Cila do të jetë e ardhmja e Durrësit?

15/05/2011 - 00:00

Durrësi e bëri zgjedhjen e tij elektorale dhe e bëri shumë të vendosur. Nga rikonfirmimi i një administrimi urban del profili i një qyteti të lumtur për atë që ka dhe për mënyrën e tij të jetesës, një qytet i cili nuk kërkon më shumë por preferon linjën e qetë të vazhdimësisë. Mund të gabohem, por besoj se qytetarët e Durrësit të cilët kanë rizgjedhur kryetarin e bashkisë Vangjush Dako ndahen në tre kategori.

Në kategorinë e parë bëjnë pjesë ata simpatizantë të PS që kanë votuar në bazë të “efektit referendum”, domethënë mekanizmi – krijuar nga media dhe nga ekspertët e komunikimit masiv – që zhvendos vëmendjen e votuesve nga programet e partive drejt personit të shefit të qeverisë. Në rastin e këtyre zgjedhjeve lokale, zgjedhja e kryetarëve të bashkive të qyteteve shqiptare u transformua në një referendum pro ose kundër personit të kryeministrit Sali Berisha. Pra, më 8 maj, një pjesë e qytetarëve të Durrësit kanë votuar në mënyrë referendare kundër kryeministrit.

Kategorisë së dytë i përkasin ata qytetarë – sidomos të lagjeve periferike apo të lagjeve formuar nga pallate të epokës komuniste – sinqerisht të kënaqur nga sistemimi i rrugëve, trotuareve dhe nga mbjellja e ndonjë peme, që do të duhen shumë vjet para se të arrijnë një dinjitet të vërtetë vegjetal. Nga ana tjetër, e kuptoj se, për shumë njerëz, këto gjëra të vogla mund të duken si arritje të mëdha. Të njëjtit grup i përkasin edhe “shpresimtarët”, njerëz që kanë lexuar programet e aleancës së majtë dhe besojnë thellësisht në zhvillimin turistik të Durrësit dhe në tërheqjen magjike që “infrastrukturat” (si një port turistik) do të ushtrojnë mbi shijet estetike të të huajve.

Kategoria e tretë përfshin një minorancë individësh të motivuar nga interesa të forta ekonomike personale, domethënë elita urbane e lidhur me ambjentin e ndërtimit. Nuk përjashtoj as edhe që në këtë grup mund të vihen shumë qytetarë të thjeshtë që konsiderojnë ndërtimet si burimi i vetëm i fitimeve të tyre, nga muratorët tek idraulikët, deri kush ka dyqan artikujsh shtëpiak, mobiljesh, hidrosanitaresh dhe aktivitete të mëdha për shitjen e materialeve ndërtimore. Durrësi është mësuar, në dymbëdhjetë vitet e fundit, të jetojë mbi aktivitetin ndërtimor dhe t'a trajtojë jo si një fenomen tranzitor të lidhur me një zhvillim ekonomik të momentit, por si një gjë që mund dhe duhet të vazhdojë në përjetësi. Nga ana tjetër, në mungesë të alternativave konkrete produktive, industriale, logjistike dhe tregtare, nuk mund t'i vihet faj atij që shikon tek ndërtimi dhe derivatet e tij të vetmen mënyrë për të arritur në fund të muajit.

Gjithmonë e më shumë lagje-fjetore?

Ndoshta e ardhmja rezervon mrekulli të pashpresuara dhe do të hapë perspektiva zhvillimi që për momentin duken të parealizueshme. Por frika ime është se Durrësi ka, përkundrazi, tendencë të dorëzohet, madje, të vetë-zgjidhet si periferi e Tiranës, si lagje-fjetore e një qendre-qyteti që nuk është Sheshi Liria por Sheshi Skënderbej. Janë të gjithë shenjat: nga tepria e ndërtimeve me kosto të ulët tek mungesa e aktiviteteve prodhuese, nga prezenca e qendrave tregtare brenda qytetit (ndërsa, në gjithë botën, janë të vendosur në zonat e degraduara jashtë qendrave urbane) deri tek mos prania totale e çdo forme grumbullimi social.

Ja përkufizimi i “periferisë” i dhënë nga administrata bashkiake e Torinos në vitet Shtatëdhjetë, kur po lindnin lagjet e mëdha për punëtorët e FIAT: “Në lagjet-fjetore tipike, banorët konsiderojnë shtëpinë qendrën e interesave vetjake; argëtimet eventuale kërkohen larg nga lagjia; i vetmi grup social është familja dhe kjo shkakton vështirësinë e organizimit të aktiviteteve kulturore dhe ndarjen e lagjes në bërthama dhe sektorë rreptësisht të veçuar ndërmjet tyre”. Më kujton shumë sjelljen sociale të Durrësit. Në periferitë e qyteteve të mëdha italiane njerëzit ankohen për të njëjtat gjëra: “mungon jeta”; “natën ka vetëm një heshtje të ankthshme”; “kur niveli i tyre ekonomik e kulturor do të rritet, të rinjtë do të shkojnë në vende më të gjalla; do të mbesin vetëm pleqtë, që një ditë do të vdesin; dhe kështu do të ketë vetëm pallate bosh për t'u shembur”. Kam frikë se, në të ardhmen, do të dëgjohen të njëjtat gjëra edhe në Durrës.

Në të kundërt, përkufizimi i qendër-qytet është “zemra jetësore e zonës urbane; me një shërbim të mirë transporti publik dhe e karakterizuar nga ndërtim me kosto të lartë, e kapshme vetëm nga klasa e borgjezisë së lartë; i vetmi vend që arrin të mobilizojë një seri sjelljesh kolektive moderne, të hapura dhe antikonformiste; përveç selisë së pushtetit politik e ekonomik, është vend i tregtisë së kualifikuar, i manifestimeve kulturore dhe i argëtimeve, pra polarizon njerëzit me banim në zonat periferike”. Mund të thuhet kjo për Durrësin? A ka Durrësi një qendër-qyteti që ka një efekt të tillë mbi banorët? Apo kjo është përshkrimi i qendrës së Tiranës, që në fakt tërheq durrsakët të etur për argëtim dhe për t'u arratisur nga mërzia e periferisë detare?

Strategji për rrugëdalje e rikualifikim

Sot, jo vetëm në Itali por edhe në gjithë Europën post-industriale, administratorët urbanë qajnë mbi gabimet e të shkuarës e mbi krijimin e periferive të shëmtuara e të padobishme. Në vitet Gjashtëdhjetë – gjatë fazave të industrializimit dhe dyndjes konsekuente për në qytet – lindën modele të reja arkitekture eksperimentale që shkaktuan, sipas vetë urbanistëve, “monstra”, me rezultatin e një varfërie ekstreme morfologjike dhe estetike në ndërtimin dhe në planifikimin urban. Derisa ekonomia shkonte mirë, nuk kanë qenë ndjerë as mungesa e shërbimeve, as johomogjeniteti, deformimi e shkretimi i periferive. Por kur industria dhe ekonomia u bllokuan, në fund të viteve Tetëdhjetë, u rrit protesta kundër administratorëve të paaftë e të korruptuar dhe arkitektëve tradhëtarë të artit të tyre, të akuzuar se i ishin bindur ligjeve të tregut, të interesuar për sasinë – që plotësonte nevojat për punë dhe dëshirën për të marrë fitimin maksimal – dhe jo për cilësinë. Nëse, një herë, kush jetonte në zonat rurale kënaqej se në qytet kishte pallate të mëdha, sepse në to reflektohej qytetëria dhe sensi i pjesëmarrjes në komunitet urban, sot askush nuk e njeh veten në ato. Në njëzet vitet e fundit u panë karakteret negative të periferive, mungesa e aktiviteteve social-kulturore dhe humbja konsekuente e identitetit, çekuilibrimi i dhunshëm i raportit me peisazhin.

Do doja të gabohesha, por kam frikë se Durrësi ndodhet pikërisht në këtë situatë, me dallimin se njerëzit nuk janë akoma “në kryengritje” dhe administratorët nuk janë penduar akoma. Pra do të ishte më mirë të merreshin masat para se shijet dhe nevojat e popullsisë të ndryshojnë. Nga Europa vijnë shumë modele për rikualifikimin e periferive urbane, nga ato të dështuara italiane në ato më efikase të Gjermanisë e të Britanisë. Në Itali, administratorët kokëtrashë vazhdojnë të provojnë për zgjidhjen e problemit duke i dhënë si shtojcë banorëve të lagjeve-fjetore, me premtime të tipit “do të kryejmë politika për mbështetjen e familjeve dhe do t'i kushtojmë më shumë vëmendje sipërfaqeve të gjelbra, ndriçimit publik, trotuareve dhe asfaltimit”. Ja, kjo është ndërhyrja tipike “arnë” e padobishme, për të mbajtur njerëzit urtë e butë në getot e tyre, në vend që t'i shtysh të dalin, të jetojnë e të vënë në lëvizje ekonominë.

Në të kundërt, rikualifikimet gjermane dhe britanike kanë sjellur rezultate më të mira, duke i rikthyer dinjitet dhe tërheqëse edhe ish lagjeve-fjetore. Zonat e braktisura industriale – për shembull fabrikat e vjetra dhe kapanonet – kanë qenë një okazion për rikualifikimin e periferive, duke u transformuar në lokale, restorante, diskoteka dhe pika grumbullimi social. Dhe ekzistenca e jetës së natës dhe sociale ka thithur një tipologji banorësh të rinj e të gjallëruar, nga klasa e mesme tek intelektualët alternativë dhe tek artistët. Pra, me materien sociale të përshtatshme, rikualifikimi i lagjeve-fjetore mund të funksionojë pa dyshim. Por a është Durrësi gati për këtë lloj ndryshimi? A e dëshirojnë banorët e tij? Apo ndoshta, në emër të relativizmit kulturor, kanë një mentalitet dhe nevoja të ndryshme në krahasim me banorët e periferive të tjera të Europës? 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: