Sokol Balla në një mesazh në rrjetin social "Twitter", pohoi se e lë "Top Channel"-in pas 12 viteve pune atje.

"Uroj që jeni duke kaluar bukur. Ky vit mbyll shumë kapituj për shume nga ne. Një nga ata edhe unë. Në këtë fund 2017 dua të uroj se pari koleget e mi të Top Channel, me të cilët kalova më shumë se 12 vjet të paharruar, dhe me të cilët rruga ime sot ndahet. Gëzuar 2018! Koli".

Ikja e Sokol Ballës nga "Top Channel" erdhi pak javë pasi atij iu hoq detyra e drejtorit të departamentit të Informacionit i cili prodhon edicionet e përditshme të lajmeve dhe disa emisione të tjera informative në këtë televizion.

Nga muaji janar, Balla do të jetë në "Vizion Plus" me detyrë të dyfishtë, drejtimin e këtij televizioni duke pasur në varësi sigurisht edhe departamentin e informacionit, si dhe një emision të përhershëm politik, ashtu si në "Top Channel". Nëse do të qëndrojmë te paralajmërimi që Balla bëri në emisionin e fundit, emri mund të jetë "Real Story".

Ndërkohë, mendohet që emisionin "Top Story", patentë e "Top Channel", ta drejtojë gazetari Endri Xhafo.