“Top Channel” ka publikuar në faqen e saj zyrtare të web-it, se gazetari Ylli Rakipi do të nisë emisionin e tij në këtë stacion çdo të enjte, duke nisur nga data 25 janar.

Rakipi do të mbajë po të njëjtin emër të emisionit, “Të Paekspozuarit”.

Kjo blerje e re e “Top”-it, vjen pas largimit të gazetarit Sokol Balla prej 12 vitesh punë në televizionin më të madh në vend, shkruan “DurrësLajm”. Balla u shkarkua fillimisht nga pozicioni si drejtor informacioni, dhe më pas u largua përfundimisht edhe nga drejtimi i emisionit “Top Story”, njoftim të cilin e bëri natën e vitit të ri. Prej pak ditësh, ai ka filluar punë në “Vizion Plus”.

Ja publikimi në faqen e “Top Channel”:

Aktualiteti politik, ekonomik dhe social, personazhet më të ekspozuar të vendimmarrjes, fenomenet që na shqetësojnë përditë, por edhe personazhet më pak të ekspozuar, ata që politika i harron pasi u merr votën, do të vijnë në “Top Channel” çdo të enjte nga data 25 janar si “Të Paekspozuarit”.

Një emision nga Ylli Rakipi, me gazetarin dhe analistin Andi Bushati dhe plot emra të tjerë të njohur të gazetarisë shqiptare.