Nga Nikollaq Neranxi

Mbrëmë, Kryeministri Edi Rama ka mbledhur rreth 200 biznesmenë VIP, për t’u bërë thirrje për një nismë të përbashkët, për të rregulluar imazhin e tyre. Rama ka treguar shqetësimin e tij se në opinionin publik po rritet një frymë agresive kundrejt biznesmenit të madh, që rëndom i quajnë oligarkë. Ai iu bëri me dije se ndaj tyre po bëhen thirrje që t’iu digjen ndërmarrjet, bankat, që do t’u turren vilave të tyre. Prandaj, sipas Ramës, që të rregullohet ky imazh, ata duhet të japin 2% të dividendit, si një fond solidariteti, për të qetësuar turmat, të cilat kanë alergji dhe urrejtje ndaj tyre.

Si fillim dua t’ju bëj me dije, që edhe pse kam një biznes Vip, nuk isha i ftuar në atë takim nga Rama. Jam i lumtur për këtë fakt, sepse nuk dua të jem spektator i talljeve të Kryeministrit. Por, nga ana tjetër, nuk e fsheh faktin se ky do kishte qenë një rast i mirë, për t’ua thënë në sy atë që mendoj dhe që e meritojnë të gjithë ata që ishin aty prezentë. Nëse do isha përballë Edi Ramës, do t’i thosha: Bravo të qoftë! Bizneset, të cilët pranuan të bëhen kliente të pushtetit për të rritur fitimet e tyre në mënyrë të padrejtë, të kanë borxh jo vetëm 2% të dividendit, por çfarë të të teket ty.

Janë këto biznese, të cilat asnjëherë nuk menduan sesi të respektojnë rregullat e ekonomisë së tregut, të konkurrencës së ndershme, të jenë të pavarur nga çdolloj pushteti dhe të luftojnë me ndershmëri për të qenë më të mirët dhe më të suksesshmit në treg. Janë këta biznesmenë, të cilëve unë iu kërkova rreth 4 vite më parë që të bashkoheshim për të kundërshtuar në Gjykatë Kushtetuese ligjin e supergjobave dhe ata nuk pranuan. Ai ligj u hodh poshtë nga padia e Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve, që drejtohet prej meje. Ata nuk pranuan të bashkoheshin në luftën kundër taksave dhe tarifave të larta, të cilat të gjithë e dimë se janë të papërballueshme nëse nuk gjen rrugë të paligjshme për të fituar.

Janë këta biznesmenë, të cilët nuk u ngritën asnjëherë për çmimet e karburantit, energjisë elektrike, ujit, gazit, të cilat për biznesin janë më të lartat në Europë. Janë këta biznesmenë, që nuk u ngritën kundër grabitjes së pronave, por disa prej tyre, madje, përfituan nga kjo vjedhje. Këta biznesmenë, të cilët, tani, me urdhër të Ramës, iu duhet të bëhen zemërdhembshur, nuk i pashë të reagojnë kur fëmijët e Shkozës qanin dhe ulërinin sepse pushteti i Edi Ramës i la pa shtëpi dhe i hodhi në rrugë. Nuk i pashë të reagonin për banorët e Unazës së Re dhe t’i propozonin një zgjidhje Ramës, kur fëmijët e lemerisur dhe të rraskapitur nga protestat e përditshme mbanin pankarta në duar: “Xhaxhi Edi Rama mos na i prish shtëpitë!”.

Por jo, beniaminët e Ramës zgjodhën rrugën e informalitetit dhe korrupsionit, duke bërë sikur asgjë e keqe nuk po ndodh në këtë vend dhe i madhi nuk duhet kundërshtuar për asgjë. Prandaj, sot nuk kanë rrugë tjetër, veçse të rrinë të tulatur, sepse e dinë që ia kanë borxh kryeministrit çdo gjë që ai do t’u kërkojë. Sa për fondin e solidaritetit, e bëj me dije Kryeministrin, se si qytetarë të përgjegjshëm të këtij vendi, nuk kemi pritur urdhër prej tij për të qenë solidarë dhe humanë. Kompania “Neranxi” ka vite që jep me qindra bursa për të rinj, që ata të diplomohen në Institutin Kulinar Neranxi, sepse prindërit e tyre Rama i ka lënë në mjerim. Ne kemi vite që punësojmë individë me aftësi ndryshe dhe i trajtojmë ata me dashurinë dhe përkushtimin, të cilat shteti nuk ua dha kurrë.

Ne kemi vite që bëjmë shumë vepra humanitare, të cilat as nuk kemi dashur t’i bëjmë publike. Sepse elitë. Dhe pyetja që bëhet rëndom është: Jemi vonë, apo mirëfilli e meritojmë këtë Kryeministër mendjemadh, të cilit pa kuptuar po i boshatiset kafka nga neuronet e pakta racionale, shpesh aspak interesante, por po kaq shpesh të domosdoshme, që duhet të ketë një shtetar? Pse është nervoz Kryeministri? Ka lepur pas ferrës? Çfarë “Fati”, kemi një interpretues të mirë, gënjeshtrathënës të dorës së parë dhe presim që arka e shtetit dhe punët e qeverisjes të bëjnë përpara. Mjerisht dhe fatmirësisht, shqiptarët e kanë kuptuar këtë, bëjnë gati valixhet e tyre apo të fëmijëve të tyre dhe ikin e largohen. Shpesh, pa kthim.

Ndërkohë që Kryeministri flet e flet. E përsëri, flet e flet. 360gradë dy janë rrugët që do zgjedhësh në jetë; ose të jesh një njeri që pranon vasalitetin për dy lekë më shumë dhe kjo racë biznesmenësh, pa dyshim që nuk e njeh solidaritetin dhe hallin e tjetrit, ose do të zgjedhësh të jesh një qytetar i përgjegjshëm në çdo aspekt të jetës, që nga pagesat e detyrimeve në shtet, në cilësinë e produktit dhe shërbimit dhe deri te humanizmi ndaj shoqërisë. Realisht, i mëshiroj ata ushtarë të mjerë, të cilët Rama dje i vuri në rresht si njerëzit më të pavlerë të këtij vendi, duke i urdhëruar për gjobën e radhës. Së fundi, nëse kjo çmenduri e Ramës do bëhet ligj, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë me kryetar Nikollaq Neranxin, do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese si një ligj antikushtetues. Nga ana tjetër, nxisim dhe inkurajojmë drejtësinë e re që po krijohet, që të bëjë veting në sipërmarrjet e mëdha, si një detyrim ndaj shoqërisë, e cila ka 30 vite që është marrë peng nga njerëzit e korruptuar në biznes, politikë dhe drejtësi.