Ç’ do të bëjë Berisha?

13/04/2013 - 15:14

Nga Nevila Perndoj

Ndarja e “paqtë” e fillimmuajit mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, nuk do të zgjaste shumë. Deri në mëngjesin e 1 prillit, Ilir Meta kishte lënë të kuptohej tek Sali Berisha se ai nuk mund të fitonte i vetëm dhe se kishte dështuar në synimin e tij për një ‘pol të tretë’ në politikën shqiptare. Duke e konsideruar një koalicion të panatyrshëm atë me PD-në para zgjedhjeve, Meta ishte shprehur në rrugë informale jo shumë larg 1 prillit se ai do të largohej nga qeveria, duke e konsideruar të mbyllur marrëveshjen katërvjeçare me kreun e ekzekutivit. Për të zbutur disi befasinë që kjo lëvizje shkaktoi së pari tek Berisha, Meta i premtoi këtij të fundit se ai nuk do të përdorte votat e tij për të rrëzuar qeverinë në parlament dhe për të krijuar një qeveri teknike, kërkesë aq shumë e përfolur nga ana e opozitës. Por në të njëjtën kohë, Berisha nuk do të kishte votat e Metës, as për miratimin e tre ministrave të rinj që kërkonin shumicën e deputetëve të pranishëm në sallë. Vetëm tri orë pas ndarjes me Metën, kreu i ekzekutivit thirri në zyrën e tij Kastriot Islamin, që përfaqësonte deri atëherë votën e balancës mes mazhorancës dhe opozitës. Ai ishte deputeti i 70-të në Kuvend në favor të mazhorancës, ndërsa në rastin më të mirë, Berishës i nevojiteshin edhe dy deputetë të tjerë. Hatërmbetjet që kreu i PS-së, Edi Rama krijoi me të vetët, me shpalljen paraprake të emrave për deputetë, erdhën në kohën e duhur për planin “b” të Berishës. Me deputetin Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadelin, të lënë jashtë nga listat e PS-së për deputetë, kishin filluar tashmë negociatat nga zyrtarë të lartë të PD-së. Të dy ata, në një periudhe kohore prej 24 orësh paralajmëruan largimin nga PS-ja, duke e lënë të hapur derën për Sali Berishën. Kjo ishte lëvizja e parë e kryeministrit ndërkohë që paralelisht gjërat po merrnin sens edhe nga opozita. Kryetari i PS-së, Edi Rama e argumentoi afrimin me Ilir Metën me domosdoshmërinë për të fituar zgjedhjet. Ai u shpreh se i vetëm nuk mund të fitonte, pasi Berisha, sipas tij, “do t’i vidhte sërish zgjedhjet”. Por për një fitore me Metën i kishte bërë llogaritë edhe partia në pushtet. Kalimi i ditëve dhe afrimi i zgjedhjeve, shoqëruar me qetësinë e gënjeshtërt që jepte LSI, rriste çdo ditë e më shumë apatinë në radhët e demokratëve, pse jo dhe vetëkënaqësinë e mbështetur në kalkulimet aritmetike të votave për koalicionin e “suksesshëm” Berisha-Meta.

Të gjitha përllogaritjet brenda selisë blu, por edhe në të gjitha qarqet bëheshin bashkë me votat e LSI-së, që për hir të së vërtetës, deri më tash përcaktojnë se kush është edhe humbësi i zgjedhjeve të 23 qershorit. Në rastin më të keq, demokratët e çonin Metën në një kandidim më vete dhe bashkimin si katër vjet më parë e parashikonin pas zgjedhjeve.  Në fakt, Meta dy ditë më parë në “360 gradë” tha se “dalja më vete do të kishte qenë opsioni më i mirë, por raportet me partitë me të cilat do të krijonim grupimin nuk e mundësuan atë”.

Kalimi i LSI-së në opozitë solli të vërtetën e parë se e djathta tashmë kishte mbetur pa aleatin e panatyrshëm, por më të madh, edhe pse rreth vetes kishte mbledhur aleatë potencialë. Berisha dhe të tijtë reaguan shpejt. Për të dhënë shenja hapjeje dhe për të  zgjeruar radhët në elektorat, Berisha emëroi Visar Zhitin në Ministrinë e Kulturës; poet e shkrimtar i njohur, por më shumë një përfaqësues “dok” i shtresës së ish-të përndjekurve politikë, si ish i dënuar para viteve ’90 për arsye politike.

Vangjel Tavo i LSI-së zëvendësohet te Shëndetësia me një emër të nderuar nga mjekësia, Halim Kosova, për të dhënë mesazhin e hapjes së dyerve për shoqërinë civile dhe personalitetet e spikatura të saj. Në krye të ekonomisë, Berisha zgjedh një emër të pakontestuar, Florion Mima, i njohur për integritet moral dhe ekspertizë ekonomike. Kosova dhe Zhiti thuhet se nuk do të jenë vetëm për dy muaj pranë Berishës dhe PD-së. Mjeku i njohur do të angazhohet në fushatën e 23 qershorit, pse jo dhe për një vend në listën e deputetëve të këtij qarku. Burime pranë demokratëve thanë se Berisha ka përgatitur ato ditë edhe emërimin e Eduart Selamit si ministër i Jashtëm, një shenjë kjo që do të kompletonte dhe zgjeronte më shumë hapjen edhe ndaj figurave të larguara nga PD si pasojë e përplasjeve me vetë Berishën. Por në vend të Selamit, postin e kryediplomatit e mori Aldo Bumçi, sepse kundër tij ka qenë qëndrimi i Jozefina Topallit.

Por, a është e mjaftueshme kjo për një rezultat pozitiv në 23 qershor, dy muaj para ditës së garës? Për të djathtën duket se është vetëm një element, e cila e zënë në befasi nga largimi i LSI-së duhet t’i bëjë mirë llogaritë me të vetët.

Beteja për të KQZ

Deklaratat e deri para një muaji të LSI-së për programin e PS-së, për qeverisjen “korrekte” të Sali Berishës, apo “për sukseset” që kjo qeverisje kishte arritur në sajë të bashkëqeverisjes sollën përfaqësimin e sigurt të LSI-së në institucionet më të larta zgjedhore. Fillimisht Ilir Meta arriti të kthente mbrapsht përpjekjen për një ndarje të re mandatesh, ku ai rrezikonte jo pak në numra deputetësh pas zgjedhjeve. Bashkë me votat e LSI-së dhe nën argumentin juridik që asokohe dha një prej anëtarëve demokratë në komisionin e Ligjeve, Edi Paloka, mazhoranca votoi në kundërshtim me Kodin Zgjedhor të njëjtën ndarje mandatesh si në vitin 2009. Por jo vetëm. Po me firmat e deputetëve demokratë, LSI siguroi edhe anëtarin e saj në KQZ dhe për pasojë edhe përfaqësimin e saj në nivelet e tjera të administratës zgjedhore. Dy javë më parë, Berisha do të shprehej në një konferencë për shtyp se pas largimit të LSI-së, për konfigurimin e ri në administratën zgjedhore kishte përcaktime ligjore e kushtetuese. Ai nuk do të zgjatej gjatë në këtë çështje, ndërkohë që nga dita në ditë nga ana e PS-së por edhe analistë u fol mjaft se komunikimi mes Ilir Metës dhe Edi Ramës nuk ishte shkëputur që prej darkës së famshme të Gjirit të Lalzit, ku Edi Ramës jo pak herë iu vu në dukje fakti se kryetari i LSI-së ishte tallur me të gjatë një darke ngjalash. Për pasojë, Berisha ndryshoi shumë në qëndrimin e tij të fillimmuajit. I pyetur në mënyrë figurative për ngjalat, ai do të përgjigjej fillimisht se kjo ishte një çështje që i përkiste peshkatarëve dhe se ai vetë merrej me acquaculture-n në tërësi. Por në takimet e fundit me fermerë si dhe me përfaqësues të biznesit, Berisha nuk po lë jashtë batutat për ngjalat. “T’i lëmë ata të merren me ngjalat, ne ecim përpara”,- është shprehur ai, duke përcaktuar më pas edhe lëvizjen e beftë të para tri ditëve përmes kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, por edhe PR-në në anën tjetër për të zëvendësuar anëtarin e LSI-së, Ilirian Muho. Berisha e justifikoi këtë lëvizje me prishje balancash që parimisht ishte vendosur që prej vitit 2003 përmes një marrëveshje mes tij dhe ish-kryeministrit të asaj kohe, Fatos Nano.

