Dorëheqja e Papës dhe Kisha katolike në udhëkryq

26/02/2013 - 20:09

Nga John Hooper, The Guardian

Paralajmërimi i beftë i dorëheqjes së Papës Benedikti XVI, lajmëroi fundin e një papati tetëvjeçar, të trishtuar e të trazuar nga skandalet. Kardinali Joseph Ratzinger erdhi në ofiqin më të lartë të Kishës Katolike Romane me namin e intelektualit konservator dhe sfidues. Por mesazhet që ai u përpoq të përcillte pësuan veç sfumim, së pari nga një zinxhir përplasjesh që më së shumti u shkaktuan nga ai vetë, dhe në vazhdim, nga skandalet - sidomos në Europë - e abuzimeve seksuale të priftërinjve me të mitur.

Ratzinger kishte kaluar gati çerek shekulli në Vatikan, ndaj ishte e arsyeshme që kardinalët të cilët e zgjodhën, të mendonin se ai e njihte mbarë e mbrapsht shtetin papnor, e rrjedhimisht, se do të ishte në gjendje të përmirësonte veprën e Vatikanit. Por, edhe pse kishte qenë një ndihmës i besuar dhe me shumë ndikim tek Gjon Pali II, Papa i ri gjerman ishte një paradoks.

Nga njëra anë, ai ishte i patundur intelektualisht. Jo më kot atij i ngjiti nofka “Rotvaileri i Zotit”. Por më anë tjetër, si shumë akademikë, ai ishte i turpshëm, duke i munguar ajo energji këmbëngulëse e nevojshme për të mbrujtur reformat përballë klerikëve, rezistenca e të cilëve ndaj ndryshimeve është legjendare në Vatikan.

Skandalet me abuzime

Gati të teta vitet e tij si udhëheqës i katolikëve të botës, u shenjuan nga skandalet e abuzimeve seksuale. Para ngritjes së tij në fronin papal, pati gjithashtu skandale në SHBA dhe Irlandë. Por në vitin 2010, faktet e abuzimeve seksuale të klerikëve u bënë publike në një zinxhir vendesh të Europës kontinentale, nga Austria në Belgjikë, nga Holanda në Norvegji e Gjermani. Edhe vetë Papa, u njollos personalisht nga një prej këtyre aferave të turpshme. Rezultoi se ndërsa Racinger ishte kryepeshkop i Mynihut, një klerik i akuzuar publikisht u riemërua në heshtje, duke patur shansin të rikthehet në detyrat priftërore dhe të ketë sërish kontakt me të miturit.

Batica e madhe e akuzave përbënte në fakt, një goditje të rëndë për projektin që qëndronte në zemër të papatit të Benediktit. Qëllimi që ai i vendosi vetes, dhe për të cilin ishte zgjedhur, ishte zgjimi i ri-ungjillizimit në Europë, kontinenti që përbën boshtin e Katolicizmit. Prandaj edhe ai zgjodhi emrin e shenjtorit mbrojtës të kontinentit, Benediktit të Nursias. Por nëse numrat e besimtarëve europianë teksa Papa po largohet nga detyra janë më të vegjël sesa në kohën kur ai u zgjodh – anketimet e përsëritura e tregojnë këtë – kjo në masë të madhe ka ardhur nga dëshpërimi dhe zemërimi i grigjës së besimtarëve ndaj skandaleve të abuzimit seksual.

Për mbështetësit e tij, kjo ishte pafundësisht ironike, dhe tmerrësisht e padrejtë. Në vitin 2001, paraardhësi i tij Gjon Pali II, e transferoi përgjegjësinë e trajtimit të aferave të seksit tek kongregacioni për Doktrinën e Besimit, departamenti i Vatikanit që asokohe drejtohej nga Racinger. Nëse jo gërmë për gërmë, Papa i ardhshëm me siguri ka lexuar personalisht shumëçka prej dëshmive, dhe siç thotë mbrojtësit e tij, ishte tejet i shokuar dhe i prekur nga çfarë mësoi. Nga ky moment e më tej, argumentojnë ata, ai ishte i vendosur shumë më tepër sesa paraardhësi i tij, që të bëjë gjithçka kishte në dorë për të parandaluar abuzimin seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve nga klerikët katolikë. Dhe pikërisht për këtë e kishte fjalën, kur në vitin 2005, parpara trupit të Gjon Palit, ai denoncoi “ndyrësitë që fshihen tek Kisha”.

Energji e pamjaftueshme

Para se të zgjidhej si Papë, Joseph Ratzinger padyshim i ashpërsoi procedurat lidhur me klerikët abuzues. Por kritikët kanë argumentuar se një letër që ai ua shpërndau dioqezave anembanë botës në vitin 2001, nuk e bënte mjaftueshëm të qartë përgjegjësinë e peshkopëve për të informuar autoritetet civile. Hezitimi i tyre i shpeshtë për të denoncuar, ishte një arsye kyçe përse evidencat e abuzimeve seksuale nuk dolën më herët në sipërfaqe.

Mungesa e vullnetit për të çuar në krye qëllimet e tij, është një kritikë që Benediktit i bëhet edhe pasi u bë Papë. Fjala vjen, ai nuk tregoi interes në ndërmarrjen e disa reformave specifike për të piketuar abuzuesit potencialë, përpara se këta të merrnin detyra kishtare. Siç e bënte të qartë në letrën e tij të 2010-ës për katolikët irlandezë, ai besonte se mëkatet e klerit ishin më shumë një shprehje e “shenjtërisë së pamjaftueshme” sesa produkt i procedurave difektoze. Vetëm më vonë atë vit, ai krijoi një departament të Vatikanit, që kishte si mision detyrën qëndrore të pontifikatit të tij. Por edhe atëherë, Këshilli Pontifikal për Promovimin e Ungjillizimit të Ri u përshkrua si organ pa kompetenca e fuqi.

Frenimi i reformës së kurisë

Një synim tjetër – ose shpresë – e papatit të Benediktit, kishte qenë përdorimi i mandatit të tij për të shkundur Kurinë Romane, administratën qëndrore të Kishës Katolike. Karizmatiku Papa Gjon Pali II nuk ishte prerja e njeriut që e angazhon kohën e vet me riorganizimin e burokracisë kishtare, ndaj në fund të pontifikatit të tij 26 vjeçar, Kuria kishte nevojë të dëshpëruar për modernizim. Papa tentoi dy herë të ndryshonte departamentet e Kurisë, dhe të dyja herët dështoi. Ndërsa krijimi i departamentit të ri të ri-ungjllizmit, do të thotë se burokracia e Vatikanit është sot më e madhe dhe më komplekse sesa në fillim të detyrës.

Personaliteti i tij i tërhequr, gjithashtu nënkupton që Benedikti erdhi në këtë post me një gamë të kufizuar kontaktesh brenda Kurisë. Dhe kjo u duk në emërimet që bëri. Postin kyç të sekretarit të Shtetit të Vatikanit ai ja dha ish zëvendësit të tij në Kongregacionin e Doktrinës së Besimit, kardinalit Tarcisio Bertone, një klerik i zoti, por pa përvojë për zyrën që do të mbulonte. Dështimi i Papës në zotërimin e Kurisë do t’i kushtonte rëndë atij, aq më tepër që ai tregonte një ngurrim të hapur për t’u këshilluar me të tjetrët, sidomos për impaktin që fjalët dhe vendimet papale mund të kishin në botën përtej Vatikanit.

Gafat publike

Rezultati ishte një seri gafash në vitet e para të pontifikatit. Në vitin 2006, ai i zemëroi pa masë myslimanët kur, në një leksion akademik në universitetin e tij të vjetër në Regensburg, përdori një citim që nënkuptonte se kontributi që Muhameti i dha njerëzimit ishte “vetëm i ligë dhe çnjerëzor”. Por të paktën kjo deklaratë stimuloi debat me një grup akademikësh myslimanë, sepse asgjë pozitive nuk erdhi nga debate të tjera që dolën në sipërfaqe.

Papa Benedikt ofendoi latinoamerikanët indigjenë, duke deklaruar se kolonizimi i kontinentit të tyre nuk ishte “imponim i një kulture të huaj”. Dhe ai zemëroi hebrenjtë me lejimin e përdorimit të gjerë të liturgjisë së vjetër tridentine, e cila përfshin një lutje të së Premtes së Mirë që “hebrenjtë të çlirohen nga errësira”. Ky vendim buronte nga dëshira e Papës për t’u paqtuar me tradicionalistët radikalë të Shoqërisë së Shën Piut X. Në vitin 2009 një tjetër sherr shpërtheu kur ai e anulloi përjashtimin (ekskomunikimin) e katër prej peshkopëve të kësaj shoqërie. Njëri syresh ishte britaniku mohues i Holokaustit, Riçard Uilliamson. Vatikani tha asokohe se Papa Benedikt nuk ishte në dijeni të pikëpamjeve të Uilliamsonit. Por ky qëndrim ngriti dyshimin se si ka mundësi që ai merr vendime të pathelluara, aq më tepër në një çështje delikate për Papën i cili, në fëmijëri ishte pjesë e rinisë hitleriane.

Afërmendsh, kardinalët që votuan për Benediktin patën shpresuar për një papat të shkurtër, pas pushtetit jetëgjatë të paraardhësit të tij. Racingeri ishte kardinali më i vjetër që zgjidhet papë që nga viti 1730; mosha e tij e thyer ra gjithnjë e më tepër në sy në vizitat e fundit ndërkombëtare, megjithë përpjekjen për t’iu përshtatur botës moderne duke hapur një llogari në Tëitter. Duke zgjedhur një këshilltar që ka ndikuar në vendimet dhe mësimet më të rëndësishme të Gjon Palit II, padyshim kardinalët votuan edhe për vazhdimësinë. Por nëse synimi i konklavës së 2005-ës ishte përzgjedhja e një pontifikati të qetë e të patrazuar, duket qartë se ai nuk u arrit.

Mesazhe të përziera

Një tjetër debat plasi në vitin 2009, kur Papa Benedikti do të deklaronte se shpërndarja e prezervativëve në Afrikë nuk e frenonte përhapjen e Sida-s, por e nxiste atë. Ky mohim shkaktoi reagime ndërkombëtare protestash, jo vetëm nga individë por edhe qeveri, organizma ndërkombëtarë e shoqata. Prandaj tingëlloi e çuditshme kur i njëjti papë mbajti një qëndrim të dyzuar lidhur me të njëjtën çështje kritike. Në një intervistë të botuar në 2010-ën, ai tha se përdorimi i prezervativit nga një prostitutë që tenton të mbrojë klientin e saj/tij nga virusi HIV, mund të quhet i justifikuar, për faktin se përbën një akt të marrjes së përgjegjësisë morale. Paskëtaj, zyrtarët e Vatikanit theksuan se me këtë deklaratë, Papa nuk është se pranonte përdorimin e metodave artificiale të kontrollit të lindjeve. Por gjithsesi, vërejtja e tij risolli vëmendjen tek refuzimi që Kisha i bën përdorimit të prezervativit, qoftë dhe për qëllimin e parandalimit të sëmundjeve. Nëse do të kishte një ndryshim qëndrimi, të paktën kjo do të kishte qenë iniciativa më e rëndësishme e papatit të Benediktit XVI.

(Përkthyer nga Revista Klan)

Artikulli në origjinal: Pope Benedict's resignation brings end to paradoxical papacy

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: