Një automjet tip Benz është përfshirë nga flakët një natë më parë, në zonën e Spitallës, në afërsi të stacionit të autobusit të linjës Durrës-Universitet.

Por ndryshe nga herët e tjera, kur automjetet përfshihen nga flakët për shkak të ndonjë difekti teknik, këtë herë dyshohet se zjarrvënia është e qëllimshme.

“DurrësLajm” ka siguruar pamjet filmike nga një kamera sigurie në zonë, ku duket që në momentin e shpërthimit të flakëve, një i ri me kapele dhe doreza largohet me shpejtësi nga vendngjarja.

Nga burime pranë repartit zjarrfikës mësojmë se është hera e tretë që pronarit të mjetit i djegin makinën.

Siç duket në foto, makina ka pësuar dëme të vogla materiale dhe mbase autori ka dashur t’i dërgojë një mesazh pronarit të mjetit me këtë akt.

Deri më tani, policia e Durrësit nuk ka dalë me njoftim për ngjarjen.