Nga KLODJANA HAXHIAJ

Arrestimet e bujshme të bandës së Habiljave, gjykimi i tyre në Itali, zërat se ata janë ndihmuar nga ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri, prerja e fletë-arresteve për ish-zyrtarët më të lartë të policisë në Vlorë, tonelatat e kapura çdo ditë në brigjet italiane e në Shqipëri me drogë, kanë bërë që të gjithë qytetarët e thjeshtë shqiptarë të kthehen në delen e zezë të Europës e aq më shumë Italisë që na ka kaq afër.

Zullumet që kanë bërë e bëjnë bandat, grupet kriminale, zullumet që bëjnë politikanët e gjyqtarët, ato që bëjnë politikanët së bashku, po i paguajnë me çmimin e përbuzjes, përuljes, të zbythjes e të racizmit qytetarët e thjeshtë shqiptarë, sapo shkelin në tokën italiane.

Kur fluturimi nga Tirana u mbyll në Bergamo, pasagjerët e mbërritur nga Shqipëria hynë në në terminal të aeroportit, ku priteshin fillimisht nga forcat e ushtrisë të vëna në gadishmëri, e në prani të shtuar të karabinierisë italiane.

Kontrolle të imtësishme është normale që të bëhen ndaj të gjithë pasagjerëve që hyjnë e dalin në aeroporte, e aq më shumë në shtetin Italian i cili ka rregulla të prera në këtë drejtim.

Në rresht për dy pa bërë zë, derisa sa heshtjen e çante e qara e ndonjë foshnjeje, të gjithë pasagjerët  e flurimit të Tiranës i nënshtroheshin kontrolleve të rrepta në Bergamo.

Kontrolle të rrepta ushtroheshin tek të gjithë, por veçanërisht për të moshuarit që u zhveshën “lakuriq” përballë karabinierëve, dhe bashkëkombasve të tyre në të ftohtin e këtij nëntori. Deri në rrobat e holla të trupit pleqtë e plakat kontrolloheshin nëse kishin fshehur apo jo drogë .

Pasi hoqën xhupat, palltot, shallët, shamitë, këpucët, sendet e tjera rripa e ora, tek të moshuarit kontrolli ishte i imtësishëm. As nuk ofshanin dot se mbetën lakuriq në aeroport, para se të shkojnë tek fëmijët e tyre në Itali.

Kur hoqën këpucët, çorapet dhe veshjet, askush nuk di të thotë se çfarë u thye brenda zemrës së nënave shqiptare, para karabinierëve italianë.

Askush nuk e pa që të thotë se çfarë kanë ndjerë në ato momente apo çfarë filli krenarie u këput brenda tyre, ndërsa tërheqin këmbët zvarrë lakuriq në pllakat e ftohta, ku në kovat plastike lanë veshjet e këpucët e tyre deri sa të kalojnë traun e sinjalit se ata rezultojnë të pastër.

Në atë moshë që janë për prindërit tanë, ti shohësh zbathur është aq e dhimbshme. Ato ofshanë e ashtu nuk nxorën zë, por brenda tyre "helm" e ndjenë shpirtin se mikëpritja në shtetin fqinj nuk ishte më e tillë, ndërsa shpërfillja është prezente.

Karabinierët italianë kanë të gjthë të drejtën që ju jep ligji të bëjnë kontrolle të imtësishme tek të gjithë ata që hyjnë në vendin e tyre. Por fakti se në epiqendër të këtyre kontrolleve janë të moshuarit të lë përshtypjen se bandat e krimit po shfrytëzojnë pikërisht pleqtë e plakat për të transportuar lëndë narkotike.

Policia mund të  ketë patur informacione se të moshuarit mund të transportonin drogë. Megjithatë asnjë prej të moshuarve nuk rezultoi i dyshuar sepse me trafik e me punë të pista merren ata që i mbron shteti.

Në shtetin italian shkojnë të gjithë pa përjashtim, prindërit e të gjithëve. Shumë shqiptarë shkojnë edhe për turizëm disa ditor, vizitojnë vendet e qytetet historike. Por dhe pse në Itali shqiptarët shkojnë për turizëm, shpenzojnë para që prej biletës së avionit të cilat janë po kompani italiane, prej ushqimit e fjetjes për disa ditë qëndrimi, dhe deri në qindarkën e fundit në qendrat tregtare, prapë shqiptarët e ndershëm mbeten sërish shqiptarë!

Të moshuarit po mbeten lakuriq në aeroporte, sepse një grusht “horrash” që kanë marrë peng këtë vend dhe që i kanë nxjerrë namin e zi këtij vendi, janë bërë ambasadorë të së keqes në botë. Ambasadorët e së keqes po shtohen për aq kohë sa mbështeten nga poltikanët.

Ata që gjithmonë do ta vuajnë janë shqiptarët e thjeshtë që nuk do të munden kurrë me dinjitet të hyjnë në vendet europiane.

Gjithmonë delja e zezë e Europës, shqiptarët e 2017!