Çfarë dreqin nuk shkon në këtë vend që jemi katandisur kështu?

30/10/2019 - 21:43

Nga Mentor Kikia

Në Lushnje fshatarët dolën sërish në protestë sot. Hodhën domatet rrugëve. Ashtu siç kishin hedhur më parë qumështin, shalqinjtë...
Ata kanë falimentuar dhe kërkojnë ndihmë nga shteti. Ata punojnë, prodhojnë, por nuk shesin dot dhe ngrejnë duart nga qielli. Kështu kanë falimentuar edhe ata që mbjellin duhan, edhe ata që mbjellin mollë, qepë e patate.

Por çfarë mund të bëjë shteti për ta? Në një ekonomi tregu, rregullat janë të qarta: prodho-shit-fito. Por bujqësia nuk i nënshtrohet ligjeve të “rrepta” të tregut. Ndaj është shpikur subvencioni si mënyrë që shteti ta mbështese këtë sektor delikat, që siç i thonë, është shtëpi pa çati.

Nuk dua të bërtas tani e të them se shteti duhet t'ua blejë domatet fshatareve që nuk i shesin dot në treg. Por edhe nuk dua të hesht kur shikoj që çdo vit, gjithnjë e më shumë toka mbeten djerrë si pasojë e falimentimit të fshatarëve.

Unë nuk jam ekonomist dhe nuk do të dua të bëj gabime. Por thjesht dua të pyes: Çfarë politikash ndjekin fqinjtë tanë, në Maqedoni (nuk po shkoj në Greqi), ku ai që prodhon duhan, e shet dhe jeton jo keq. Ai që prodhon mollë, rrush, domate e speca, i shet dhe jeton jo keq. Ai që prodhon qumësht dhe djathë, sërish i shet dhe jeton jo keq. Çfarë dreqin nuk shkon këtu, që njerëzia rropaten arave duke punuar natë e ditë e dalin në rrugë me fytyra të rreshkuar duke derdhur qumështin e duke hedhur prodhimet.

A ka ndonjë specialist ekonomie a bujqësie që mund ta na jape një përgjigje?

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori