Një turist francez është detyruar të paguajë një gjobë të majme prej 1.200 dollarësh pasi u kap teksa përpiqej të kthehej në vendin e tij me dy kilogramë rërë, të marra gjatë pushimeve në Sardenja.

Ndalimi ndodhi në aeroportin e Elmas, ku personi I paidentifikuar publikisht, po përpiqej të kalonte një shishe të madhe plastike me rërë dhe gurë, e aty u ndalua nga autoritetet. Shishen e kishte mes bagazheve. Menjëherë ndaj tij u morën masa.

Dihet që rëra e bardhë e Sardenjës është e mbrojtur dhe kush përpiqet të marrë prej saj, përballet me gjoba e madje në disa raste, ndëshkimi mund të jetë edhe më i rëndë për dëmin e bërë mjedisit ne një zonë të cilën vendasit e mbrojnë me fanatizëm. Ligji rajonal që e bën ta paligjshme marrjen e rërës në ishull, hyri në fuqi në 2017-tën.

Gjobat mund të shkojnë nga 500 deri në 3.300 dollarë, por pavarësisht kësaj, ka pasur vazhdimisht persona që kanë tentuar të marrin rërë si kujtim nga Sardenja.