Nga Artur Lazebeu

Kafe e shkurtër

Që qytetet janë qenie të gjalla, po aq sa vetë banorët e tyre, ky është një fakt që pulson vetëdijen e çdokujt, frymor i fshatit lokal apo global. Ajo çka i ndodh të larguarit nga vendlindja, është tundimi i herëpashershëm për një fluturim romantik drejt frymëve të gjalla dhe fytyrave të dikurshme. Idealisht, këtë sikterrisje jemi mësuar ta quajmë naimjane. Përditshmërish kjo përkthehet në një sindromë malli, por edhe kompleks borxhi gjithmonë e më të pashlyer ndaj bashkëqytetarëve të tu. “Çfarë bëra unë për qytetin tim?” Edhe kur nuk ia bën vetes, herët a vonë kësaj pyetjeje nuk ke qar pa iu përgjigjur: “Çfarë bëre ti për qytetin tënd?” Më pas, një mea culpa natyrshëm të “thyen në mes” nga nostalgjia, por edhe krenaria për njerëzit, qofshin të gjallë apo të ikur nga qyteti apo jeta jote. Në fund, çdo përplasje dhe armiqësi ngjajnë të ikura me erën dhe kujtesa negative të reduktohet në trill konvencional, sipërfaqësor dhe thuajse të pandjeshëm. Sot kërkohet një votë, një borxh për një mandat. Sado subjektiv, një shikim antropologjik në trashëgiminë e një qyteti si Kavaja, të thotë se tharmi social dhe tabani familjar i këtyre njerëzve dëshmojnë se pykat e stisura të sistemeve, ideologjive, feve, partive, kurdoherë janë lënë pas dore, por dhe pas dere, mjaft që te tjetri, hallku të ketë parë mirësinë, e në mos këtë, së paku joligësinë. Këtyre njerëzve mund t’u hysh në hak. Në mirëbesim edhe mund t’u “hash në kandar”, duke ua shitur “pambukun qullë”, por dije se herët a vonë, të njëjtin mall ata do ta rishesin po ty, duke ta “tharë në kandar”. Në kandarin e së drejtës, mashtruesit dhe demagogut i del boja kudo dhe nuk duhet domosdo të jesh nga një qytet si ky. Kurdoherë borxhi i votës është borxh besimi dhe, ashtu si fjala e dhënë, është si zhgualli mbi shpinën e breshkës, asaj krijese jo fluturake, realiste dhe me këmbë në tokë. Pa zhguall breshka ngordh, ashtu si qytetari, politikani dhe qeveritari pa taban. Më shpejt duhet ecur!

Dy pare muhabet

Sa më sipër ishte filozofia e një bisede me dy njerëz të këtij qyteti, vendalinj të hershëm. Ata jetojnë në këtë qytet jo për mungesë zgjedhjeje, por sepse ndjesinë e përkatësisë, të respektit dhe njerëzillëkut nuk e kanë gjetur dhe as e kanë kërkuar diku tjetër. Të vëmendshëm për çdo zhvillim në këtë qytet, ata janë të gatshëm të mbrojnë me xhelozi çdo arritje, pavarësisht emrit apo asaj çka përfaqëson personi në krye të punëve. Dikur, me parti a pa parti, për ta kjo nuk kishte rëndësi. Edhe sot e njëjta gjë. Ata janë aty, pavarësisht se kush shkon dhe vjen. Larguar prej shumë kohësh, jam mësuar që këtë qytet ta shoh përmes tyre. Me sytë e tyre shoh gjithkënd që kërkon edhe të marrë nga, por edhe të japë për këtë qytet. Me mendjen e tyre vlerësoj të sotmen, sikurse me zemrën e tyre mbaj shpresë tek e ardhmja, sepse shqetësimi i tyre të bën të ndihesh në borxh ndaj qytetit, një borxh si zhguall mbi shpinë dhe shpirt, faqe dhe sy, dëgjim e shikim, mendim dhe veprim. Jam i bindur se nuk jam i vetëm në këtë ndjesi.

Ujë i ftohtë

 “Edhe ti mund të kishe bërë diçka për qytetin tënd, në mos i vetëm, me shokët apo ish-miqtë e tu të kahershëm, që kanë qenë dhe janë dikush. Por juve s’ju bie mendja për njëri-tjetrin e jo më për qytetin!” As gëk, as mëk: “Ore, po çfarë keni që nuk vini në Tiranë? Kush nuk ka mbetur pa ardhur, kurse ju ngelët atje”, rrekesh t‘u bishtnosh. “Të ishte për të ardhur, nuk kishim pritur këtë ditë, por edhe ju që keni nga 30-40 vjet në Tiranë, nëse në familje keni thithur ajrin dhe pirë ujin e vendlindjes, një ditë do të riktheheni”. Si terjaqi kafeje, vazhdon: “Bëftë hajër çuni i Azemit, nuk ka lënë rrugicë të qytetit pa vënë dorë. Edhe të rinjtë po mendon si e si t’i punësojë këtu apo kudo qoftë, ku krijon lidhje me jashtë. Fukaranë e shikon, gjithashtu. Bravo, e ke inat, jepi hakun! Këtu kemi qenë edhe ne dikur dhe më shumë duhet të kishim bërë!” Nga këtu hidhet te shpresa për kandidatin e ri për deputet, Paridin, siç e quan “djalin e Kujtimit” nga fisi i gjerë i Carajve. “Vetëm kaq llogarit: duke qenë mirë e bukur, me mall dhe pasuri atje në Itali, ai djalë rikthehet këtu. Vjen këtu se e do këtë qytet, i do këta njerëz, shumë prej të cilëve u ka bërë konak dhe gjetur punë edhe atje, ku rinia ka marrë rrugët e kurbetit”. Kalon përsëri tek Elvisi: “Shko shikoje si e ka shtruar rrugën e varrezave! E kish takuar ime shoqe një ditë dhe e kish falënderuar. Shikoje si i taplladisi me strehim edhe romët, vel-e-zel me rrënjë në diell për punë shtëpie dhe ekonomie, se sa për muzikë dhe artizanat janë mjeshtër. Dëgjo këtu, ky qytet dhe këta njerëz që të gjenden në të mirë dhe në të keq si askund tjetër, nuk kanë nevojë për fjalë. As edhe për tituj dhe diploma të mëdha. Ky qytet dëshiron të shohë njeriun e punës, atë që kujdeset për çdo pemë, rrugicë, trotuar, si për zengjinin, ashtu dhe fukaranë. Një zë aktiv duhet edhe në Parlament, domosdo! Njerëzit dinë të jenë mirënjohës aq hollë, sa nuk ta merr mendja. Sot e kësaj dite ata e mbajnë mend Alfred Moisiun, jo vetëm si President, por edhe si komandant brigade, kur falë “ushtarëve të tij” dhe mjeteve të SMT-së u ndërtua stadiumi. Kështu mbahet mend kushdo tjetër, qoftë edhe për një fjalë të mirë apo “votë pro” ndërtimit të fabrikës së qelqit, letrës, uzinës së gozhdë-bulonave. Ne krenohemi me autoritetin e muzikës kombëtare Mustafa Krantja apo të famshmin Doktor Cara, i cili nuk e harroi kurrë qytetin e tij, ndonëse i vendosur kaherë në Vjenë. Ky qytet e ndan hollë edhe të mirën, edhe të keqen. Ne mor bir, jemi njerëz që nuk besojmë kollaj, por po të besuam, i qëndrojmë aq shumë fjalës, sa tjetri mund të na hajë edhe kokën. Ashtu siç kemi kult respektin ndaj të vdekurit, ashtu siç gëzojmë me shpirt për dasmën e tjetrit, ashtu dimë edhe të ta japim “vezën pa të kuq”, nëse ndiejmë lagështirën e hilesë. Qofsh kush qofsh, sado lart qofsh! Mikun e vendosim në krye, sikundër parllëkun e mbajmë vetë, sepse më të mençur se veten, vështirë se bëjmë ndokënd, përfshirë edhe mikun më të mirë. Nuk e di, nëse kjo mund të quhet e metë, por të paktën kaq kam mësuar unë gjatë 80 e kusur viteve të mia në këtë qytet, i cili më ka lindur, rritur dhe plakur. Edhe diçka: veç futbollit dhe këngës, libri dhe mësimi i gjuhëve të huaja ka qenë një hob i veçantë i njerëzve të këtushëm. Prej këndej nga Tirana, ju mund t’i këndoni edhe avllisë, kullë-sahatit, harqeve mesjetare të xhamisë së Kavajës, sikundër rërës dhe pishave të buta të Malit të Robit apo plazhit të Golemit. Tiranën time unë e kam gjetur në Kavajë, sikurse ju Kavajën tuaj, gjejeni në Tiranë! Për ta lidhur muhabetin, çdo bir i këtij qyteti bën mirë t‘u kthehet e rikthehet halleve të atyre njerëzve fisnikë. Jo vetëm kur ia do puna për ca vota, por me shpirt dhe për të bërë jo mrekullinë, thjesht dhe vetëm atë që merr përsipër. Heroizmi më i madh sot, qenka të bësh punën tënde!

Faturë veresie

 “Njerëzit nuk janë keq as për parulla, as tabela, as për premtime të mëdha. Marrja e një mandati është borxh për t’i hapur punë vetes në shërbim të njerëzve. Ka kohë që deputetët nuk e shlyejnë këtë borxh dhe përulësia është vetëm për njeriun me skrupull dhe të përgjegjshëm, sikurse krekosjet, qejfet dhe dallaveret janë për laramanin, kopukun, hajdutin dhe dallkaukun. Ne shohim që Elvisi i ka hyrë me zemër punës për këtë qytet. Djali tjetër, Parid Cara, urojmë që ta ndjekë, duke mbështetur njëri-tjetrin, njerëzit dhe qytetin. Është ende herët për t’iu ‘rrahur krahët’, por duhen besuar dhe mbështetur, sepse janë djem të rinj, janë djemtë tanë. Së paku, nuk na e marrin për ters edhe nëse ua hedhim ndonjë fjalë, me dhe pa të drejtë, si popull, si qytetar, si votues, si besues. Sepse besimi është borxh, një borxh që rëndon e të shoqëron si zhguall. Kurdo, mbi çdo parti e lider, këtu e gjithkund!” Kështu foli inxhinieri i vjetër…

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/05/08/besimi-si-borxh-dhe-borxhi-si-zhguall/