Shpërthimi spektakolar i vullkanit Etna arriti kulmin dje teksa ujëvara e llavës së tij zgjatej deri në 1,500 metra në faqen e malit, në një shfaqje që një nga ekspertët e quante “më impresionuesja e dekadave të fundit”.

Vullkani më aktiv i Evropës ka qenë në formë eksplozive javët e fundit, duke ‘pështyrë’ magmën inkandeshente dhe shiun e hirit të tij, deri në qytetin e Katanias.

Sipas ekspertëve kjo shfaqje fishekzjarrësh është pjesë e shpërthimit të tij Strombolian, që mund të konsiderohet si një prej aktiviteteve normale të malit 3,300 metra të lartë.

“Etna po jep një spektakël të rrallë këto ditë,” tha Marco Neri, ekspert vulkanologjie i Institutit Italian të Gjeofizikës.

“Ky është sigurisht shpërthimi më i fortë i kraterit jugor që prej zbulimit të tij në vitin 1971. Nuk kishim parë kurrë shpërthime kaq të larta prej vitesh, por gjithsesi ende nuk ka rrezik për popullatën, përveç problemeve të frymëmarrjes që mund të vijnë për disa orë kur hiri mbulon rrugët dhe ndërtesat”,- tha Neri.

Shpërthimet e shpeshta të Etnas gradualisht kanë ndryshuar panoramën e juglindjes së Siçilisë dhe në disa raste kanë kërcënuar komunitetet në rrëzë të malit.