Avokati i fëmijës domosdoshmëri

15/04/2013 - 16:27

Nga Geraldo Durda

Mbi 220 milionë fëmijë janë pre e dhunës së ushtruar ndaj tyre. Kështu thuhet në statistikat e frikshme, të publikuara nga Kombet e Bashkuara. Sigurisht që ky problem nuk lë pas dhe Shqipërinë.

Dhuna, më së shumti vjen nga një i afërm, fqinj apo mik i familjes. Në rrethana të tjera, agresori është edhe vetë prindi dhe kjo ndodh përgjithësisht në moshat e mitura. Dhunë prej atyre që fëmija i do e u beson më shumë: prindërit, familjarët, mësuesit apo shokët vazhdojnë të influencojnë në krijimin e një bote plot me fobi për një fëmijë shqiptar.

Pak kohë më parë opinioni publik shqiptar u trondit nga rasti i abuzimit seksual me fëmijët, nga një maniak, i cili kishte vrarë e hedhur në plehrat e sharrës një fëmijë 10-vjeçar. Të gjithë u morën me të. Media, shoqëria, politika, institucionet shtetërore u morën gjerë e gjatë me këtë tragjedi. Sot disa javë më pas kjo histori, si në media,si në shoqëri si në politikë u harrua shpejt e shpejt. Në fakt nuk është një rast për t’u harruar.

Nga precedentë të tillë ne duhet të marrim mësime e të nxjerrim përparësi; politika ligje e çdo gjë që është e nevojshme për të ndërgjegjësuar opinionin publik. Në Shqipëri fëmijët janë lënë në harresë.

Në rrugët e Shqipërisë gjen me qindra e mijëra fëmijë rrugëve, që zgjasin dorën për një kothere bukë, që shfrytëzohen nga “tutorë”, që abuzohen nga maniakë seksualë.

Çfarë bëjmë ne si shoqëri? Dëgjojmë ato dy-tre ditë mediat që shkelin dhe kodin e tyre të etikës në raportimin e lajmeve të tilla.

Në Shqipëri nuk ka të dhëna zyrtare se sa fëmijë jetim kemi, sesa fëmijë që lypin rrugëve të Shqipërisë kemi në mesin tonë, se sa fëmijë janë të abuzuar e se sa raste të tilla kemi të parandaluara.

Fëmijët sot janë pjesë e një realiteti që vret çdo ditë. Nëse do të shikosh se sa e emancipuar është një shoqëri, shiko me vëmendje sesi i trajton shtresat në nevojë, e në këtë rast fëmijët jetimë.

Mbrojtja e fëmijëve të dhunuar, të braktisur, jetimë duhet të ngrihet në sistem. E ardhmja ndërtohet mbi të tashmen!

Po kur e tashmja është e mbushur me padrejtësi sociale- ekonomike –politike, cila është e ardhmja?

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=21019&kat=92

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori