"Dhurata" e hidhur e Dakos për qytetarët e Durrësit

14/03/2019 - 18:49

Në muajt e fundit të mandatit të tij të tretë në krye të Durrësit, Vangjush Dako vendos t’i japë një goditje të fortë përdoruesve të transportit urban, duke u rritur me 10 lekë çmimin e biletës së autobusit. Bileta pritet të shkojë nga 30 lekë që është aktualisht, në 40 lekë pas disa ditësh. Rritje pritet të pësojnë edhe abonetë, megjithëse këto të fundit janë përherë në numër shumë të vogël. Vetëm një numri të vogël qytetarësh arrijnë t’u bien në duar abonetë mujore. Përfitojnë vetëm ata që dalin pa gdhirë dita dhe zënë rradhë apo ata që i japin lekë nën dorë dispeçërve.

‘Dhurata’ e hidhur që Dako u lë këtyre qytetarëve në këtë fund mandati është një tjetër goditje për më të varfrit dhe qytetarët në vështirësi ekonomike, që e kanë të pamundur të përdorin një makinë personale.

Linjat urbane Durrës-Plepa, Durrës-Shkozet, Durrës-Unazë, Durrës-Currila, Durrës-Porto Romano mbushen çdo ditë me qindra nxënës shkolle, të punësuar, të moshuar, invalidë etj, që përdorin mjetet e transportit publik për të shkurtuar distancën deri në destinacionin e tyre. Të vetmit që nuk do të preken nga rritja e çmimit të biletës janë invalidët, të cilëve u njihen librezat e invaliditetit. Të gjithë të tjerëve do t’u duhet të paguajnë minimumi 20 lekë më shumë çdo ditë (udhëtim vajtje-ardhje).

Dikush mund të hidhet të thotë, por ç’është 20 lekë më shumë në ditë. Nuk është shumë, por nuk është as pak. Rreth 2 muaj më parë u rrit me 10 lekë çmimi i qumështit. Perimet kanë çmime mjaft të kripura. Vetëm patatet dhe qepët vërtiten tek 100 lekë për kg, çmim ky i paimagjinueshëm deri 2 vite më parë. Për ata që janë të papunë apo trajtohen me ndihmë ekonomike e numërojnë qindarkat deri në fund të muajit edhe një rritje me 10 apo 20 lekë në ditë është shumë. Por edhe për buxhetorët apo ata që kanë rroga minimale e mezi shtyjnë muajin, jetesa po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Vendimi i administratës së Dakos dhe miratimi që mori nga këshilltarët e PS-së dhe LSI-së në mbledhjen e datës 11 mars pa u konsultuar paraprakisht me grupet e interesit duket si një ‘thikë’ pas shpine për të gjithë ata qytetarë që shpesh kruajnë xhepat e boshatisur.

Në një kohë, kur vetëm pak ditë më parë, raporti i Eurostat (Instituti Evropian i Statistikave) theksonte se shqiptarët jetojnë për t’u ushqyer, rritja me 10 lekë që bashkia e Durrësit i bën biletës së transportit urban mund të sjellë një reaksion zinxhir për rritjen e biletës edhe të mjeteve të transportit ndërqytetas. Nëse kjo do ndodhë, xhepat e qytetarëve do jenë edhe më të zbrazët.

Sipas Bashkisë së Durrësit, rritja e çmimit të biletës, do të sjellë dhe rritje të cilësisë së shërbimit në linjat e transportit urban në qytetin bregdetar. Deri më tani, të gjithë ata që përdorin çdo ditë autobusët, djersisin deri në fund të kurrizit në muajt e verës, kur rrasen si sardele në autobuzët e tejmbushur, sidomos të linjës së Plepave dhe Currilave, apo mblidhen nga i ftohti gjatë muajve të dimrit. Për ajër të kondicionuar as që bëhet fjalë. Ajrimi bëhet vetëm nga dritare shumë të vogla në pjesët anësore të autobusëve, funksioni i të cilave në muajt e nxehtë të verës është thuajse inekzistent.

Qytetarët që udhëtuan për disa javë në verën e vitit të kaluar me një autobuz të cilit i ishte thyer një nga xhamat anësorë ndiheshin të privilegjuar që të paktën arrinin të merrnin frymë lirisht derisa të shkonin në destinacion (lexo këtu).  

Prandaj më shumë se një rritje e cilësisë së shërbimit në mjetet e transportit publik, rritja e çmimit të biletës duket si një ‘qokë’ që Dako u bën shoqërive private që menaxhojnë linjat urbane. Qeveria dhe pushteti lokal duhet të hartojnë politika lehtësuese për shoqëritë private që menaxhojnë transportin publik, në mënyrë që kostot e rritjes së cilësisë së shërbimit të mos rëndojnë gjithnjë në xhepat e qytetarëve. Nafta pa akcisë, subvencione për futjen në vendin tonë të autobusë elektrikë, autobusë euro 6 që kanë konsum më të reduktuar karburanti etj mund të ishin disa nga alternativat për të ulur kostot e kompanive private, për të rritur cilësinë e shërbimit dhe njëkohësisht për të mos rënduar buxhetin e qytetarëve. Rritja e çmimit të biletës për të kompensuar kostot e mirëmbajtjes së mjeteve nuk duhet parë gjithnjë si zgjidhja më e shpejtë dhe alternativa e parë, pasi institucionet qendrore dhe ato vendore 'harrojnë' të vënë në zbatim politika sociale dhe lehtësuese, sidomos për kategoritë më në nevojë. 

Për më tepër që kjo rritje bëhet thuajse në fshehtësi të plotë, pa u diskutuar më parë dhe pa analizuar koston sociale që ajo do të sjellë. Në ditët në vijim, qytetarët durrsakë do të përballen me rritjen e çmimit të biletës se autobusit. Të vetmit që do përballen me zemërimin e qytetarëve besoj se do të jenë vetëm faturinot, që do dëgjojnë të sharat e momentit. Më pas, çdo gjë do të kalojë në heshtje, si shumë gjëra të tjera në këtë vend.

Pak ditë më parë, gazetari Bledian Koka tregonte në një status të tij në Facebook, një histori për ish-kryeministrin Aleksandër Meksi, i cili u detyrua në vitin 1993 të rriste për shkak të inflacionit, brenda natës, çmimin e bukës nga 40 lekë në 400 lekë të vjetra. Në mëngjes, Meksi po priste popullin që të turrej poshtë zyrës së tij, por Tirana vazhdoi e qetë rutinën e përditshme dhe Meksi qëndroi në atë post edhe 3 vite të tjera. Në atë ditë, ndër më të vështirat e jetës së tij, Meksi do të thoshte jo pa keqardhje: Lum ai që do ta qeverisë këtë popull!

Në Francë, jelekët e verdhë i vunë flakën Parisit për rritjen e çmimit të naftës me disa cent dhe në fund detyruan presidentin Macron të tërhiqej nga vendimi i tij. Kuksianët i vunë flakën trarëve e kabinave të koncesionarit dhe detyruan kryeministrin Rama të tërhiqej nga çmimi i vendosur dhe të paguanin vetëm 100 lekë për kalim në Rrugën e Kombit.

Pavarësisht këtyre shembujve mjaft të afërt në kohë, kam përshtypjen se Dako do ta mbyllë i patrazuar mandatin e tij të tretë!

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Thirrja e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mori një vëmendje të madhe mediatike pasditen e së s

Në dy ditët e fundit në Durrës ka pasur dy lëvizje të rëndësishme drejtorësh në dy drejtori rajonale me ndikim të drejtpërdrejtë në cilës

5 ditë nga afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve për kryebashkiak në 61 bashkitë e vendit, socialistët e Durrësit janë në hava.