Marka e veshjeve të brendshme "Victoria's Secret" ka anuluar shfaqjen e saj vjetore të modës, e cila zhvillohet prej 23 vitesh. Vendimi është marrë në mes vlerësimeve në ulje për markën dhe kritikave në lidhje me të.

Vitin e kaluar Victoria's Secret pati vlerësimet më të ultë ndonjëherë dhe tërhoqi kritikat se ishte seksiste, e vjetërsuar dhe se i mungonte diversiteti. Kompania “mëmë” e markës, L Brands, tha se ishte e rëndësishme të evoluojë strategjinë e saj të marketingut.

"Ne mendojmë se është e rëndësishme të evoluojmë marketingun e Victoria’s Secret. Ne e kuptojmë dhe vlerësojmë që komunikimi i markës, ofertave, përmbajtja emocionale e Victoria Secret është padyshim një gjë e rëndësishme. Shfaqja ishte një pjesë shumë e rëndësishme e ndërtimit të markës së këtij biznesi dhe ishte një aspekt me vlerë i markës dhe një arritje e shquar e marketingut. Ne po kuptojmë se si të avancojmë pozicionimin e markës dhe ta komunikojmë më mirë atë tek klientët dhe kjo është ndër gjërat në të cilat po përqendrohet drejtori kryesor ekzekutiv i Victoria’s Secret, John Mehas", -tha Stuart Burgdoerfer.

Në shfaqjet vjetore të Victoria's Secret sfilojnë modelet më të suksesshme si Tyra Banks, Heidi Klum, Miranda Kerr, Bella Hadid, Gigi Hadid e Kendall Jenner. Shitjet e dobëta të Victoria's Secret ndikuan në rendimentin e L Brands, i cili raportoi një humbje neto prej 252 milion dollarë.