Çorba e Edi Ramës që rrezikon të derdhet

01/06/2019 - 20:58

PS hapi sot zyrtarisht fushatën elektorale, ndërsa populli i opozitës së bashkuar pritet të derdhet nesër në sheshin para kryeministrisë për të përsëritur thirrjen: Rama ik.

Si për ironi të fatit, Rama e kishte përvetësuar sot edhe këtë thirrje duke e modifikuar në formën Rama ik përpara! Është po ky kryeministër që dy vite më parë nuk nguronte gjatë fushatës zgjedhore të ngrinte dy gishtat lart, simboli shumëvjeçar i demokratëve. E kjo ndodhte pas marrëveshjes së 17 majit, marrëveshje e cila edhe sot vazhdon t’i rëndojë mbi supe Lulzim Bashës, që në çdo takim me ndjekësit e tij shprehet prerë se nuk do të ketë më marrëveshje në kurriz të shqiptarëve.

Para se t’i drejtohej mbështetasve të tij të flaktë nga Parku Olimpik i Tiranës, Rama gjeti kohë mëngjesin e sotëm të shkruante letrën e tij të 7-të publike, këtë herë drejtuar demokratëve, e jo Lulit.

Këto letra të shkruara në stilin e Tatjanës që i lutej Oneginit t’i falte dashuri, ekspozojnë dëshirën e madhe të kryeministrit për t’u njohur nga opozita rrugore dhe populli që e ndjek atë si kreu i ligjshëm i qeverisë. I asaj qeverie që përveçse nuk garanton të drejta për demokratët e opozitarët, nuk identifikohet as me socialistët, sepse ata s’kanë votuar për të përzgjedhurit e Ramës në kabinet.

Tatjana e Pushkinit shkroi një letër dhe hyri në histori, Rama ndoshta do të hyjë në histori si kryeministri që kur nuk qeveriste dot më, nisi të shkruajë letra. Deri tani kemi arritur në numrin 7, por nuk dihet ende kur do të ndalet, pasi deri më 30 qershor ka një muaj kohë. Nëse do të kishte jetuar në kohën kur pjesa më e madhe e njerëzve ishin analfabet dhe i drejtoheshin letërshkruesve publikë, Rama do ishte bërë i pasur duke shfrytëzuar talentin e penës së tij e jo duke shpërdoruar çdo pasuri publike të këtij vendi.

Në harkun kohor të një jave, tre shkrime në media kanë denoncuar 3 afera të forta korruptive; koncesionin 260 milion euro për autostradën Milot-Balldren, 216 kontrata sekrete dhe 5500 euro një pishë në autostradën Tiranë-Durrës. Për asnjërën nga këto nuk ka pasur reagime nga institucionet. Rama kërcënoi të largohej nga emisioni ditën e enjte, kur iu kërkua nga gazetari Rakipllari të jepte shpjegim.

Kryeministri që nuk nguron të mbajë monologje 1 orë e kusur para mbështetësve të tij duke renditur “arritjet” e qeverisjes së tij, refuzon përherë të kthejë përgjigje dhe kërcënon me largime nga emisionet kur nuk mund të gjejë alibi për të justifikuar makutërinë e atyre që e rrethojnë.

E nuk di pse në këto raste, përherë më vijnë ndërmend shushunjat. Ato në pamje të parë janë shumë të shpifura, por të shërojnë. Me pickimin e tyre, ato lëshojnë në trupin e njeriut një serum anti-mpirës për të penguar koagulimin e gjakut. Kur fryhen me gjak, ato bien vetë nga trupi i të sëmurit. Problemi është me shushunjat njerëzore që erdhën në pushtet me Edi Ramën, që i janë ngjitur trupit të Shqipërisë duke e thithur në çdo pjesë dhe sado fryhen nuk bien, por, përkundrazi, bymehen edhe më shumë për të thithur deri në palcë këtë vend.

Në fjalimin e sotëm para rilindasve të tij të thekur, Rama nënvizoi se “mund të jem pasionant edhe arrogant po të doni, po kurrë s’kam qenë materialist e as kriminel e hajdut”.Madje sfidoi këdo që të paraqiste fakte konkrete e jo fjalë kundër tij për akuzat e artikuluara nga opozita dhe mediat. Në një kohë kur shumë kush mund të priste ekspozenë e disa prej premtimeve më të rëndësishme të fushatës elektorale që çeli plot pompozitet, Rama në 90% të fjalimit të tij gati një orësh bëri monolog me opozitën rrugore, me arsyet se pse është i vendosur t’i çojë shqiptarët në një palë zgjedhje, ku nuk kanë se çfarë të zgjedhin, premtoi se edhe qytetet që më parë drejtoheshin nga PD e LSI, pas 30 qershorit do të shndërrohen tërësisht, kur të hyjnë nën dritën iluministe të Rilindjes. “Unë nuk jam më i miri, por më të mirë se unë s’keni parë!”, tha narcizisti Rama, si për të legjitimuar se pse vazhdon ende të rrijë në pushtet, kur skandale të shumta kanë rrethuar këto vite të qeverisjes së tij.

S’është çudi që pas dy viteve kur i ra kryq e tërthor Shqipërisë duke përmendur tepsi, kazan, bakllava dhe mori ashtu siç i mori votat e shqiptarëve për një mandat të dytë qeverisës, rituali të përsëritet sërish këtë fushatë e në vend të premtimeve konkrete dhe projekteve për zhvillimin e 61 bashkive të vendit, kryefjalë e Ramës të jetë opozita rrugore, Luli dhe fallxhorja Mona që braktisën institucionet e tani e kërcënojnë se nuk do ta lejojnë të mbajë zgjedhjet monopartiake dhe nga ana tjetër po pengojnë integrimin e vendit.

Fundja, si me program apo pa program, si me arrogancë apo me letra publike, askush se vë në diskutim se Rama do t’i fitojë të gjitha bashkitë, vetëm nëse vë dorën në zemër e fal ndonjë, si për të treguar se thellë-thellë është demokrat e pluralist në shpirt. Këtë herë nuk i duhen as të fortët, as paratë për blerje votash, as fushatat pompoze. Madje dhe kandidatët i zgjodhi në pjesën dërrmuese në tavolinë, pa marrë aspak parasysh mendimin e mijëra socialistëve anë e kënd Shqipërisë, që për rreth dy muaj kryen sondazhe e mblodhën opinione në bazë e struktura drejtuese për të arritur tek figura më përfaqësuese si kryebashkiak/e e ardhshëm. Socialistët kanë dëshmuar në çdo zgjedhje se sado nuk pajtohen me kandidaturën e propozuar nga partia, në fund të fundit do kryejnë detyrën e do shkojnë ta votojnë dhe Rama këtë e di shumë mirë.

Tepsia aq shumë e kërkuar prej tij dy vite më parë tashmë është thuajse plot. Duhet pritur 30 qershori që të tejmbushet. Më pas i duhen veç këllqe të forta që ta mbajë e mos t’i bjerë. Nëse nga pesha lëkundet pak, çorba e gatuar do derdhet sheshit. Veç atëherë Rama e të tijtë do mbeten pa ngrënë…

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: