Çfarë i duhet Shqipërisë?

Postuar: 21/04/2017 - 10:42

Nga Marinel Laçi

Duhet thënë  e duhet mbajtur mend si kurrë më parë që ka vende që protestojnë edhe pas 2017 vjetësh histori të dokumentuar njerëzore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ende pas kaq shumë kohësh flitet për një problem për të cilin besimtarë dhe ateistë, të ndershëm dhe të pandershëm kanë dhënë shembujt e zgjidhjes.Mbetur në të tilla kushte kemi mundesinë të bëjmë një analizë të fundit morale,përpara se të kthehemi në numra për frymorët që na drejtojnë, përpara se të kthehemi  në mjete për të realizuar  ëndrrat  e atyre që nuk kanë skrupuj.

Çfarë konkretisht na thonë? Çfarë realisht po ndodh? Dhe çfarë seriozisht duhet bërë?

Po jetojmë në një kohë ku të gjithë flasin se çfarë duhet bërë, por nuk bëjnë se çfarë thonë. Po jetojmë në një vend  ku flitet për marrëveshje, por nuk ka diskutime, ku forca është te të rinjtë, por pushteti te të vjetërit, ku ka më shumë flamuj partie se flamuj kombëtarë, ku kërkohet kaq shumë, por jepet kaq  pak, ku ka drejtora,por nuk ka drejtori,ku ka ekonomi politike por nuk ka politika ekonomike,ku ka interesa të përbashkëta ,por nuk ka kauza,ku ka takime por nuk ka bashkëpunime,ku ka premtime,por nuk ka besë,ku ka media,por nuk ka lajm,ku ka institucione por nuk ka përgjegjës,ku ka parti por nuk ka ideologji,ku ka votime por nuk ka zgjedhje,ku ka çadra por nuk ka shi,ku ka qeveritarë por nuk ka burra shteti.Vazhdojmë të jetojmë në një vend ku veprohet duke folur,por nuk flitet me vepra,në një vend ku ka deshira,por nuk  ka sakrifica,ku ka zhurma por nuk ka veshë,ku ka dhe njerëz por nuk ka ndjenja, ku çdokush flet për fundin e botës por askush për fundin e njerëzimit,ku ka ambicie,por nuk ka punë,por dhe kur ka punë, nuk ka profesionist,ku ka synime por nuk ka prioritete,ku ka urrejtje por nuk ka arsye,ku ka respekte, por nuk ka mirënjohje,ku ka nevojë për të shërbyer më shumë se sa të udhëheqësh,ku ka nevojë të mblidhen firma për të kërkuar referendum më shumë se sa firma për regjistrime partish,ku e vetmja gjë për të cilën jemi të vetmit në botë është fakti se të gjithë themi për çdo gjë jonormale që jemi të vetmit në botë. Mbi të gjitha vazhdojmë të jetojmë në një vend ku ka pyetje,por nuk ka përgjigje.

Është shumë  e hidhur të dish se çfarë ndodh në të katër anët,dhe ke mundesinë të shohësh vetëm në një drejtim.Është shumë e hidhur të mendosh se “sfida”për Shqipërinë janë “libra”-t,dhe  “fryma”-t e reja demokratike që dikur ishin rrënjë të sistemit të kalbur.Është akoma dhe më e hidhur të presësh që “levizja” e cila mund t’a integrojë vendin në Bashkimin Europian kërkon të “rilind “ forca të reja diktatoriale duke propaganduar gjeneratën e re  si një shenjë “unitet”-i për të  krijuar atmosfera politike ku kërkohen të shtrihen “republika” të reja demokratike për të cilat kërkohet dhe “besim” në Zot.

Shqipërisë nuk i duhen vetingje,as mitingje,kampingje,apo lobingje për të cilat e dimë paraprakisht rezultatin.Ne duhet të kërkojmë  një vend ku të mbillet dije dhe jo hashash,një vend ku të punohet fort,jo të merren rroga kot,ku të shërbehet jo të servilet,ku të vritet frika jo fjala e lirë,ku të ketë ndëshkim jo doreheqje,ku të ketë drejtësi jo strategji,ku të ketë ligj jo telefonatë,ku të ketë barazi jo miqësi,ku të këtë protestë jo bllokim,ku të ketë qendresë jo imponim,ku të ketë konsensus jo pazar ku të ketë  shembuj jo idhuj,dhe ndër së tjerash të ketë popull jo grupime.Nëse do të ketë nga ata që nuk përshtaten dot me këto gjëra,qoftë i bekuar revolucioni.E paftë Zoti këtë klasë politike  dhe pas atyre edhe neve.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: