Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të reagojë për inceneratorët dhe akuzat e opozitës që e konsideron aferë,

Duke replikuar me komentuesit në rrjetin e tij social në Facebook, Rama thotë se akuzat për vjedhjet e miliona eurove janë “shpifje politike shifrash marramendëse”.

“Ato të “ashtuquajtura inceneratorë” janë impiante moderne trajtimi të mbetjeve, të cilat janë investime të mëdha për të shpëtuar zona të tëra të banuara nga plehrat, ndërkohë që këtu s’ka asnjë shpikje për të grabitur paratë e tua, po ka një shpifësirë politike shifrash marramendëse e akuzat monstruoze, ndërkohë që gangrenat mjedisore të plehrave si puna e Sharrës janë mbyllur dhe retë toksike të tymit nga djegia e tyre në natyrë janë zhdukur! Është arrestuar një ish-ministër me akuzën për marrje parash nga kompania dhe për këtë drejtësia do të thotë fjalën e saj patjetër, por kjo është çështje përgjegjësie individuale para ligjit! Kurse të thuash që na qenkan vjedhur qindra miliona Euro, kur veprat janë aty e kur puna e bërë është para syve, e kur ato qindra miliona Euro nuk janë hiçasfare as ashtu e as aq sa thuhen, kjo është një tymnajë të cilën faktet reale dhe procesi i nisur nga organet reale hetimore, përtej farsës së shpifur të vulëhumburve politikë, do ta tresin njësoj si tymnajat e plehrave të Sharrës”, ka shkruar Kryeministri Rama në Facebook.

Për inceneratorët, Kuvendi ka ngritur një Komision Hetimor Parlamentar, ndërsa po kryhen hetime edhe SPAK.