Arsyet dhe përfituesit e një plani urbanistik

22/03/2012 - 00:00

 

Arkitektura dhe urbanistika janë tema specifike e delikate, dhe për më shumë duhen diskutuar e shpjeguar nga profesionistë e teknikë të sektorit. Por është e vërtetë edhe se konteksti urban dhe format arkitektonike ndikojnë thellësisht në jetën e përditshme të qytetarëve, të cilët ndiejnë estetikën dhe funksionimin e një qyteti në nivel qoftë praktik qoftë të pavetëdijshëm. Ja përse tematikat arkitektonike-estetike-urbanistike janë me interes të madh edhe për sociologët dhe gazetarët që merren me tematikat sociale dhe të sjelljes së qenieve njerëzore në kontakt me ambientin në të cilin jetojnë. Pa e gjykuar planin urbanistik të parashikuar për Durrësin – që megjithatë e kam lexuar – besoj se ia vlen të analizohen nevojat e tre kategorive social-ekonomike që do të përfitojnë nga riplanifikimi i qytetit tonë: qytetarët, ndërtuesit dhe turistët, perspektivat e të cilëve jo gjithmonë përputhen.

Një plan urbanistik për të kënaqur qytetarët?

Përmirësimi racional i një qyteti do të duhej t'i shërbente mbi të gjitha banorëve të tij. Por çfarë lloj përmirësimi presin durrsakët nga plani rregullator i ri? Personalisht, kam përshtypjen se shumica e banorëve të Durrësit janë të lumtur me qytetin kështu siç është. Në faqet e kësaj gazete kanë qenë publikuar intervista me personalitete të njohura durrsake, të cilët kanë deklaruar se “nuk do ta ndërronin Durrësin me asnjë vend tjetër në botë”. Pra, nëse eksponentë të botës së kulturës dhe ekonomisë janë të kënaqur me pamjen aktuale të Durrësit, kjo do të thotë se janë dakord me transformimin radikal që qyteti ka patur gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, si rezultat i betonizimit masiv të qendrës, të shëtitores dhe të plazhit. E njëjta kënaqësi konstatohet sidomos tek të moshuarit – të cilët, pas një jete të kaluar në pallatet enveriste, identifikojnë “zhvillimin” me ndërtesat e mëdha dhe me volumetri të çuditshme – por edhe tek më të rinjtë, të cilët tregojnë një dashuri me të vërtetë mallëngjyese për qytetin e tyre, “më i bukuri në botë”.

Njerëzit nuk kërkojnë një përmirësim estetik të Durrësit. Përkundrazi, durrsakët do të donin një lehtësim të burokracisë për të bërë një shtëpi private mbi tokën e gjyshit, do të donin zgjidhjen e grindjeve me pronarët e shtëpive fqinje për të ndërtuar të gjithë bashkë një pallat të madh, do të donin të blinin me çmim të ulët një apartament në qendër të qytetit dhe pra do të duartrokisnin ndërtimin e pallateve tip banesa sociale – me kosto të ulët dhe pra me cilësi materiale dhe estetike të ulët – nëse ka mundësi, deri në bulevardin Rruga Tregtare. Nuk duhet harruar kurrë se Shqipëria ka përjetuar pesë shekuj nën perandorinë osmane, duke asimiluar kriteret urbanistike të saj. Që nga origjinat e urbanistikës arabe, qytetet muslimane i kanë lejuar gjithmonë qytetarëve lirinë e realizimit të një modeli ndërtimor spontan, me rezultatin e një morfologjie urbane jo të planifikuar. Me ardhjen e vazhdueshme të familjeve nga zonat jo të urbanizuara – fenomen shumë i vlerësuar nga kultura islame, mbi shembullin e Hexhirës së Profetit – qytetet arabe e osmane kanë njohur një ndryshim të vazhdueshëm, duke vënë lirinë e banorëve të rinj përpara racionalitetit dhe estetikës së ndërtimeve.

Sot durrsakët nuk ankohen nëse ndokush ndërton një pallat përpara shtëpisë së tyre, duke i hequr pamjen dhe dritën (gjë që në Europën perëndimore do të bënte të humbte shumë vlera e apartamentit); nuk ankohen nëse janë të detyruar të jetojnë në shtëpi pa ndriçimin e mjaftueshëm diellor; nuk ankohen për degradimin e pallateve të vjetër dhe për mangësi të dukshme të atyre të rinj; nuk ankohen nëse mungon një kinema dhe një rrugë e bukur për shopping, si edhe nëse lagjet nuk ofrojnë vende grumbullimi sociale për të gjitha moshat. Por janë shumë të lumtur nëse asfaltohet rrugica poshtë pallatit të tyre ose nëse mbillet ndonjë pemiçkë. Dhe mbi të gjitha do të ishin shumë të lumtur nëse do të realizoheshin më shumë ambiente të mbyllura për të çuar fëmijët të luajnë gjatë dimrit, pa u detyruar për të shkuar në qendra tregtare përgjatë autostradës për Tiranë. Liri ndërtimi, shërbime për fëmijët dhe ndonjë zonë e gjelbër shumë e vogël: ja çka do të ishte cocktail ideal për të kënaqur qytetarët.

Një plan urbanistik për të kënaqur ndërtuesit?

Një përkufizim ironik i “planit rregullator”, shumë i përdorur nga mediat italiane, është “dhurata për ndërtuesit nga ana e shtetit”. Në fakt, opinioni publik vëren me habi se planet urbanistike përfshijnë gjithmonë zona ndërtimi të reja dhe projekte ndërtimore të reja, edhe në qytete tashmë të betonizuara intensivisht dhe me numra të frikshëm apartamentesh dhe zyrash të pashitura. Për shembull, në Milano ekzistojnë 320.000 apartamente të pashitura dhe 900.000 metra katrorë zyra bosh, por plani rregullator parashikon ndërtimin e 30.000 vendbanimeve të tjera, një projekt prej 70 miliard euro... Ky fenomen i çuditshëm, ku logjika dhe shifrat nuk shkojnë, haset sidomos në vendet mesdhetare, që pas luftës së dytë botërore kanë vendosur të bazojnë një pjesë të konsiderueshme të GDP të tyre në sektorin ndërtimor dhe sot nuk mund të kthehen prapa. Në vitet Nëntëdhjetë, edhe Shqipëria hyri në familjen e madhe të ndërtuesve italo-franko-spanjollë, por është penalizuarnga dy faktorë: i pari është sipërfaqja e kufizuar ndërtimore, që rrezikon të shterojë shumë shpejtë, dhe i dyti është vështirësia e firmave të ndërtimit shqiptare për të kaluar nga sektori i ndërtimit ex novo në atë të ristrukturimeve.

Të gjithë vendet mesdhetare janë karakterizuar nga aspekte social-ekonomike të përbashkëta: një demografi e tepërtnë krahasim me burimet natyrore të pakta (sidomos pamjaftueshmëria e tokave bujqësore dhe pra mungesa e ushqimit); nivele të larta papunësie; valë të mëdha masash rurale që kanë emigruar drejt qyteteve kryesore; dhe në fund një afeksion antropologjik për “shtëpinë”, që në vitet e shkuara shtynte familjet të konsideronin tullën si investimenti i vetëm i sigurt në jetë. Të gjithë këta faktorë kanë stimuluar zhvillimin e sektorit të ndërtimit, duke favorizuar proliferimin e firmave të ndërtimit, që nga ana e tyre punësonin krahun e punës të pakualifikuar sapo i ardhur nga fshati. Për më tepër, sektori i ndërtimit ushtronte një aktivizim të fortë mbi tërë sistemin ekonomik, duke përfshirë industritë furnizuese të lëndëve të para, të aksesorëve, të makinerive dhe të shërbimeve. Sot, nga ndërtimi varen sektorë të tërë prodhues, por edhe shumë aktivitete tregtare dhe deri sektorët e transportit, të kreditimit dhe të sigurimeve.

Pra, aktiviteti ndërtimor ka qenë një mburojë e fuqishme kundër papunësisë dhe madje, ka krijuar profile të reja profesionale, si për shembull ushtritë e arkitektëve dhe inxhinierëve të dala nga furrat e universiteteve të vendeve mesdhetare. Jo rastësisht, sektori ndërtimor mbulon një përqindje më të lartë të GDP në vendet më të varfra sesa në ato të pasura dhe të zhvilluara. Por përballë avantazhit të punësimit, ndërtimi paraqet disavantazhin e tmerrshëm të paqëndrueshmërisë dhe të shterimit. Në fakt, urgjenca për banesa dhe infrastruktura është nevoja primare e shoqërive në fazë zhvillimi ekonomik. Por kur mirëqenia përhapet, kur të gjithë kanë një apo dy shtëpi dhe rrugët janë kompletuar, aktiviteti ndërtimor bie fiziologjikisht. Për më tepër, zhvillimi ekonomik është shoqëruar nga një urbanizim i egër, të cilin e pason disintegrimi i “familjes së zgjeruar” rurale dhe formimi i bërthamave më të vogla, me rrjedhojë rritjen e kërkesës për banesa. Por pasi çdo familje e re ka blerë një apartament, kërkesa bllokohet.

 

Pa e gjykuar planin urbanistik të parashikuar për Durrësin, besoj se ia vlen të analizohen nevojat e tre kategorive social-ekonomike që do të përfitojnë nga riplanifikimi i qytetit tonë: qytetarët, ndërtuesit dhe turistët. Shumica e banorëve të Durrësit janë të lumtur me qytetin kështu siç është, ndërsa sektori ndërtimor don të vazhdojë përpara deri kur të ndodhë kolapsi natyral i tij: për tani, duhen shpikur pretekste dhe okazione për të ndërtuar pallate, resort, rrugë, ura, tunele, kalata e porte, deri në metrin katror të fundit të lirë. Por turistët e huaj nuk harxhojnë para për të vizituar qytete ku qendrat e tyre i ngjajnë periferive urbane europiane...

Në këtë pikë mbetet vetëm shpresa që njerëzit të blejnë një shtëpi të dytë, të tretë apo të njëzetë si “investim”, por është shumë e pagjasë që kjo të ndodhë në Shqipëri, ku tregu i qerave është praktikisht jo ekzistues dhe ku të gjithë e kanë kuptuar tashmë se është e vështirë rishitja e një apartamenti “të përdorur” me një çmim më të lartë sesa ai i blerjes. Rrjedhimi është kriza e thellë e sektorit ndërtimor – si në të gjithë botën e sotme – dhe fatkeqësisht pasojat do të jenë gjithmonë edhe më të rënda. Një fjalë e urtë thotë: “parandalimi është më mirë sesa kurimi”. Në të shkuarën arsyetohej në afat të shkurtër, lejohej krijimi i një sektori ekonomik të madh përreth të cilit rrotullohet akoma një mori aktivitetesh tregtare, i lejohej tepër të rinjve të diplomoheshin në arkitekturë dhe në inxhinieri me ëndrrën e një vendi pune të sigurtë. Sot të gjithë këta njerëz – ndërtues, prodhues të lëndëve të para, tregtarë, arkitektë – duhet të hanë, të mbijetojnë, dhe kriza ekonomike sigurisht nuk ndihmon për të ndryshuar aktivitetin, duke provuar rrugë të reja.

Pra, sektori ndërtimor nuk mund të ndalet dhe don të vazhdojë përpara deri kur të ndodhë kolapsi natyral i tij: për tani, duhen shpikur pretekste dhe okazione për të ndërtuar pallate, resort, rrugë, ura, tunele, kalata e porte, deri në metrin katror të fundit të lirë...

Një plan urbanistik për të kënaqur turizmin?

Përveç interesave të qytetarëve dhe të ndërtuesve, plani urbanistik i ri do të duhej të kënaqte teorikisht edhe interesat e aktorëve të tjerë, që mund të jenë shumë të rëndësishëm për ekonominë e Durrësit: turistët – të cilëve duhet t'i ofrohet një qytet më pak i degraduar dhe më tërheqës – dhe institucionet ndërkombëtare, që kërkojnë disa rregulla në planifikimin urban për të promovuar turizmin e huaj në Shqipëri.

Duke folur teknikisht, ekzistojnë dy tipe turizmi: “turizmi me rentë” – bazuar në tërheqjen që vjennga bukuritë natyrore ose artistike të një vendi – dhe “turizmi me shtyrje”, që realizohet në sajë të transformimeve artificiale të zonave pa burime natyrore e artistike. Modeli i parë është zakonisht elitar,ndërsa “turizmi me shtyrje” është zakonisht një turizëm popullor masiv. Institucionet ndërkombëtare kanë provuar fillimisht të promovojnë në Durrës një “turizëm me rentë”, duke sugjeruar mbrojtjen maksimale të monumenteve, të siteve arkeologjike dhe të zonave të gjelbërta, siç tregojnë Masterplani i Durrësit i hartuar nga Universiteti i Pescarës në 1994, Karta e Rrezikut Arkeologjik e realizuar nga Universiteti i Parmës në 2002 dhe Projekti Anconapaco i 2007, kjo vetëm për të përmendur disa shembuj. Megjithatë, Durrësi ka preferuar zhvillimin e turizmit popullor kombëtar dhe kosovar,duke iu drejtuar klasave të mesme-të ulëta dhe duke investuar në një modelturistik-ndërtimor i përshtatshëm ekskluzivisht masave popullore dhe pikërisht familjeve, me një mur hotelesh ekonomikë dhe apartamentesh me qira.

Fatkeqësisht, ky model ndërtimor ka zhdukur automatikisht hipotezën e turizmit të huaj, përveç atij “etnik” nga Kosova dhe nga Maqendonia. Në fakt, sidomos në kohë krizash ekonomike, turistët e huaj nuk harxhojnë para për të vizituar qytete ku qendrat e tyre i ngjajnë periferive urbane europiane. Edhe përpara revolucioneve e luftrave, askush nuk ka shkuar për turizëm në Algjeri, Orano, Sirte, Aleksandria e Egjyptit, Bejrut, Latakia apo Izmir: edhe pse janë qytete mesdhetare dhe janë perfekte për ekzigjencat e banorëve të tyre, fatkeqësisht ndërtimet shumëkatëshe në bregdet nuk i pëlqejnë turistëve të huaj. Të gjithë këto qytete jetojnë në fakt me burime të tjera, si nafta, industritë e shërbimet portuale.

Por është e vërtetë edhe se në botë ekzistojnë qytete intesivisht të betonizuara – pra të shëmtuara – që ia dalin të tërheqin shumë turizëm, për shembull New York, Los Angeles, Miami, Berlin, Liverpool, Barcellona dhe Montecarlo. Çfarë kanë të veçantë këto bërthama urbane, edhe pse janë antiestetike? Janë të gjalla. Banorët e tyrembajnë zgjuar qytetin 24 orë mbi 24 orë dhe askush nuk mbyllet në shtëpi në orën e ngrënies së darkës, sepse nëse kanë dy lekë në xhep i shpenzojnë për të ndenjur jashtë, në ambiente publike, në mes të qenieve njerëzore të tjera. Dhe atëherë jeta thërret jetë, njerëz thërrasin njerëz. Kjo është formula magjike që arrin të tërheqë turistë e studentë, duke bërë të lulëzojnë aktivitetet ekonomike.

Po Durrësi është në gjendje të realizojë këtë alkimi? Apo preferon të mbajë ritmet e veta të jetës provinciale? Ky qytet është në një udhëkryq shumë delikat për të ardhmen e vet. Mund të provojë të ringjallet e të krijojë një “movida”, edhe me koston për të ndryshuar ndonjë orar dhe zakon, me shpresën për t’u bërë një tjetër Barcellona. Përndryshe perspektiva më realistike është ajo e drejtimit total mbi sektorin produktiv dhe sidomos mbi atë portual e logjistik, që deri më sot ka qenë më i frytshmi për Durrësin.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: