“Jo-komuniteti” që nuk proteston kurrë

19/04/2012 - 00:00

 

Ndodh shpesh, mes miqsh dhe kolegësh, të pyetet se përse në Shqipëri njerëzit nuk janë në gjendje të protestojnë në mënyrë të organizuar për të kërkuar përmirësime të vogla apo të mëdha në jetën e tyre. Pyetet se përse individët nuk e ndiejnë nevojën për t'u bashkuar dhe koordinuar për të shprehur publikisht dhe me zë të lartë pakënaqësinë ose nevojat e tyre. Në këtë gazetë – ashtu si në të gjitha mediat lokale të botës – vëmë në dukje çdo javë fakte dhe situata shumë të rënda, nga djegia e plehrave tek ndotja urbane më e përhapur, nga mungesat e sistemit shëndetësor tek telashete shkaktuara nga infrastrukturat e pamjaftueshme, nga betonizimi i pandalshëm tek problemet e portit, nga degradimi social tek mungesa e mbrojtjes së monumenteve të kulturës të Durrësit. 

Këto skandale – që nuk lidhen vetëm me qytetin tonë, por ndeshen në tërë Shqipërinë – janë para syve të të gjithë qytetarëve, të cilët ankohen në rrethe të ngushta të afërmish dhe miqsh, por pastaj nuk reagojnë kurrë në nivel më të gjerë dhe masiv. Njerëzit shprehin idetë e tyre, mospëlqimine tyre, zemërimin e tyre, vetëm brenda katër mureve të shtëpisë ose në tavolinën e një lokali, por pastaj tregohen jashtëzakonisht pasivë dhe të heshtur në sferën publike.

Çështja është diskutuar shpesh gjatë shekullit të fundit, që kur antropologë, gazetarë, akademikë dhe diplomatë të huaj filluan të interesoheshin për sjelljen sociale të popullit shqiptar, duke i nënvizuar dy aspektet më befasuese: nga njëra anë një familjarizëm dhe tribalizëm ekstrem, që i pengonin njerëzit të mblidheshin në grupe më të gjera dhe të konsolidonin institucionet publike; dhe nga ana tjetër një pasivitet dhe një forcë durimi që paralizonin masat popullore, duke i bërë ato robër të varfërisë, shfrytëzimit dhe keqqeverisjes.

Në fillim të shekullit të kaluar, Edith Durham, e cila adhuronte shqiptarët e Veriut, vinte në dukje me zhgënjim sesa e vështirë ishte për kryepleqtë apo për priftërinjtë françeskanë të organizonin kuvendet e fiseve dhe të garantonin ecurinë paqësore të tyre. Antropologia angleze raportonte se deri edhe festat vjetore të fiseve të Malësisë së Madhe dhe të Dukagjinit përfundonin gjithmonë me ndonjë të shtënë, me vdekje e të plagosur. Nga ana e tij, në të njëjtën periudhë, gazetari Italo Suliotti vërente se pasiviteti i përgjithshëm dhe fatalizmi i popullit shqiptar ishin periodikisht të ndërprerë nga shpërthime të dhunës dhe kryengritjetë vogla që nuk sillnin asnjë rezultat konkret.

Në vitet Tridhjetë, Indro Montanelli nënvizonte problemin e rëndë të tribalizmit dhe mungesën e një vizioni social më të gjerë sesa bërthama familjare. Nga ana tjetër, babai i gazetarisë italiane u befasua nga aftësia e jashtëzakonshme e durimit të fshatarëve të Shqipërisë qendrore dhe jugore, duke argumentuar se një popull, nëse do të kishte jetuar në kushtet e mjerimit tragjik si të popullit shqiptar, do të kishte përqafuar në masë idealet komuniste dhe do të kishte bërë një revolucion. Në fakt, në Shqipëri lindja e një Partisë Komuniste erdhi shumë më vonë sesa në vendet e tjera europiane, ku lëvizjet politike dhe kulturore që kërkonin një barazi më të madhe shoqërore ekzistonin që nga Revolucioni Industrial.

