Dimri i pakënaqësisë bullgare

19/02/2013 - 14:19

Koment i Radios Kombëtare Bullgare

Bullgarët filluan protesta kundër monopoleve private në energjetikë. Ditën e diel për herë të radhës mijëra bullgarë bllokuan rrugët dhe përmbytën sheshet, duke protestuar. Pakënaqësia e përmbajtur shumë kohë kundër papunësisë, varfërisë dhe standardit të ulët të jetesës shpërtheu pas llogarive jashtëzakonisht të larta për ngrohjen dhe energjinë elektrike gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar. Në Sofje dhe në 35 qytete të tjera protestuesit thërrisnin para godinave të shoqërive energjetike “Mafi” dhe “Dorëheqje”.

Që prej shumë kohe kjo është shprehja më e madhe e pakënaqësisë sociale. Vetëm në Sofje protestuesit ishin mbi 10 mijë. U dëgjuan dhe thirrje për grevë kombëtare dhe ndërrim të modelit politik. Një pjesë e protestuesve u ndeshën me xhandarmerinë para godinës së shoqërisë energjetike ÇEZ, të privatizuar nga kompania çeke me të njëjtin emër, shoqëri kjo që siguron rrymë elektrike për Bullgarinë Perëndimore. Në Plovdiv policët, që mbronin centralin e shoqërisë austriake EVN, u goditën me domate, kurse në Varna protestuesit thyen dritaret e shoqërisë. Kudo në vend protestuesit bllokuan, edhe pse për pak kohë, rrugë kryesore. Më 17 shkurt, pasdreke, befasisht dha dorëheqje Juliana Ivanova – kryetarja e zgjedhur para 4 ditësh e rregullatorit shtetëror energjetik.

Në fakt zemërimi i bullgarëve është drejtuar jo vetëm kundër monopolit energjetik, por dhe kundër monopolit në sfera të ndryshme. “A mund të flasim për ekonomi të tregut, pasi monopolet janë kudo” – thërriti një grua në protestë. Në Pleven njerëzit kërkuan referendum për dëbimin e ndërmarrjeve energjetike dhe dogjën faturat e veta. “Ne protestojmë jo vetëm për shkak të çmimit të lartë të korrentit, protesta është dhe për pagat e ulëta, për papunësinë, për mungesën e rrugëdaljes” – thërriti një prej protestuesve në Varna.

Zemërimi kundër monopoleve nxori në pah pakënaqësinë e bullgarëve të përmbajtur shumë kohë, për çmimet e larta, të ardhurat e ulëta dhe standardin e ulët të jetesës. Le të rikujtojmë se sipas të dhënave të Eurostatit gjysma e bullgarëve janë në risk varfërie.

Protesta është kundër klasës politike në ngjyra të ndryshme, e cila udhëheq Bullgarinë tashmë 23 vjet dhe e cila pasi vjen në pushtet gjithmonë premton vende të reja pune dhe rritje të lartë të të ardhurave. Prandaj edhe përpjekjet e disa forcave politike për t’i kryesuar protestat u ndeshën me kundërvënien e protestuesve. Dëshpërimi i bullgarëve është i madh, sepse asnjë qeveri deri tani nuk arriti ta përballojë problemin e mafisë energjetike, e cila i diktonte rregullat në këtë sferë.

Siç duket përpjekjet e qeverisë së tanishme nuk ishin të mjaftueshme, pasi që në fund të mandatit të saj, nën presionin e rrugës, nxori në pah e vërteta për formimin kriminal të çmimeve dhe për skemat në fushat e energjetikës.

Rezultatet e para të protestave nuk u vonuan. Ministria e Ekonomisë shpalli se do të ketë ndryshime në ligjin për energjetikën dhe do të krijohen mundësi për anulimin e licencave të shoqërive energjetike. Përveç kësaj do të ketë korrigjime në ligjin për prokurimet publike, gjë që do të vështirësojë monopolet në eksportimin e fitimeve të tyre jashtë shtetit, duke përdorur mundësitë e ndryshme të ligjit. Sipas të dhënave të Agjencisë për Inspektimin Financiar Shtetëror pothuaj të gjitha furnizimet dhe shërbimet e jashtme në shoqërinë energjetike ÇEZ janë bërë pa procedura në kuadrin e ligjit për prokurimet publike. Sipas ministrit të ekonomisë, energjetikës dhe turizmit, z. Deljan Dobrev do të bëhet çmos që të hapen dhe kontratat me shoqëritë energjetike.

/th.m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: