Tradita 16-vjeçare e këngëve të urimit të Top Media, vazhdon. Kartolina e urimit për festat e fundvitit, kësaj here do të vijë me këngën “Në tren për Prizren”, të grupit “Gjurmët”, të publikuar për herë të parë në vitin 1984.

Kënga ka disa ndryshime në tekstin origjinal, të shkruar nga skenaristët e “Portokalli”. Ndryshimet e bëjnë atë më pan-shqiptare, qoftë në tekst, qoftë në leksikun dhe dialektin e përdorur në të, por gjithmonë duke ruajtur autenticitetin.

“Me tren për Prizren” është vendosur nga një bord, me shumicë votash dhe pas disa takimesh. Kënga ka marrë pëlqimin e autorit, Migjen Kelmendit, liderit të grupit ‘Gjurmët’.

Videoja është realizuar nga Redi Treni dhe Rez Gurashi, dhe vjen nga ideja e një feste të madhe e të ngrohtë, që do ta shoqërojë publikun çdo mbrëmje, ndërsa muzika është realizuar nga Alban Male.