32 vite më parë, Mao Yin u rrëmbye nga prindërit e tij kur ai ishte vetëm 2 vjeç. Persona të paidentifikuar e morën atë përpara një hoteli.

Sot familja më në fund është bashkuar. Çifti kinez ka mundur të gjejë djalin e tyre duke u ribashkuar me të. Në një konferencë për shtyp, 34-vjeçari thotë se tashmë do të kalojë më shumë me familjen për të rikuperuar vitet e humbura.

Ishte viti 1988 kur Mao Yin po kthehej nga çerdhja së bashku me babain e tij. Ky i fundit ndaloi përpara një hoteli për të marrë ujë. Por, kur u kthye nuk e gjeti më të birin. Ai ishte rrëmbyer. Familja në atë kohë bëri përpjekje të shumta për të gjetur djalin. Ata shpërndanë më shumë se 100 mijë postera në përpjekje për ta gjetur. Me kalimin e viteve, për një moment ata menduan se e gjetën, por ishte një lajm i rremë.

Li Jingzhi, nëna e djalit, la punën dhe iu dedikua gjetjes së të birit. Ajo doli në shfaqje të shumta televizive për të apeluar për ndihmë, duke përfshirë edhe spektaklin X Factor. Madje u angazhua edhe në një shoqatë që ndihmonte prindërit të gjenin fëmijët e tyre të humbur.

Në muajin Prill të këtij viti, policia kineze mori një njoftim për një burrë i cili kishte birësuar një fëmijë vite më parë. Autoritetet gjetën personin e birësuar, dhe pasi i kryen testin e ADN-së, zbuluan se ai ishte fëmija i Mao Zhenjing dhe Li Jingzh.