Ishte 23 maji i vitit 2008 kur themeluesi i Top Channel-it, Dritan Hoxha, humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik. Ashtu si çdo përvjetor të vdekjes së tij, edhe sot që kanë kaluar plot 10 vjet, Top Channel e kujton Tanin me një kronikë të përgatitur si më poshtë:

Marrë nga faqja e Top Channel:

Thonë se ëndrrat shpesh janë të parealizueshme, por për Dritan Hoxhën nuk pati të tilla. Ai kërkoi ato më të mëdhatë, më të jashtëzakonshmet, në dukje më të largëtat, që nuk kishin lidhje vetëm me jetën, pasionin apo dëshirat e tij, por me ato të të gjithë shqiptarëve.

Kështu lindi gjiganti Top Channel, një ëndërr e madhe që sfidoi realitetin mediatik të kohës. Kështu kish lindur më parë “Lori Kafe”, si tregues se Dritan Hoxha nuk dinte të ndalej. E vërtet ai nuk u ndal.

Digitalb ishte sërish krijesa e tij, që e renditi Shqipërinë ndër të parat vende në botë me transmetime dixhitale. Dritani kërkoi e sfidoi, dhe e bëri këtë me një sukses të pamatë, që vazhdon edhe sot të bashkojë shqiptarët nga njëri cep i globit në tjetrin.

Atëherë kur askush nuk e mendonte, Shqipëria sfidoi gjigantët botërore duke i dhënë ngjyrat e gjuhën e saj një zhvillimi kaq të madh e “avant-garde” për kohën. Dritani nuk ndalej, sepse për të, bota shqiptare kishte një rëndësi të veçantë, një rëndësi që e mori hap pas hapi Top Channel, ekrani i të gjithë shqiptarëve.

Ai nuk është thjesht një televizion, apo një grup mediatik si të gjithë të tjerët. Top Channel nuk lindi si i tillë, por si një familje, që fillimisht përfshiu ata që besonin në projektin e Dritanit, e më pas çdo shqiptar të vogël apo të madh qoftë, që gjeti në këtë ekran vetveten, Shqipërinë, shqiptarët…

Top Channel vrapoi me Dritanin, me botën dhe pasionin e tij, me dëshirën për t’u rritur, e rritur, e për të ecur së bashku pa u ndalur. Dritan Hoxha ishte i tillë, i pandalshëm e me një vizion që pakkush e kishte, e që e pasqyroi tërësisht në çdo gjurmë të tijën.

Top Channel vijon të ndjekë ëndrrën e tij, ëndrrën e një gjiganti, e një njeriu që tregoi se gjithçka është e mundur nëse e do vërtet e me zemër.

Ndaj, edhe sot, në 10-vjetorin e humbjes së tij, vazhdon të vrapojë, të rritet, të sfidojë e kërkojë më të mirën, sepse ashtu siç lindi dikur me pasionin, talentin e cilësinë e një njeriu, ashtu qëndron edhe sot në shtëpinë e çdo shqiptari. Dritani, apo Tani siç e thërrisnin të gjithë, është këtu, në frymën e papërsëritshme të një njeriu që sfidoi ëndrrat.