Ç’po ndodh në PD

Përpos llogarive të vështira që secili grup pune i qarqeve po organizon, ajo që shihet qartazi në PD është një solidaritet në bllok kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të gjithë të emëruarve të saj në administratë, qoftë edhe ata që gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Lëvizja e fshesës fillimisht u pa në nivel qendror, ndërkohë që zhvillimet e fundit flasin për shkarkime në masë edhe në nivel lokal. Qëllimi i vetëm është zëvendësimi i tyre, jo vetëm me njerëz të pakënaqur të PD-së që kishin kthyer sytë tek një tjetër parti, FRD-ja, por edhe tek plotësimi i kërkesave të aleatëve kryesore të PD-së, kryesisht PDIU-së. Por ikja e LSI ka kthyer fortnë PD edhe skemën “Topi”. Java që po mbyllet ka qenë e mbushur me negociata mes emisarëve të lartë demokratë dhe eksponentëve të FRD-së për të parë mundësinë e një bashkëpunimi parazgjedhor. Kjo do të mbushte në njëfarë mënyrë boshllëkun e lënë nga LSI-ja, por para së gjithash do të kompaktësonte votat e djathta duke shmangur ndarjen. Deri tani, siç është parë edhe publikisht nga qëndrimet e Topit, negociatat nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat. Megjithëse shpresat nuk janë shuar, mësohet se qëndrimi i FRD-së dhe Topit në kontekstin e një bashkëpunimi kanë qenë të prerë dhe të shënuar nga kushte të forta. Jo pak po lëviz PD-ja dhe Berisha këto ditë edhe në drejtim të partive të tjera që nuk janë rreshtuar ende në dy koalicionet e mëdha. Me Dulen e PBDNJ-së ka pasur dhe ka përpjekje që shkojnë deri edhe në mbështetje të pjesshme në zona të veçanta elektorale, por gjithçka varet nga rrjedha që do të marrë çështja e KQZ-së. Nëse Ilirian Muho i LSI shkarkohet dhe zëvendësohet me një nga kandidatët e PR-së, atëherë radha i vjen anëtarit të PBDNJ, e cila këto ditë ka kontestuar nismën e Berishës. I zbehtë me minoritarët grekë, por i afërt me komunitetin çam, Berisha duket se po finalizon paktin me Idrizin e PDIU. “Zgjidhja” me rezolutën çame ku të dy palët dalin të lara para publikut duket se ka qenë preludi i daljes së tyre në një koalicion të përbashkët parazgjedhor.

23 qershor dhe më pas…

Përballë euforisë së shifrave dhe llogaritjeve për mandate që vijnë nga kampi opozitar PS-LSI, në kampin e demokratëve qarkullon varianti se edhe pa Metën (ndoshta me Topin) mund ta arrihet te shifra magjike e 71 deputetëve. Pak e vështirë po të kihet parasysh konsumimi 8-vjeçar në qeverisje, efekti i bashkimit të opozitës dhe ndarja e së djathtës. Si në çdo garë apo ndeshje, qoftë edhe elektorale parashikimet shkojnë te të dy opsionet dhe pasojat e tyre. E ndërsa për fitoren nuk është e vështirë të parashikohet mos ndryshimi i rrjedhës së ujërave në mazhorancë dhe statusquosë në lidership, shumë interesante dhe plot të panjohura mbetet post 23 qershori nëse PD-ja humbet.

Kjo do të sillte edhe një ndryshim të protagonizmit politik brenda PD-së.

Deri më tash lëvizjet janë pak të dukshme. Dihet se kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli rival ‘brenda llojit’ në PD ka Lulëzim Bashën, njeriun që gëzon mbështetjen e kryetarit Berisha, si dhe një pjese jo të vogël të drejtuesve dhe elektoratit blu, e po aq edhe Eduard Selamin për të cilin ajo shpeshherë është shprehur se nuk e njeh. Në anën tjetër, shohim një grupim solid të kupolës drejtuese. Bëhet fjalë për sekretarin e Përgjithshëm Ridvan Bode, nënkryetarin e PD-së, Astrit Patozi, anëtarin e kryesisë, Sokol Olldashi e deri tek emrat në ngjitje si Majlinda Bregu e Mesila Doda. Pak më të tërhequr, por jo pa ambicie janë edhe Genc Ruli, Genc Pollo apo edhe Arben Imami.

Por përgatitjet dhe llogaritë aktualisht bëhen për fitoren. Ato për pas 23 qershorin kanë kohë. Mbi të gjitha sepse çdo gjë varet nga…Berisha.

http://www.mapo.al/2013/04/13/cdo-te-beje-berisha/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: