Ajshes, Shabanit, prokurorit & Co

22/10/2012 - 00:00

 

Ej Shaban, dy mundësi ka: Kazanova i vërtetë që vdiq në moshën 73 vjeçare ose do të thoshte që t’i je Kazanova i kohëve moderne dhe kapërceve çdo imagjinatë në emër të nevojës për dashuri, ose me përbuzje do të thoshte “I mjeri ti, që të përdorën keqazi!”.Po të ishe në liri, jam e bindur që përtej makabritetit që mbart figura jote kriminale vendbanimi yt do të kthehej në vend peligrinazhi dhe shpëtimi për shumë çifte me probleme riprodhimi. Je një 80 vjeçar për t’u admiruar, Shaban!

Po nuk është faji yt. Rezultati i deklaruar i analizës së ADN-së të shndërroi në një maçomen (macho man) të vërtetë, edhe prokurori i çështjes, edhe ekspertët e Laboratorit Kriminalistik të dhanë mbështetje në këtë drejtim. Dhe ti nise ta besosh shtatzaninë, po nuk e di nëse e besove kur ta pohoi Ajshja, apo kur doli nga analiza e kryer? Besoj teksa dëgjoje prokurorin tek rrëfente për ngjarjen, por edhe avokatin mbrojtës u mallëngjeve për veten.

Në sallën e gjyqit u servir një ngjarje e thjeshtë kriminale: një lidhje e fshehtë intime që e tronditur nga një shtatzani e padëshiruar përfundon në krim me lutjen e vazhdueshme (plot tri ditë e tri netë thotë autori) të vajzës dhe aktin e kryer nga 80 vjeçari, i cili la pas një hije dyshimi mbi atësinë e fetusit me përgjigjen e dhënë: “Nga unë ka ngel se derisa doli nga analiza e më dul mu…”. A mos kishte gënjyer dhe Ajshja? Gjendja jote penale është një tjetër pikëpyetje Shaban. I dënuar apo i padënuar për krim kundër personit është Shaban Norja?

Policia e deklaron person të dënuar më parë për vrasje në tentativë, po në sallën e gjyqit ai deklaroi para gjyqtarit Fejzo Hysi: “Jam i padënuar”. Ky detaj i thjeshtë mund të bëjë diferencën në të gjithë këtë histori ku vërshuan fantazitë, deklarimet, dëshmitë, madje dhe si asnjëherë tjetër prokurori i çështjes doli në intervista televizive duke dëshmuar mbi Shabanin dhe ngjarjen. Menjëherë pas ndalimit të shtetasit Shaban Norja, Drejtoria e Policisë e Qarkut Durrës bëri të ditur në komunikimin zyrtar me publikun se i ndaluari ka qenë i dënuar me 9 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.

Mbrojtja foli për një burrë të mirë në moshë e që vjen nga një familje e mirë pa probleme dhe që duhet ta bëjë gjykatën të mendojë për një masë sigurie të arsyeshme (?!). Kush gënjen, Shaban? Autoritetet policore dhe ato të hetimit nuk kanë interes të deklarojnë mbi një dënim që nuk ekziston thjesht për të rënduar gjendjen penale të njeriut që ka kryer një krim makabër dhe që të gjitha provat e siguruara e dëshmojnë këtë. Nëse informacioni i dhënë nga ky autoritet ka qenë i pasaktë ky është një problem që e kapërcen institucionin.

E nëse gënjeshtari je ti Shaban Norja, të gjitha ngashërimet, deklaratat mbi ngjarjen dhe presionin e së dashurës për të kryer krimin nuk duhen marrë të mirëqena, siç ka bërë deri më tani grupi hetimor i kryesuar nga prokurori Nishani. Viktima është e pagojë për të rrëfyer historinë e viteve të fundit të jetës së saj dhe veçanërisht makthin e javëve të fundit, pasi është bindur se ishte shtatzanë. Ajshe Vata prehet në varrezat e fshatit, tashmë e plotë dhe pranë nënës së saj, të cilën nuk e pati afër në vitet e vështira të kapërcimit të etapave nga vajzë në grua.

Lamtumirë Ajshe, që askush nuk të vuri as një lule atje ku u gjete e masakruar. As një qiri nuk ta ndezën aty, sepse megjithë ndërgjegjësimin dhe ndjeshmërinë e deklaruar askush nuk guxoi të lëvizë nga Tirana e Durrësi me një lule a qiri në dorë për ty. Të gjithë nxituan, përfshirë dhe mua, të shkruajmë, gjykojmë mbi historinë tënde, fatin tënd, të japin intervista dhe organizojnë tryeza diskutimi, por edhe të bëjmë homazhe dhe nderime shumë larg teje

Nuk na e thotë dot ç’i ngjau, prandaj do të qëndrojmë në pritje të hetimeve nga të cilat duket se nuk ka ngelur më asgjë për të thënë. Folën të gjithë për to dhe ty, vetëm ato që vërtet i prisnim të flisnin nuk u ndjenë. Nuk foli as Prokurorja e Përgjithshme e Republikës Ina Rama dhe as kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. As grupi i deputeteve gra të të gjitha forcave politike nuk u ndje. Kanë të tjera barra mbi supe ato dhe pse historia jote mbërriti mediatikisht deri në Arabinë dhe Amerikën e largët.

Prandaj lamtumirë Ajshe, që askush nuk të vuri as një lule atje ku u gjete e masakruar. As një qiri nuk ta ndezën aty, sepse megjithë ndërgjegjësimin dhe ndjeshmërinë e deklaruar askush nuk guxoi të lëvizë nga Tirana e Durrësi me një lule a qiri në dorë për ty. Të gjithë nxituan, përfshirë dhe mua, të shkruajmë, gjykojmë mbi historinë tënde, fatin tënd, të japin intervista dhe organizojnë tryeza diskutimi, por edhe të bëjmë homazhe dhe nderime shumë larg teje.

Të gjithë iu referuan fotos, të vetmes foto ku kishe dalë për diplomën e maturës dhe që ende e mbaj në tryezën time të punës për të kuptuar më shumë diçka prej teje. Ende kam para syve listën e notave të tua dhe si je përpjekur të rrisësh rezultatet bindshëm gjatë vitit të maturës për të fituar të drejtën e studimit dhe për t’u larguar nga realiteti i hidhur që jetoje. Bebja që rritej brenda teje të tronditi fort. Të bëri të kuptosh që nga e kaluara dhe ajo që jetoje nuk mund të ndaheshe kollaj.

Lamtumirë Ajshe, nëse historia do të kishte rrjedhur ndryshe, ashtu si disa e kanë përshkruar dhe sugjeruar, pas pak kohësh mbase do të të kishin nxjerrë dhe ty në një poligon qitjeje për të dëshmuar aftësitë mbi përdorimin e armëve të zjarrit dhe forcës së krahut. Po Shabanin 80 vjeçar jo. Ai mund të bënte gjithçka. Të të dhunonte, të të prekte e ledhatonte, të të linte shtatzënë, të të vriste e të të priste. Ai jo, nuk vihet në dyshim. Është një vend maskilist e dashur Ajshe dhe shumica i ngrenë lapidar moralit të rremë, të cilin ti deshe të mbroje.

Gratë e pushtetshme janë të zëna të merren me ty dhe të tjerat që vuajnë histori si ty e si ne. Jetojmë në shoqërinë e shurdhët e memece. Jetojmë në shoqërinë e interesit Ajshe. Ah, edhe një gjë të fundit: A e di që historia jote ka qenë më e lexuara dhe më e shitura në historinë e medias së shkruar gjatë 20 viteve të fundit në Shqipëri? Lamtumirë dhe më fal nëse ka rastisur të të gjykoj!!!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: