Vrasësja seksi e El Chapo-s, Claudia Ochoa Felix, është gjetur e vdekur në rrethana misterioze. E konsideruar si “Kim Kardashian e krimit të organizuar”, 35-vjeçarja u gjet e pajetë në shtratin e të dashurit të saj brenda një shtëpie në qytetin Culiacan.

Claudia besohet se ka udhëhequr grupin e vrasësve të kartelit meksikan Sinaloa që drejtohej nga El Chapo, para se ky i fundit të ekstradohej në SHBA ku dhe u gjykua.  

Sipas mediave lokale, dyshohet se ajo është mbytur nga sende, ushqime apo lëngje që i kanë kaluar në rrugët e frymëmarrjes. Nuk është ende e qartë nëse ngjarja është aksidentale apo jo. Sipas hetimeve paraprake të policisë, 35-vjeçarja kishte shkuar në një lokal nate dhe më pas u kthye në shtëpinë e të dashurit të saj.

Ky i fundit tentoi ta zgjonte, por ajo nuk reagonte. Në atë moment ai lajmëroi policinë. Trupi i pajetë i Claudia Ochoa Felix është dërguar në morg për ekspertizë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.

Claudia ka punuar si modele dhe ka pasur një romancë me Jose Rodrigo Arechiga, një trafikant droge. Ajo ka qenë e martuar me një trafikant me të cilin ka tre fëmijë.