Ditët e fundit mediat kanë qenë të mbushura me lajmet për largimin e Altin Bashës nga Top Channel pas shumë vitesh punë si regjizor i “Portokalli”. Madje është raportuar se ai do të shkojë tek Abc News së bashku me aktorin dhe moderatorin Salsano Rrapi dhe disa prej aktorëve të tjerë të programit të humorit.

Ajo që të bën përshtypje është se lajmet janë shoqëruar me shprehjen “shkrihet” Portokallia, që do të thotë se pa Bashën programi ikonë i humorit nuk do të vazhdojë më. Kjo mesa duket nuk është e vërtetë. Burime nga Top Channel për “News31” konfirmojnë se spektakli i humorit Portokalli do të vazhdojë, edhe pse mund të jetë larguar regjizori Altin Basha dhe një pjesë e aktorëve.

Prej emrave që nuk do të largohen dhe do të vazhdojnë punën në Top Channel mund të përmendim: Florjan Binajn, Ledio Lakon, Rezart Veleshjan, Irgen Çelën apo Renada Cacin. Spektakli do të vazhdojë duke qenë se pjesën më të madhe të personazheve dhe të skenarit aktorët i krijojnë vetë.

Nuk dihet ende detajet si do të vijë Portokallia në tetor, nëse do të ketë aktorë e personazhe të reja apo kush do ta moderojë, megjithatë një gjë është e sigurtë, që do të vazhdojë të qëndrojë në Top Channel.