur 50-vjeçarja hyri në ashensor për të transportuar në bodrum një arkë me verë. Papritur ashensori pësoi defekt dhe ndaloi. Edhe pse u përpoq të hapte dyert dhe bërtiti për të kërkuar ndihmë, përpjekjet e saj dështuan.

Pas 27 orësh, nëna e 50-vjeçares u shqetësua që nuk kishte komunikuar me të bijën në telefon pasi nuk i përgjigjej, dhe nxitoi të shkonte në shtëpinë e saj. Aty zbuloi çfarë kishte ndodhur dhe gjeti të bijën të bllokuar në ashensor.