Një operacion sekret nga policia spanjolle ka mundur të shpëtojë gjashtë punëtorë të bllokuar në kushte të mjerueshme, në një fabrikë për përpunimin e kanabisit dhe duhanit, e fshehur nën një fshat malor.

Imazhet të publikuara nga efektivët tregojnë se ata hyjnë në bunkerin rreth katër metra nën sipërfaqen e tokës dhe shpëtojnë gjashtë evropianë lindorë që punonin dhe flinin brenda tij.

Një nga drejtuesit e dyshuar thuhet se ishte një i arratisur britanik, i cili nuk u kthye në qelinë e tij të burgut në Mbretërinë e Bashkuar pas një lirimi të përkohshëm.

Punëtorët e fabrikës, bunkeri i të cilëve ishte fshehur nën një kontejner transporti brenda stallave afër Kosta del Sol, dyshohet se “u lanë të vdisnin” nga shefat e tyre, para se të zbuloheshin.

Detektivët kanë zbuluar se furnizimi i oksigjenit për ta ndërpritej kur gjeneratori me naftë pushonte së punuari. Fabrika ndodhet në Monda, Malaga, jo larg nga Marbella, ku prodhoheshin 13.500 cigare në një orë! 

Policia shprehet se banda kriminale që qëndron pas fabrikës së paligjshme të cigareve ishte formuar kryesisht nga shtetas britanikë.