Në kohët më të fundit, vetëdija e dobët për të drejtat e tyre dhe pasiviteti i shqiptarëve janë përshkruar me ironi të ashpër nga Ylli Polovina, në librin e tij “Rënia e një miti ose Partia Demokratike e Shqipërisë” (1996), që fillon me një “ngjarje e përhapur si thashethem”. Shkruan Polovina: “Ai thotë se një firmë italiane në qytetin N. u kishte dhënë punonjësve të vet shqiptarë ushqim shumë të mirë. Gjellë të parë, të dytë, ëmbëlsirë dhe fruta. Mishi, natyrisht si në Itali, edhe në këtë mensë nuk mungonte.

Mirëpo pronarët, që me sa dukej deshën të fitonin sa më shumë, në fillim hoqën nga menyja e punonjësve frutat. Askush nuk protestoi. Pastaj hoqën ëmbëlsirën. Përsëri heshtje. Një ditë tjetër gjetën rastin dhe shkurtuan gjellën e dytë. Për habi të ardhësve vendasit nuk u ndjenë. Më në fund u prenë edhe mishin, duke i lënë vetëm me një pjatë të rëndomtë gjellë zarzavatesh të thjeshta. Kësaj radhe ishin të bindur se shqiptarët do të protestonin. Por nuk ndodhi asgjë, rrodhën ditë krejt të zakonshme pune. Atëherë njëri nga pronarët italianë thirri: Lum kjo qeveri për këtë popull që ka!”.

Nga suksesi i “community organizing” në Amerikë tek falimentimi i Mjaft në Shqipëri

Në shekullin e kaluar, epokë e revolucioneve të mëdha politike dhe sociale, kuptohet se për të kapërcyer pasivitetin dhe vështirësinë e grumbullimit të shtresave popullore më të varfra duhej stimuluar sensi i “komunitetit”. Koncepti i sotëm i “organizimit të një komuniteti” vjen nga SHBA. Shpikësi i “community organizing” qe Saul David Alinsky (1909-1972), një kriminolog dhe sindikalist hebre-rus, i cili në vitet Pesëdhjetë iu kushtua “rizgjimit” të getove afro-amerikane të Çikagos dhe organizimit të protestave në getot e qyteteve kryesore amerikane.

Eksponent i “të majtës jo komuniste”, Alinsky donte të ndërgjegjësonte komunitetin me ngjyrë, i burgosur prej shekujsh nga skllavëria dhe prandaj shumë pasiv dhe i nënshtruar. Ai theksonte se duhej “transformuar pakënaqësia e përhapur dhe e heshtur në një protestë të organizuar” dhe qe quajtur një “gjeni i organizimit”.

Alinsky themeloi “Industrial Areas Foundation”, që merrej me organizimin e komuniteteve të zonave urbane industriale, të degraduara në nivel estetik, mjedisor dhe social, por sidomos krijoi një sistem training për të përgatitur “organizatorët e komunitetit” të ardhshëm. Alinsky dashuronte strategjitë e protestave provokuese dhe shokuese: për shembull, organizoi shoqatën afro-amerikane FIGHT (që në anglisht do të thotë “luftë”), që kërcënoi se do të zinte banjat e aeroportit të Çikagos për të shkaktuar probleme tek udhëtarët dhe projektoi t’i shpërndante vetë anëtarëve të shumtë pjata me fasule dhe pastaj të shkohej në masë tek Filarmonica e Rochester për t’ia neveritur publikut me “parfum” dhe duke shkaktuar zhurma jo ekzaktësisht muzikore. Nga atëherë, metoda e provokimit u përdor në të gjithë botën – mjafton të kujtohen manifestimet e maskuara të gay-pride perëndimorë apo, në Shqipëri, disa iniciativa dhe protesta të Mjaft në “vitet e arta” të tij 2003-2005.

 

Nga kur antropologët, gazetarët, akademikët dhe diplomatët e huaj filluan të interesoheshin për sjelljen sociale të popullit shqiptar, nënvizonin dy aspektet më befasues: nga njëra anë një familjarizëm dhe një tribalizëm ekstrem, që i pengonin njerëzit të mblidheshin në grupe më të gjera dhe të konsolidonin institucionet publike; dhe nga ana tjetër një pasivitet dhe një forcë durimi që paralizonin masat popullore, duke i bërë ato robër të varfërisë, shfrytëzimit dhe keqqeverisjes

Që në fillim, Alinsky qartësoi se “organizimi i një komuniteti” ishte një punë “radikalësh”. Sipas kriminologut hebre, “një Organizatë popullore duhet të bëjë luftë kundër të gjithë të këqijave që shkaktojnë pakënaqësi dhe vuajtje: kjo luftë nuk është një debat intelektual dhe prandaj nuk mund të ketë rregulla korrektësie”. Në veprën e tij kryesore, “Rules for Radicals” (1971), Alinsky i drejtohet “aktivistëve të rinj”, duke i shpjeguar atyre metodat e tij organizative.

Koncepti themelor është rëndësia që të punohet nga brenda komunitetit për ta bindur të pranojë ndryshimet: “Hapi i parë drejt organizimit të një komuniteti është disorganizimi i tij”. Sipas Alinsky, çdo revolucion duhet të paraprihet nga një fazë në të cilën komuniteti tregon një sjellje pranimi drejt transformimeve dhe një shpresë besuese në të ardhmen. Për të nxitur pjesëmarrjen e komunitetit, që është shumë e vështirë për ta patur, organizatori duhet të jetë një agjitator social, duhet të përhapë pakënaqësinë, duhet të krijojë kundërshti dhe armiqësi, duhet të evidentojë dhe deri edhe të ekzagjerojë problemet sociale që ka ndërmend të korrigjojë.

Nëse komuniteti mendon se nuk ka fuqinë për të zgjidhur një problem, atëherë dorëzohet dhe ndalon së menduari. Ja përse organizatori duhet të luftojë apatinë popullore dhe të shkatërrojë skemat sociale që shkaktojnë pranimin pasiv të situatave. Për më tepër, Alinsky mbështet se organizatori i komunitetit do të duhej të shtynte kundërshtarët që të reagojnë në mënyrë histerike dhe ta akuzojnë atë se është një armik i rrezikshëm: kjo do të konfirmojë në sytë e publikut kredibilitetin dhe kompetencën e organizatorit dhe do t’i garantojë mbështetjen popullore.

Është interesante të vihet re se i tërë krahu “liberal” i Partisë Demokratike amerikane është formuar mbi mësimet e Alinsky. Hillary Clinton u diplomua me një tezë lavdëruese mbi veprën e kriminologut hebre, ndërsa Barack Obama mori si model biografinë e Alinsky, duke punuar edhe ai si organizator i komunitetit në Çikago, ndërsa gjatë fushatës elektorale të vitit 2008 zbatoi me zell metodën e tij.

Por ka qenë sidomos George Soros, promotor i madh i “revolucioneve me ngjyra” në të gjithë ish bllokun komunist, që ka përhapur “metodën Alinsky” për formimin e të rinjve aktivistë dhe organizatorë të komunitetit: një sistem që ka funksionuar nga Polonia në Ukrainë, nga Gjeorgjia në Serbi, por ka falimentuar në Shqipëri, ku lëvizja “Mjaft” kaloi si një meteor në panoramën politike, pa lënë shenja të forta në shoqëri. Por përse Shqipëria është kaq shumë refraktare kundrejt “organizimit të komunitetit”?

Tre milion shqiptarë, tre milion mbretër (por të varfër dhe të shtypur!)

Sociologët italianë ndoshta janë ata të cilët kanë studiuar më mirë hiperindividualizmin e çuditshëm të shqiptarëve. Vitin e shkuar, në korrik, kemi publikuar në këtë gazetë një intervistë të gjatë me profesor Giancarlo Canuto, sot zëvendëskryetar bashkie i Mesagne, në Puglia, i cili më 7 mars 1991 qe vullnetari i parë që mirëpriti shqiptarët të cilët zbarkonin në portin e Brindizit. Canuto, që punoi me muaj me emigrantët shqiptarë duke organizuar projekte ndihme ekonomike dhe integrimi, vuri re menjëherë se ato mijëra persona, edhe pse i bashkonte i njëjti fat pasigurie, tregonin njëri kundrejt tjetrit një ftohtësi dhe mungesë solidariteti të habitshme.

Ndërsa grupet e tjera të emigrantëve – marokenë, senegalezë, nigerianë, ukrainas – shoqëroheshinme bashkëatdhetarët, kishin dëshirë të qëndronin bashkë dhe krijonin komunitete shumë solide, përkundrazi shqiptarët bënin sikur s’njiheshin me njëri-tjetrin dhe rrinin të mbyllur në grupe të vegjël të afërmish dhe miqsh. Rezultati është se sot ekzistojnë shumë pak shoqata shqiptare, zakonisht të krijuara dhe frekuentuara vetëm nga pak “miq të ngushtë të cilët kanë pirë qumësht së bashku”.

Për shembull, dhjetë vite më parë, një shoqatë shqiptare në Milano kishte provuar të bashkonte komunitetin e studentëve nëpërmjet festash periodike, por eksperimenti falimentoi kur u projektua të organizohej një manifestim për 28 nëntorin dhe studentët e Vlorës bënë fjalë me ata të Shkodrës dhe të Tiranës se kush do të mbante flamurin dhe parullat në rreshtin e parë...

Dhe në Genova, ku një grup vullnetarësh katolikë kishte arritur të katalizonte një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, sot është shumë e vështirë t’i mbash të bashkuar: me bashkimet familjare, shqiptarët kanë rigjetur apo krijuar familjet e tyre, të vetmet bërthama sociale për të cilat janë të interesuar me të vërtetë. Kështu, kur përmbytja nga shirat në nëntorin e shkuar ka goditur një lagje të Genova të banuar dendësisht nga shqiptarë, kanë vdekur dy vajza dhe mamaja e tyre, ndërsa shumë shqiptarë të cilët kishin aktivitete private kanë pësuar dëme të shumta dhe akoma presin dëmshpërblimin. Por askush nuk ka shkuar të protestojë në Bashki: e si mund të manifestojnë të gjithë bashkë, kur nuk përshëndeten me fqinjët e shtëpisë, edhe pse janë bashkëatdhetarë?

Shqiptarët insistojnë me krenari në proverbin e tyre: “tre milion shqiptarë, tre milion mbretër”, por rezultatet konkrete tregojnë se, historikisht, këta mbretër gjithmonë kanë qenë shumë të varfër dhe të shtypur nga keqqeverisja dhe nga padrejtësitë. Historiani Roberto Morozzo della Rocca, edhe pse lavdëronte “inteligjencat e ndritshme mesdhetare dhe individualiste” të shqiptarëve, shikon në fenë myslimane arsyen e pasivitetit shqiptar. Sipas Morozzo, meqë në arabisht fjala “Islam” domethënë “nënshtrim”, nuk ka pse të habitesh nëse masat popullore shqiptare gjithmonë kanë qenë apatike dhe indiferente, por edhe mosbesuese kundrejt novacioneve dhe ndryshimeve.

Duket se, për shqiptarët, jeta është kuptuar si një pranim nënshtrues, sipas proverbit: “kur vjen e keqja, hapi derën”. Pra jemi përballë një lloj mentaliteti që asnjë shoqatë apo OJQ – sidomos nëse stimulohet nga jashtë vendit – nuk ka arritur ta ndryshojë tani për tani. Dhe ndoshta, nëse njerëzve u shkon mirë të jetojnë kështu, askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë dhe të transformojë artificialisht kulturën e një populli dhe sjelljet sociale që rrjedhin prej saj.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: