Alesio që takoi Ronaldon, si viktima e dyfishtë e politikës spektakël

10/09/2020 - 18:04

Nga Andi Bushati

Fati tragjik i Alesio Cakonit, fëmijës që shpëtoi mrekullisht në natën e tërmetit të 26 nëntorit, duke fluturuar nga dritaja e pallatit të rrënuar të Thumanës, ku humbën jetën e motra dhe i ati i tij, është shndërruar në një histori të neveritshme politike.

Të gjithë i mbajnë mend kronikat e gërditshme të propagandës ediramiste, që e shoqëruan me kamera udhëtimin me çarter të këtij djaloshi të traumatizuar për të takuar heronjtë e tij Kristiano Ronaldo dhe Luigi Buffon.

Të gjithë i kanë të ngulura në kujtesë reportazhet e mediave që nxitojnë të bëjnë biznes me çdo fatkeqësi, se si tregonin përdëllimin e Ramës se do ta merrte në shtëpinë e vet dhe shoqërimin me veturën kryeministrore për rikthimin në shkollë.

Fabula e ngritur mbi dramën familjare të këtij 11 vjeçari shërbente për të demostruar se Shqipëria kishte mbi krye një udhëheqës që nuk e linte popullin e tij fatkeq të vetmuar dhe se ai ishte shpëtimtari i vetëm që do e ringrinte vendin nga kjo katastrofë.

Me kaq historia e Ramës me Alesion u mbyll.

Ai u harrua si shumë të tjerë, nënës së tij i kanë refuzuar pensionin, rilindasit që vendosën rifutjen e familjeve të Thumanës në pallatin e pabanueshëm nuk i thirri më kurrë prokuroria, ndërsa kjo familje e përgjysmuar jeton me diçka më shumë se 100 euro në muaj.

Edi Rama e zhvendosi setin e xhirimit në banesat e rindërtuara ku ai paraqitet me tortë në duar, vendos hudhra në muret e shtëpive dhe u dorëzon çelsat familjarëve.

Por, fatkeqësinë e Alesios nxitoi ta peshkojë kampi tjetër.

Pas një kronike rrënqethëse të News 24, ku nëna e tij rrëfente se si e gënjeu kryeministri dhe se si e përcollën duke i thënë se nuk meritonte pension pa i vdekur edhe një njeri i tretë nga familja (shihe ketu), në skenë doli PD-ja.

Nga selia blu është shpërndarë së fundi një video, që të ngjall neveri po aq sa edhe ato të Edi Ramës. Aty dallohet Grida Duma, duke aktruar në mënyrë perfekete një tekst të shkruar më parë, e ndjekur nga një kamer, filmimet e së cilës, për të krijuar më tepër efekt, janë kthyer bardhë e zi në montazh (shihe ketu).

Qëllimi është i qartë: të leckoset demagogjia e kryeministrit, por fatkeqësisht me të njëjtat mjete, me të njëjtat metoda dhe mungesë epathie si ai. Çdo kush që do e shihte këtë spot, ku duket sikur personazh është Grida dhe jo fati i keq i një fëmije të keqpërdorur nga pushteti, do ta humbte mesazhin real.

Ai që do të vriste pak më shumë mendjen do të pyeste: Po pse PD nuk u mjaftua me denoncimin e kronikës së thjeshtë mediatike, po nxitoi të xhirojë një film me të njëjtat fakte?

Pse spektaklit të propagandës i duhet kundërvënë me doemos spektakli i anti propagandës? Pse bota reale, ajo e fatkeqësisë, e dhimbjes, e jetës plot probleme të një familjeje të dërrmuar nga zia, nuk u dukëkra e mjaftë për ti’a përcjellë publikut pa ndërhyrjen brutale të politikës?

Në fakt, historia e Alesio Cakonit është vetëm qershia e hidhur mbi tortën e një beteje që po ashpërsohet përditë e më shumë.

Që kur Edi Rama ka vendosur të kandidojë në qarkun e Durrësit për zgjedhjet e ardhshme, duke e shndërruar rindërtimin nga tërmeti në ljtmotivin e garës elektorale që po afron, lufta mediatike lidhur me atë që ndodhi në 26 nëtor ka arritur kulmin.

Sa herë Rama poston në Facebook punimet për rindërtimin e një shkolle, PD i nxjerr menjëherë premtimin e pambajtur se nxënësit duhet ta kishin nisur aty vitin shkollor. Sa herë Rama merr nga pas taborët mediatikë për të hapur derën e një shtëpie të ringritur, PD i nxjer dëshminë e mjerueshme të një familjeje që e kanë harruar në çadër. Sa herë Rama paraqitet diku me ëmbëlsira në dorë, PD i nxjerr rrëfimet e atyre që i lënë të presin pas dyerve për dëshpërblimet që i takojnë.

Nuk ka asnjë dyshim se opozita e ka fituar këtë përplasje.

Eshtë e lehtë të çmontosh imazhet e gënjeshtërta të një qeverise të korruptuar dhe të paaftë, që nuk ka më as vëmendjen, as vokacionin, as mundësinë financiare dhe as resurset humane për ti’u gjendur njerëzve pranë.

Sondazhet e Edi Ramës janë gremisur në mënyrë të pakthyeshme nga mënyra se si ai menaxhoi krizën e tërmetit dhe atë të pandemisë. Eshtë cinike ta thuash, por u deshën këto dy fatkeqësi për ta bërë të prekshme për të gjithë, se ku i ka shpenzuar rilindja paratë, se për çfarë grushti minimal të përzgjedhurish ka punuar ajo dhe se sa është e aftë ti gjendet pranë qytetarëve në hall.

I pari që e ka kuptuar këtë është vetë Rama, i cili ua tha troç socialistëve se nëse zgjedhjet bëheshin tani, atij nuk do ti jepnin aq vota sa meritonte dhe se të majtët e lodhur dhe të zhgënjyer do ta bojkotonin.

Prandaj PD-ja nuk rrezikohet më nga gënjeshtrat, se kjo qeveri po rindërton pas tërmetit dhe se u është gjendur financiarisht atyre që humbën punën për shkak të pandemisë. Këto janë fakte që gjithkush i ndjen mbi lëkurë dhe këtë ndjesi nuk ka mashtrim që ta përmbysë.

Tek kjo betejë, opozita riskon më shumë kur bëhet pre e politikës spektakël. Kur bie në kurthin e të menduarit se propaganda neutralizohet vetëm me të kundërtën e saj. Aty ajo ngulit imazhin se e gjitha është një garë se kush di të shtiret më bukur, në rezultatin e së cilës nuk ka asnjë vlerë, as shqetësimi për fatin real të njerëzve, as dhimbja që buron nga gjendja e tyre.

Mënyra si u veprua me rastin e Alesios është rasti tipik i kësaj mënyre të meduari. Ai është shembulli “par excellence” se si mund të relativizhet, manipulimi i neveritshëm që Edi Rama bëri me fatkeqësinë e një fëmije që ka humbur gjysmën e familjes. /Lapsi.al

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: