Deputetet janë shndërruar në matrioshka ruse

08/05/2013 - 12:05

Nga Roland Lami

Publikimi i listave të dy koalicioneve i dha fund ankthit të deputetëve dhe të lidershipeve respektive për këto zgjedhje. Nisur nga ky fakt, çdokush që është i interesuar për të zhvilluar një analize politike mbi domethënien e këtyre listave, ka një të dhënë zyrtare ku mund të bazohet. Dhe, në fakt, këto ditë nuk është se kanë munguar analizat mbi cilësinë e këtyre listave dhe ajo që është më e rëndësishmja, hamendësime mbi shanset për të maksimizuar votat. Një aspekt që nuk ka marrë shumë vëmendje lidhet me fatin e deputetëve të njohur brenda dhe jashtë strukturave partiake si zëra kritikë ndaj lidershipit në këto zgjedhje?

Interesant është fakti se në të dy kampet politike, deputetët që janë identifikuar në këtë legjislaturë si zëra kritikë ndaj lidershipit rama dhe Berisha, nuk janë përfshirë në listat e kandidatëve. Qoftë deputetët Malaj, Bello, tek e majta apo Xhepa dhe Marku tek e djathta, nuk janë më në listat për kandidatë në këto zgjedhje. Të dy liderët, pavarësisht diferencave në krahun politik, moshës, eksperiencës politike apo synimeve individuale, janë bashkuar në një pikë, në atë që lidhet me mentalitetin. Të dy kanë menduar që nëpërmjet përjashtimit nga vende të sigurta në lista apo mospërfshirje në to, të japin mesazhin te të tjerët sesi mund të përfundojë karriera e tyre politike në të ardhmen e afërt nëse ndokush guxon të përsërisë të njëjtin qëndrim apo sjellje. Jo vetëm kaq, por Z. Rama avancoi duke përdorur riciklimin e Z. Ulqini si model që shpërblehet nëse ndokush korrigjon në të ardhmen e afërt sjelljen e tij/saj kundrejt Partisë Socialiste (në fakt, kundrejt Z. Rama). Dhe kjo sjellje është heshtja ose modifikim sjelljeje në përputhje me pritshmëritë e liderit.

Pa kuptuar, dy liderët nxjerrin në pah disa reminishenca të sistemit të kaluar, ndonëse në forma të ndryshme për shkak të kushteve shoqërore që s’janë të njëjta me ato të së kaluarës, por mendësia është e njëjtë. Kjo mendësi lidhet me konceptimin e TJETRIT, i cili është i vendosur përballë dilemës: ose modifikim ose përjashtim, mundësi të ndërmjetme nuk ka. Ky autoritarizëm i ri brenda partive politike po manifestohet në ato taktika politike që nëpërmjet një përqendrimi të konsiderueshëm të pushtetit të lidershipit si edhe përmes cenimeve të ndryshme të disa lirive individuale, po përpiqen të mos e lënë zërin ndryshe dhe me peshë të ketë rol dhe vlerë. Por po imponohet si normë heshtja dhe konformizmi. TJETRI i ndryshëm nuk ka ekzistencë.

Tashmë, deputetët e kanë të qartë që me sistemin e ri zgjedhor rruga për të siguruar një mandat nuk kalon më nga votuesi specifik, por nga selia qendrore e partisë. Individi nuk ka më nevojë të krijojë raporte personale me votuesin për të njohur nivelin arsimor, preferencat, kërkesat ekonomike, pasi mjafton ta zhvendosë interesin e tij te njohja personale e liderit. Nëse deri dje me sistemin mazhoritar i kërkohej të konfirmohej me votuesin, sot i duhet ta bëjë këtë gjë me liderin. Ai/ajo duhet të njohë mirë interesat, vizionin, preferencat dhe huqet e liderit për t’u përshtatur sa më mirë me qëllim sigurimin e një vendi të mirë në listën e mbyllur të kandidatëve. Fati i tij nuk varet më nga elektorati, por nga humori i liderit. Është ky i fundit që përcakton fatin e karrierës së tij politike dhe jo votuesi specifik

Me këto forma sjelljeje, konformizmi kthehet në normë, besnikëria në mbijetesë, shkalla e servilizmit në art. Pamja e liderit në shumë pak kohë fillon të ngjizet te pjesa më e madhe e deputetëve. Mbijetesa politike sa vjen dhe po sfumon individualitetin politik. Deputetet gjithnjë e më shumë po ngjajnë me njëri tjetrin. Aq me shpejtësi po avancon ky proces, sa deputetet gjithnjë e më shumë po i ngjajnë kukullës ruse e njohuri si Matrioshka ku vetëm përmasat fizike ndryshojnë, por modeli mbetet i njëjtë.

http://www.mapo.al/2013/05/08/deputetet-jane-shnderruar-ne-matrioshka-ruse/

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: