Ana e errët e Vatikanit (III)

16/02/2013 - 15:23

Borgiat - orgji, helmime dhe inceste pas mureve të shenjta

Vatikani është në gjumë të thellë, por në banesën e Papës shkëlqejnë dritat e shandanëve të çmuar. Salla e mbingarkuar me vepra arti gjëmon nga të qeshurat dhe gromësimat e të dehurve: kreu i krishterimit ka miq.

Miqtë e shquar janë priftërinj, peshkopë e kardinalë. Zonjat në fakt nuk janë dhe aq të nderuara. Ato vijnë nga bordellot e Romës. 25 prostitutat më të bukura janë rezervuar për Papën. Ata çiftëzohen në sy të të gjithëve duke ndërruar vazhdimisht partnerët deri në orët e para të mëngjesit.

Në kohët më të errëta të Kishës, Vatikani nuk është vetëm një shpellë kusarësh, por edhe një çerdhe e paudhësisë: Papa Aleksandri VI (1431- 1503) e ktheu vendin e shenjtë të krishterimit në vendin më imoral në botë.

“50 prostituta të pashme, jo të zakonshme, por nga ato që thirreshin kurtizane, ishin aty,” theksonte Johannes Burckard, peshkopi i Ostias, pretonotar i Selisë së Shenjtë dhe Mjeshtër i Ceremonive në kurinë romake.

“Pasi hanin darkë, fillimisht ato kërcenin me rroba në trup dhe më pas zhvisheshin. Më vonë shpërndaheshin lajthi dhe kurtizanet e zhveshura zvarriteshin nëpër dysheme dhe i mblidhnin ato me buzë”.

Papa është mësuesi i tyre më me përvojë: ai është fisniku spanjoll Rodrigo Borgia, i derës së famshme. Bashkëkohësit e përshkruajnë si një burrë të pashëm dhe një pushtues të papërmbajtshëm. Ishte i madh, i fuqishëm dhe me sytë e përgjumshëm.

Që në moshën 25- vjeçare, Rodrigo u bë kardinal dhe u zhyt në jetën e egër. Përmes pasurisë gjigande që kishte prej tokave, ai u bë i famshëm për qejfin e shfrenuar.

Kur ishte 61 vjeç, Rodrigo Borgia kishte grumbulluar mjaftueshëm pasuri sa për të blerë kolegjin e kardinalëve dhe për t’u zgjedhur Papë. Rivalët i heq nga rruga duke i helmuar. Në këtë mënyrë bien edhe bastionet e fundit të devotshmërisë dhe moralit.

Menjëherë sapo zgjidhet Papë, nis një tregti të fuqishme me objektet dhe parimet fetare. Me shumë dëshirë ai nis që të shkëmbejë mëkatet përkundrejt pagesës: kështu, një fisniku italian ai i shet për 24 mijë copa ari të drejtën kishnore për të bërë seks me të motrën.

E dashura e tij, Giulia Farnese është 16 vjeç, por është e martuar, kur fle për herë të parë me të. Si falënderim, ai ia bën të vëllain kardinal. Në atë kohë romanët e quanin bukuroshen “gruaja e Krishtit”, kurse vëllain e saj “kardinali i p…”.

Ai ngjizi një numër fëmijësh me gratë e panumërta me të cilat shkonte. Tre prej fëmijëve të tij kanë hyrë në histori: Cesare, Giovanni dhe famëkeqja Lucrezia Borgia (1480-1519).

Djemtë përdorin pushtetin e babait për të gjetur bukuroshe. Vajza ia jep veten atij. Më vonë Lucrezia Borgia shkon në krevat edhe më vëllain e saj, Cesare. Historiani Ferdinand Gregorovius e quan atë femrën më fatkeqe në historinë moderne.

Vajza e Papës rritet e bukur mes murgeshave. “Ajo është mesatare për gjatësi, por ka forma të këndshme”, shkruan një bashkëkohës. “Ka hundë të prerë bukur, flokët e artë, gojën e madhe, dhëmbët e bardhë dhe të shndritshëm, qafën e hollë dhe të bukur, gjinjtë e formuar mrekullueshëm”.

Babai i saj e marton atë tre herë në mënyrë të kalkuluar me njerëz të fuqishëm. Kur u fejua për herë të parë ishte 11 vjeç. Burri i saj vdes nga helmimi, për të cilin janë të famshëm Borgiat. Burrin e dytë e vret vëllai Cesare, që kishte një fëmijë ndërkohë me motrën e tij.

Por Lucrezia nuk është vetëm e bukur, por edhe e zgjuar. Ajo bëhet përfaqësuesja e Papës dhe drejton Selinë e Shenjtë derisa zhvendoset me burrin e tretë, Dukën e Este-s në Ferrara. Fundi i babait të saj të pashenjtë është njësoj si jeta: Pas një feste të tepruar, trupi i tij u fry dhe më pas u bë i zi.

Thashethemet thoshin se ai vdiq ngaqë e mori djalli. Kurse shkencëtarët thonë se ai ra viktimë e helmit të tij. Cesare është po kaq përbindësh sa babai. Ai vret vëllain e tij, Giovanni, nga xhelozia pasi ai kishte gjetur një bukuroshe ekzotike nga Spanja për Papën.

Lucrezia promovon artistët e shkencëtarët, jep për të varfrit dhe të sëmurët, i jep të shoqit tetë fëmijë, vdes gjatë lindjes së të nëntit dhe më pas nderohet si një e shenjtë, ndërkohë që vendi pikëllohet.

Shkruar nga Josef Nyary, BILD

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: