Nga Armand Shkullaku

Këtë herë, Sali Berisha nuk mund të fliste pa prodhuar një lajm. Një lajm të dukshëm dhe të bujshëm, siç ishte ai që kapën në ajër antenat mediatike, se Doktori më në fund goditi Lulzim Bashën.

Në pamje të parë dukej se kryetari historik i demokratëve zyrtarizoi, pas heshtjes sfilitëse, të gjitha hamendësimet dhe komentet që vërtiteshin rreth idesë se Berisha ishte i pakënaqur me Bashën, por nuk fliste për të mos ndikuar. Se ai ishte i dëshpëruar me listën, i lënduar për bashkëpunëtorët e tij të ekzekutuar politikisht, i prekur për mospërfilljen dhe kokëulur për tkurrjen e partisë së tij në një tespihe me 43 kokrra. Dhe, pas dy muajve e gjysmë, Berisha i dha fund misterit dhe vërtetoi me zë dhe figurë atë që prisnin të dëgjonin mijëra demokratë të zhgënjyer.

Po, ai, ish-lideri maksimal, nuk ka qenë dakort me veprimet e Bashës. Se ai nuk do t’i largonte kurrë nga PD, figurat historike që kanë investuar në të. Lista nuk ishte as e tij dhe as e PD dhe pasardhësi i tij u tregua i paaftë të përballonte Edi Ramën në fushatë. Ky i fundit përfitoi nga marrëveshja, duke e paraqitur atë “si një mëshirë për një djalë të mirë si Lulzim Basha”, tha Sali Berisha.

Por lajmi i intervistës së Berishës tek Çim Peka, nuk ishte thjesht sinkronizimi i Doktorit me demokratët e zhgënjyer duke pranuar të vërtetat e dështimit të Bashës. Mes të gjitha rreshtave dhe midis fjalëve të tij dallohej qartë një shqetësim shumë më i madh. Ai i ndarjes përfundimtare, pa kthim, të Partisë Demokratike. Dhe këtu, Sali Berisha e trajtoi Lulzim Bashën, njësoj sikur tha për Ramën, me mëshirën ndaj një djali të mirë.

Mesazhi i Doktorit ngrinte kokë nga fillimi e deri në fund të intervistës, me tonet gati të përulura të një ati, se nuk duhet braktisur PD për shkak të Lulzim Bashës. Ky i fundit ka bërë gabime, madje akte të rënda, por edhe këtë herë, për hir të historisë dhe të ardhmes së partisë, duhet toleruar. Se ata që u nxorën jashtë PD, duhet t’i qëndrojnë investimit të tyre dhe të mos investojnë diku tjetër, pra në një parti të re se ja ku e kanë përpara shembullin e Blushit. Figurat historike të PD janë vlera në politikë, por mund t’i sigurojnë këto vlera vetëm brenda saj. “Një nga njerëzit më me eksperiencë, por dhe të mençur në politikë është Ben Blushi, ku përfundoi?”, tha Berisha si paralajmërim për ish-bashkëpunëtorët e tij që mund të nisin një lëvizje të re politike. E gjithë intervista ishte një thirrje ndaj tyre për të mos e hedhur hapin final të ndarjes, sepse edhe ai vetë mendon si ata, është me ata, i dënon veprimet e Bashës njësoj si ata, por në emër të investimit të përbashkët duhet negociuar me tolerancë me “djalin e mirë” që është në krye të PD.

Po përse kjo kërkesë, gati lutje e atit themelues të PD, tani kur gjithçka duket e parikuperueshme? Berisha ndoshta ka menduar se pas rizgjedhjes së Lulzim Bashës më 22 korrik, cunami kundër tij do vinte duke u qetësuar, kundërshtarët në parti do të tërhiqeshin të pashpresë dhe vëmendja do të zhvendosej në përballjen e opozitës me qeverinë. Sigurisht ka qenë një iluzion i shkurtër. Skandali në votimin për Gramoz Ruçin, paraqitja për të ardhur keq e disa deputetëve në ballafaqimin me programin e qeverisë dhe vazhdimi i strategjisë së Ramës për ta trajtuar kreun e opozitës si një “djalë të mirë” me të cilin merret vesh kurdo, kanë qenë këmbana të forta për ta shkundur Berishën nga iluzioni. Kjo PD nuk do të mund të prodhojë lajm dhe, më keq akoma, mund të mos merret seriozisht si opozitë. Lajm do vazhdojë të mbetet ajo çfarë do të ndodhë brenda saj.

Po t’i shtosh këtij shqetësimi edhe këmbënguljen e kundërshtarëve të Bashës për të vazhduar rrugëtimin e tyre politik, gjërat bëhen fare të qarta për një politikan me përvojë si Sali Berisha. Ai është i bindur se krijimi i një partie të re, që në zgjedhjet lokale të 2019-s, do ta asgjësonte PD politikisht. Edhe ato pak vota që i kanë mbetur, do të ndaheshin përsëri, duke e shndërruar Ramën në një lider të gjithëpushtetshëm.

Prandaj Berisha u lutet ish-bashkëpunëtorëve të tij të mbeten tek investimi i tyre. Por është shumë vonë në kohë që lutjet të bëjnë punë. Sali Berisha ose duhet të gjejë mekanizmin që investimi për të cilin flet të përfaqësohet në “pronësinë” e PD ose përndryshe duhet t’i lerë “djemtë e tij të shkojnë”. Këta të fundit nuk kanë rrugë tjetër. Vetëm një parti e re, do të ishte imponimi politikisht korrekt, për të rimarrë atë që u takon nga investimi i tyre në Partinë Demokratike. Doktori duhet të lirojë tespihet dhe t’i hedhë secilit kokrrën e tij të fatit, përfshi edhe Lulzim Bashën. /Mapo/