Vdekja tronditëse e George Floyd, afro-amerikanit që u vra nga policia gjatë arrestimit ka shkaktuar një reagim të jashtëzakonshëm në SHBA. Njerëzit prej disa ditësh protestojnë në rrugët e më shumë se 30 qyteteve, kundër brutalitetit të policisë dhe dhunës që ata ushtrojnë ndaj njerëzve me ngjyrë. Ka pasur protesta të dhunshme, përplasje me policinë, të vdekur, arrestime dhe godina e biznese që i është vënë zjarri.

Reagim ka pasur jo vetëm nga qytetarët amerikanë, por edhe nga personazhet e famshëm. Një prej të parëve që ngriti zërin mbi këtë çështje ishte John Boyega, aktor i “Star Wars”, i cili doli kundër policisë dhe akteve raciste. Tani, yje si Don Cheadle, Steve Carell, Jaelle Monae e të tjerë janë duke ndihmuar protestuesit që arrestohen nga policia.

Që nga dita e enjte aktorë, këngëtarë apo sportistë kanë dhuruar para për “Minnesota Freedom Fund”, një organizatë jofitimprurëse e cila ndihmon që të lirohen personat e arrestuar, me të ardhura të pakta ekonomike. Në këtë rast janë duke u ndihmuar protestuesit që janë duke u arrestuar gjatë këtyre ditëve. Reperë si Noname, Kehlani apo aktori Seth Rogen ishin të parët që postuan foto të fondeve që po dhuronin për organizatën dhe të tjerët ndoqën veprimin e tyre. Me postimet në Twitter, me mbishkrimin “matched” ata tregojnë se po dhurojnë që të lirohen protestuesit.

E fundit që ka dhuruar është bashkëshortja e John Legend, Chrissy Teigen, e cila dhuroi 200 mijë dollarë për të ndihmuar që protestuesit t’i shpëtonin prangave. Të famshmit jo vetëm që dhurojnë, por inkurajojnë miliona ndjekës të tyre që edhe ata të ndihmojnë. Veprimi vjen pasi ditët e kaluara yjet e Hollywood-it u akzuan se vetëm shkruanin në platformat e tyre dhe nuk ndihmonin aspak, pavarësisht pasurisë që kanë.

Ndërkohë të tjerë këngëtarë e aktorë kanë dalë në vendet ku jetojnë dhe i janë bashkuar protestave bashkë me njerëzit.