23 qershori, një zgjedhje mes dy pragmatizmash

07/05/2013 - 14:18

Nga Henri Çili

Listat dolën. Ato janë tashmë të qarta, si qasje, si frymë, si domethënie. Detajet dalin sot, në kushtet kur palët janë me zarf në dorë para KQZ-së, për të shmangur kurthet ndaj njërit, për të penguar ndërsjelltësisht kalimin e ndonjë të pakënaquri nga një krah në tjetrin.

Ndodhi ajo që pritej, pas kompromisit të papritur nga askush në pamje të parë, kalimi në prill i LSI-së me PS-në pas katër vjetësh bashkëqeverisjeje me PD dhe me një katërvjeçar të tmerrshëm konflikti Rama- Meta, në mesin e të cilit ka katër arkivole dhe një histori të shëmtuar të verbit politik pa kufi. Për të përballuar këtë lëvizje politike, këtë akt politik të Metës duke bashkuar të majtën, është e qartë që Berisha do të merrte masa të një pragmatizmi ekstrem, për t’iu përgjigjur një pragmatizmi gjigant Meta – Rama.

Ndaj zgjedhja e parë dhe e vetme e 23 qershorit është “PRAGMATIZMI”.

Elementi i parë i listave është tipari i përmbysur i listave krahasuar me njëra-tjetrën. Lista e Ramës është “OFENSIVE” si tipologji. Ajo është arrogante për nga natyra e kandidatëve, renditja e tyre dhe imponimi që PS dhe Rama i bëri kujtdo tjetër përveç Ilir Metës, me të cilin ai duket se bëri një kompromis të madh. Por pas kësaj, asnjë tjetër ama. Rama iu imponua aleatëve pa përjashtim edhe pse ishin bashkëvuajtës të tij në opozitën e vështirë të 4 vjetëve të fundit. Rama iu imponua pa përjashtim të gjithë elitës së vjetër politike të Partisë Socialiste duke i ç’graduar ata nga honori, influenca etj, ose duke i lënë jashtë fare, si rastin e Arben Malajt. Rama po legjitimon tek të vetët një precedent të ndarjes së postit të deputetit nga ai i ministrit, precedent i rrezikshëm, pasojat e të cilit ende nuk jemi në gjendje t’i parashikojmë sot. Lista e Ramës përfundoi qartësisht në një listë të Rilindjes Socialiste dhe jo të Rilindjes Shqiptare, për arsyen e thjeshtë sepse Rama më në fund shndërroi tashmë një bestytni, atë që kishte vite e vite që thoshte “Bëjë zot ëndërr”: a vihet në pushtet pa LSI?- JO- e madhe është tashmë vertebra e aksionit politik të Ramës për momentin. Në përputhje me këtë, ai tashmë bën çdo kompromis, çdo arrogancë, çdo imponim. Rama ndjehet më i sigurt, por rrezikon më shumë, shumë më tepër se më parë nga dje për 23 qershorin.

Kurse tipari i listës së PD-së është “DIFENSIVE”, pra ka karakter reagues, ka karakter mbrojtës në kushtet aktuale, kur Berisha u gjend i papritur nga kalimi i Metës drejt së majtës. Me disa lëvizje taktike brenda dhe jashtë listave të PD-së Berisha kërkon të rikuperojë, dëmtojë, neutralizojë territore politike majtas. Për të kompensuar një ekuilibër të humbuar majtas me ikjen e LSI-së e sidomos me kandidimin vetëm të FRD-së së ish–presidentit Bamir Topi, Berisha veproi me shpejtësi me kandidatë majtas, si rasti i ish-deputetëve socialistë etj, duke marrë një risk politik për 23 qershorin, por duke fortifikuar gjithsesi pozitat konkurruese të koalicionit të tij. Edhe pse të gjithë elementët e tjerë taktikë lista e PD-së duket se i ka përgjithësisht të zgjidhur mirë, lista e PD-së nuk ishte një listë hapjeje drejt qendrës, moderacionit apo risi për të përfaqësuar Shqipërinë e së sotmes dhe për të paralajmëruar Shqipërinë e së nesërmes. Berisha bën lëvizje të matura, kompromise të paimagjinueshme, me qëllim që të mos rrezikojë asgjë nga logjika e shifrave që ai ka ndërtuar në kokën e tij apo me strategjistët e tij amerikanë për 23 qershorin.

Këto dy lista, kandidimi i FRD-së dhe AK–së vetëm në këto zgjedhje, disa kandidime taktike të pavarura apo nëpër listat e partive aleate, ndryshojnë shumëçka që asgjë të mos lëvizë: Fushata elektorale nis me një ekuilibër shansesh. Ku Berisha është kujdesur të anulojë, të bëjë “nul” me taktikë politike çdo avantazh në dukje të bashkimit Rama–Meta. Të tjerat janë për t’u vendosur këto 45 ditë. Një lojë që vazhdon, ku zgjedhësve iu është shtruar një zgjedhje mes dy pragmatizmash.

http://www.mapo.al/2013/05/07/23-qershori-nje-zgjedhje-mes-dy-pragmatizmash/

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: