28 nëntori, festë e bashkimit apo ndarjes

02/11/2012 - 00:00

 

Politika shqiptare nuk i shpëton dot konfliktualitetit, madje edhe në raste festash. Festat e nëntorit gjithnjë janë kthyer në “mollë sherri” mes të majtës dhe të djathtës për ditën e çlirimit të vendit, por këtë herë edhe një përvjetor mjaft i rëndësishëm siç është 100 vjetori i pavarësisë duket se nuk ka mundur t’i qetësojë kokat e nxehta të politikës shqiptare. Të mësuar gjithnjë në këto 22 vite pluralizëm politik të prodhojnë debate, replika e kundër replika pa fund, politikanët tanë duket se nuk kanë mësuar e as duan të mësojnë nga e kaluara.

Ndërsa 100 vjet më parë delegatë nga i gjithë vendi u mblodhën në Vlorë dhe pavarësisht bindjeve politike e atyre fetare firmosën deklaratën e mëvetësisë së Shqipërisë, dy liderët tanë, Berisha e Rama, si dy gjela të pabindur ia nisin këngës që në mëngjes, si për t’i treguar tjetrit se kush di të këndojë më fort. Nëse Berisha dhe Rama do të kishin qenë 100 vjet më parë në Vlorë, në mesin e 40 delegatëve që firmosën deklaratën, kjo e fundit ndoshta do kishte rrezikuar të mos firmosej nga këta të dy, pasi do grindeshin kush ta firmoste i pari apo do t’i trembeshin ndonjë truku të kundërshtarit (Rama nuk mund t’i shpëtojë frikës se Berisha ia ka me të futur).

Kur edhe rreth tre javë na ndajnë nga kjo festë e madhe për të gjithë shqiptarët, politika jonë ende nuk i ka shuar debatet dhe akuzat për axhendën, vendin dhe fondin e akorduar për festimet. Çdo sebep është i përshtatshëm për liderët tanë për të vijuar me gjuhën e sertë karshi njëri tjetrit. “Programi zyrtar i festimit të pavarësisë projekt vulgar me frymë komuniste e pa pikë shije europiane. Vaj medet për shtetin pas 100 vjetësh! Nje darkë zyrtare e pakuptimtë në datën 27 në Vlorë, ku shkelet hapur Protokolli i Shtetit dhe një ngutje e pajustifikueshme drejt Tiranës”,- shkruante të shtunën në faqen e tij në Twitter Edi Rama.

Ndërkohë po gjatë javës që sapo u mbyll kryeministri shqiptar do të deklaronte: “Nuk po krijohet asnjë rivalitet midis kryeqytetit dhe qytetit të pavarësisë, por Tirana si kryeqytet i të gjithë shqiptarëve, është e natyrshme që të jetë në qendër të të gjithë festimeve. Në kryeqytet, në ditën e pavarësisë do të jenë të pranishëm edhe shumë diplomatë dhe personalitete të huaj, prandaj është e natyrshme që Tirana të jetë qendra e festimeve”. Si gjithnjë dy liderët tanë vazhdojnë t’i bien njëri gozhdës e tjetri patkoit.

Domosdo fushata elektorale po afron dhe secili prej tyre ëndërron për karriken e kryeministrit dhe e ka halë në sy kundërshtarin. Por përtej inateve personale, urrejtjes patologjike që dy liderët tanë ushqejnë për njëri tjetrin ekziston gjithmonë dikush ku ata duhet të ndalen e të reflektojnë e ky është populli, që e meriton ta festojë këtë datë të shënuar në historinë e një kombi në mënyrën më të mirë të mundshme. Nisur nga simbolika e kësaj feste do ishte e udhës që për një muaj të vetëm politikanët tanë të përdornin gjuhën e mirëkuptimit e jo atë të retorikës politike e debatit shterp, që prodhon vetëm lajme për median e shkruar e vizive.

Gjatë javës që sapo lamë pas sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton vizitoi vendin tonë dhe lëshoi apelin e rradhës për politikën shqiptare për bashkëpunim, tone të ulura dhe moderim. Por edhe këtë herë liderët tanë politikë, Sali Berisha dhe Edi Rama, si për inat të vjehrrës, vazhduan sërish debatin në distancë.

I lodhur nga kjo politikë që prodhon konfliktualitet pa mbarim, elektorati është në pritje të një sinjali paqeje mes palëve, të uljes në një tryezë të përbashkët dhe arritjes së kompromisit për reformat e shumëpritura, për miratimin e ligjeve me 3/5 dhe marrjen përfundimtare të statusit të vendit kandidat. Në 28 nëntor do të festojë e gjithë Shqipëria, të gjithë shqiptarët, të majtë apo të djathtë qofshin, brenda kufijve shtetërore apo anekënd botës. Do festojnë sepse në rradhë të parë kjo është festë e tyre dhe askush nuk ka të drejtë ta cënojë apo t’i dëmtojë imazhin.

Më 28 nëntor 1912 burrat e shtetit shqiptar, të gjendur para rrezikut të shpërbërjes së Shqipërisë, u bënë bashkë dhe të gjithë njëzëri shpallën pavarësinë e vendit. Nëse liderët kryesorë të politikës shqiptarë do të ishin të gjithë bashkë si dikur plaku i urtë i Vlorës dhe delegatët e tjerë në ballkonin e flamurit, mesazhi do të ishte i qartë, ndonëse afatshkurtër.

Thuhet gjithnjë se historia përsëritet. Nganjëherë është e rëndësishme të hidhet një hap përpara, pasi të tjerë mund ta pasojmë. Të shpresojmë se liderët tanë do të dinë të tregohen aq të matur të paktën për një ditë.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: