Aleanca KuqeZi në perspektivën amerikane

01/03/2012 - 00:00

 

Partitë nacionaliste më interesojnë shumë, sepse prej tyre është varur gjithmonë stabiliteti – ose më mirë, instabiliteti – europian. Por Aleanca KuqeZi duket se është ndryshe, sepse është e vetmja parti nacionaliste bashkëkohore që ka lindur zyrtarisht në SHBA. Është një fakt shumë i çuditshëm, sepse zakonisht Amerika i pengon lëvizjet etno-nacionaliste, duke promovuar përkundrazi formimin e shteteve të mëdha multi-etnike, multi-fetare dhe multi-kulturore, ashtu si Bashkimi Europian.

Përveç partive nacionaliste “të zbutura” në kohë – si VMRO-DPMNE në Maqedoni, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) dhe Partia Progresiste Serbe (SNS) – Europa ofron disa shembuj të etno-nacionalizmit shumë të flaktë, që nuk gëzojnë simpatinë amerikane.

Në Greqi, Grumbullimi Popullor Ortodoks (LAOS) ka marrë 5.6% të votave në zgjedhjet parlamentare të 2009 dhe 7.1% në zgjedhjet europiane të të njëjtit vit. Platforma e saj parashikon: opozitë ndaj hyrjes së Turqisë në Europë, bllokim të imigracionit extraeuropian, dëbim të të gjithë klandestinëve, euroskepticizëm, mbrojtje të Kishës ortodokse, ulje të taksave për bizneset e vogla. Lideri i LAOS, Giorgos Karatzaferis, është pa dyshim i tërbuar me BE për kushtet në të cilat ka çuar vendin e tij dhe kërkon rikthimin tek dhrahmia. Pas kritikave të forta të tij ndaj bankës amerikane Goldman Sachs, ka fituar epitetin e “antisemitit” dhe dyshoj se mund të marrë ndonjë ftesë për në SHBA.

Në Bullgari, partia Ataka ka koleksionuar 12% të votave në zgjedhjet europiane të 2009. Programi i saj bazohet në: antiglobalizmin, shtetizmin, antiliberizmin ekonomik, euroskepticizmin, antipati ndaj NATO dhe SHBA, mbrojtjen e Kishës ortodokse, islamofobi dhe protesta antieuropiane për mbylljen e centralit bërthamor të Kozloduy, parashikuar nga programi i denuklearizimit i BE-së. Lideri i Ataka, Volen Siderov, nuk është ftuar kurrë në Washington, por në Moskë, dhe është i famshëm për pozicionet e tij të rrepta kundër romëve dhe turqve. Aktivistët e të drejtave të njeriut e përshkruajnë si “një imitim i Hitlerit” dhe New York Times pajtohet.

Në Hungari, ku pozicionet rebele të kryeministrit Viktor Orban i provokojnë dhimbje të forta barku politikanëve të Brukselit, ekziston edhe një parti nacionaliste edhe më shumë rebele. Quhet Jobbik dhe ka fituar 14.7% të zgjedhjeve europiane të 2009 dhe 12.1% të zgjedhjeve parlamentare të 2010. Platforma programatike përfshin: nacionalizëm radikal, mbrojtje të vlerave krishtere, antiglobalizëm, dëbim të investitorëve të huaj, luftë kundër kriminalitetit rom, luftë kundër multikulturalizmit. Lideri i Jobbik, Gabor Vona, koleksionon denoncime për shkelje të të drejtave të njeriut, ndërsa liderja femër, Krisztina Morvai, është e njohur për sulmet e saj kundër financës hebraike në Hungari dhe për polemikën e saj kundër Ambasadës amerikane në Budapest, e akuzuar prej saj se mbështet partitë e tjera dhe bojkoton Jobbik. Partia është në shënjestrën e mediave botërore, me akuza për antisemitizëm dhe neonazizëm. E vështirë që udhëheqësit të shkojnë për vizitë në Washington...

Dhe çfarë të thuash për partitë nacionaliste të Europës perëndimore? Në Austri, Jörg Haider dhe Partia Austriake e Lirisë (FPO) e tij ishin vulosur si “neonazistë” nga media ndërkombëtare; në Francë, Fronti Nacional (FN) i Marine Le Pen është akuzuar për neofashizëm; në Gjermani, Partia Nacional Demokratike (NPD) është nën kërcënim konstant për t'u shkrirë, ndërsa liderët e saj historikë janë “të abonuar” në denoncime për racizëm, gjoba dhe burg; dhe çfarë të thuash për Lega Nord italiane, dëbimi i së cilës nga jeta politike italiane ishte, sipas shumë njerëzve, qëllimi i vërtetë i sulmeve të ngritura kundër Berlusconit? Me pak fjalë, partitë me të vërtetë nacionaliste, ato që krijojnë shqetësime, më parë demonizohen nga media ndërkombëtare dhe pastaj margjinalizohen politikisht. Nëse nuk ndodh, do të thotë se partia nuk është nacionaliste.

“Amerika është me ne!”: drejt realizimit të Shqipërisë etnike?

Përsa më sipër, ështëinteresante vëmendja pozitive kushtuar AK-së nga gazeta online “Balkan Insight”, e financuar nga “think-tank” kryesore amerikane të angazhuara në vendet ish komuniste.

Një artikull i 12 janarit, me titull “Një forcë e re kërkon të thyejë skemat në Shqipëri”, shpjegon se “Shqipëria është pushtuar nga një sëmundje politike e vazhdueshme, e shkaktuar nga sistemi bipartiak që sundon vendin nga njëzet vjet”. Falë “platformës nacionaliste” të saj dhe fitimit të “votës patriotike”, “AK kërcënon bazën elektorale të PD dhe PS” dhe “mund të bëhet shigjeta e peshores në çdo koalicion qeveritar të ardhshëm, ashtu si LSI”. “Balkan Insight” thekson se AK ka më shumë anëtarë në Facebook sesa PS dhe PD, “gjë që tregon forcën e saj tërheqëse ndaj rinisë”, dhe se organizata është e pranishme në të gjitha kryeqytetet europiane ku banon diaspora shqiptare, “influenca politike e së cilës ka qenë deri më tani e papërdorur”. Dhe ja arsyeja e lindjes së AK-së: “Ky realitet i ri ka një cilësi (nacionalizmin) që ka munguar në njëzet vitet e pluralizmit shqiptar. Të gjithë vendet e tjera të Europës juglindore kanë një parti nacionaliste në parlament”. Megjithatë, “Balkan Insight” saktëson se AK “nuk synon krijimin e një Shqipërie të Madhe, por vetëm mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në rajonin ballkanik” dhe se “organizata garanton mos pasjen e një agjende irredentiste, por dëshiron të bashkojë popullin shqiptar brenda BE”. Pikë e fortë e AK-së është “humbja e kredibilitetit popullor e partive të tjera me bazë nacionaliste, të cilat bëjnë pjesë në koalicionin qeveritar dhe kanë pranuar heshtazi disa vendime të konsideruara në kundërshtim me interesat shqiptare”. Sipas “Balkan Insight”, “duke njohur influencën që Athina ushtron mbi integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, qeveria shqiptare trajton çështjen çame si një tabu. Përkundrazi, AK vazhdon të flasë për çamët dhe për emigrantët shqiptarë në Greqi”. Pra, “avantazhi i AK-së është joshja e shqiptarëve të tërë rajonit”, të cilët AK synon “t'i bashkojë në kauzën kombëtare të identitetit shqiptar”.

Aleanca KuqeZi është e vetmja parti nacionaliste bashkëkohore që ka lindur zyrtarisht në SHBA. Zakonisht, partitë nacionaliste më parë demonizohen nga media ndërkombëtare dhe pastaj margjinalizohen politikisht. Pra, është interesante vëmendja pozitive kushtuar AK-së nga gazeta “Balkan Insight”, e financuar nga “think-tank” kryesore amerikane të angazhuara në vendet ish komuniste. AK prezantohet si “nacionaliste” në periudhën historike kur, përkundrazi, SHBA promovojnë globalizmin maksimal, dhe flet për bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë që Washington deklarohet kundër kësaj hipoteze: politika e re duhet të duket “made in Albania”

Artikulli është firmosur nga një kërkimtar i New European Democracies Project pranë Center for Strategic and International Studies (CSIS). CSIS është një nga institucionet kryesore botërore për politikën e jashtme dhe sigurimin kombëtar amerikan, ndërsa New European Democracies Project i saj, i drejtuar vendeve ish komuniste, ka si qëllim “ndihmën për forcimin e lidhjeve të tyre me SHBA dhe stabilizimin e rajoneve të tyre”.

Më 13 shkurt, “Balkan Insight” ka botuar një artikull nga David L. Phillips, drejtor i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Institutin për Studime të të Drejtave të Njeriut pranë Universitetit Columbia. Websiti i Aleancës KuqeZi sjell këtë artikull që, edhe pse nuk përmend AK-në, duket se mbështet programin politik të saj. Titulli, “Ballkani do të përfitonte nga një ‘lagje’ shqiptare e lulëzuar”, lajmëron një projekt për forcimin e solidaritetit etnik mes të gjithë shqiptarëve të rajonit që, sipas autorit, do të reduktonte tensionet dhe do të stabilizonte rajonin. Phillips mendon se integrimi europian për vendet e Ballkanit perëndimor “sot është më shumë një aspiratë sesa një realitet”, sepse kriza e Eurozonës ka ndryshuar qëndrimin e liderëve europianë kundrejt zgjerimit të BE: “Ata duan të rregullojnë problemet brenda shtëpisë së tyre përpara se të ngrenë një tendë më të madhe”. Kështu, meqë “influenca amerikane është kufizuar për shkak të pakësimit të burimeve, komuniteti ndërkombëtar ka nevojë për një perspektivë tjetër”, që Phillips e quan “Lagja Shqiptare” (d.m.th Shqipëria etnike), “e bazuar në pranimin se grupet kanë afri natyrore, që reflektojnë histori, kulturë dhe marrëdhënie tregtare të përbashkëta”. Duke nënvizuar se “Lagja Shqiptare” është “angazhuar për demokraci, të drejtat e njeriut dhe tregun e lirë”, autori e quan “në një linjë me interesat amerikane” dhe prandaj sugjeron “të lejohet lulëzimi i afrive” mes shqiptarëve, si “një valvul sigurie” për të shmangur frustrimet etnike. Sipas Phillips, “politikbërësit amerikanë janë të kujdesshëm ndaj konceptit të solidaritetit etnik”, por “duhet ta shohin Ballkanin ashtu siç është, dhe jo ashtu siç do të dëshironin të ishte. Solidariteti etnik është një realitet. Sfida është që ai të shfrytëzohet si një forcë për paqen dhe prosperitetin sesa si një burim për konflikt e dhunë”. Për të zbatuar këtë “ndryshim paradigmatik në marrëdhëniet mes kombeve në Ballkan”, analisti propozon organizimin e një Konference për Lagjen Shqiptare me praninë e politikanëve, studiuesve, think-tank, gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të diasporës shqiptare. Phillips përfundon se “interesat amerikane nuk plotësohen nga shtete të dobëta dhe të paqëndrueshme, që janë të cenueshme nga korrupsioni, kriminaliteti dhe ndikimi nga grupe të jashtme ekstremiste”. Pra, edhe pse nuk përmend as Shqipërinë etnike as partitë nacionaliste, autori lë të kuptohet se një shtet shqiptar i vetëm e i madh do të ishte më i kontrollueshëm nga ana e Washington.

Ndoshta, ëndrrat e shqiptarëve po bëhen realitet.

“Transparency” është më mirë sesa “conspirancy”

Meqë mbështetja amerikane rezulton shumë e hapur, nuk kuptoj se përse shefi i AK-së don të duket misterioz. Kreshnik Spahiu ka treguar se ka qenë pritur në Departamentin e Shtetit dhe në Helsinki Commission, por ka refuzuar kategorikisht të nxjerrë sheshit identitetin e zyrtarëve amerikanë me të cilët ka folur. Madje, ka deklaruar se nuk do t'i përmendë KURRË emrat e mbështetësve të tij në Washington, dhe ka kritikuar edhe sjelljen “hiper-mediatike” të politikanëve të Tiranës, të cilët “kur shkojnë e pinë kafe me një ambasador amerikan thërrasin televizionet dhe gazetarët për të dalë para telekamerave”. Sipas Spahiut, nuk është e drejtë që liderët shqiptarë shfaqin frekuentimet fisnike të tyre ndërkombëtare, sepse i instrumentalizojnë për t'i treguar votuesve se gëzojnë mbështetjen e jashtme dhe sidomos atë amerikane.

Pra, shefi i AK-së ka deklaruar se do të veprojë gjithmonë në hije. Një zgjedhje e çuditshme, që mund të shtyjë njerëzit “të mendojnë keq”, sepse eksperienca historike na mëson se popujt europianë besojnë në teoritë konspirative. Por, ndërsa “kultura e dyshimit” pushton klimën sociale të shumë vendeve, Shqipëria, përkundrazi, nuk ka qenë kurrë misterioze në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare dhe kjo është sigurisht një prej aspekteve më të mira dhe me të vërtetë “transparente” të qeverive të këtij vendi.

Shqiptarët nuk janë mësuar të jetojnë në turbullirën e dyshimit, por në sigurinë më të kulluar: vendi i tyre është rreshtuar qartësisht me SHBA, që nga ana e tyre mbështesin aspiratat shqiptare në planin ndërkombëtar dhe kontribuojnë de facto në qeverisjen e Shqipërisë. Për popullin është shumë qetësues të shikojë politikanët shqiptarë të shoqëruar nga ambasadorët amerikanë; dhe është sigurues të dinë se ambasadorët vigjilojnë mbi zgjedhjet, mbështesin prokurorët, promovojnë programe antikorrupsion dhe marrin pjesë në emisione televizive. Prania aktive e SHBA ka zëvendësuar, në psikologjinë popullore, atë rol mbrojtës që më parë mbahej nga “Nëna Parti”. Me dallimin se shumë njerëz nuk e donin komunizmin, ndërsa tani të gjithë adhurojnë tutelën tërë kujdes të Washingtonit, që nuk bezdis asnjeri.

Strategjia e AK-së, përkundrazi, konsiston në ndryshimin e fasadës së situatës – por jo të substancës së saj. Sipas kësaj strategjie, ka ardhur momenti që Shqipëria të duket si një vend më pak kolonial dhe që të pushojë (të paktën zyrtarisht) së qeni “Shteti numër 51” i SHBA. Pra nevojitet një parti në dukje autonome, që prezantohet si “nacionaliste” në periudhën historike kur, përkundrazi, SHBA promovojnë globalizmin maksimal, një parti që flet për bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë që Washington deklarohet kundër kësaj hipoteze. Pra, një parti që i bën shqiptarët të ëndërrojnë se janë të pavarur në vendimet e politikës së jashtme. Amerika është e lodhur duke u paraqitur si mbrojtësja zyrtare e tepër vendeve-satelite dhe preferon të punojë në hije, siç bën me shtetet e mëdha europiane. Nuk dëshiron më të jetë shumë e dukshme dhe ndërhyrëse në punët e të tjerëve, kështu po i mëson politikanëve të së ardhmes “të mos përmendin emrat e mbështetësve të tyre amerikanë”: politika e re duhet të duket “made in Albania”, urdhrat amerikane duhet të vijnë vetëm nëpërmjet kabllogrameve dhe jo nga goja e ambasadorëve.

Po “transparenca”? Durim, populli shqiptar është poliglot dhe do t'i kushtojë më shumë kohë leximit të shtypit të huaj për të kuptuar sesi po shkon bota... duke shpresuar që mos të bëhet tepër konspiracionist!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: