Durrës - Shijak, të gjithë e dinë se askush se ka seriozisht...

14/04/2019 - 09:42

Të nisesh nga Durrësi në Shijak apo anasjelltas duket një aventurë e vërtetë. Jo për faktin se duhet të përshkosh një distancë shumë të gjatë, pasi dy qytetet janë mjaft pranë njëri-tjetrit, 11 km i ndajnë, por pikërisht këto km janë makthi i çdo drejtues mjeti.

Një aks kombëtar që më shumë sesa bashkon, ndan dy qytete në zemër të Shqipërisë, me lidhje të shumëfishta me njeri-tjetrin. Po ta përshkosh këtë aks, nuk e kupton se ku përfundon njëri qytet e ku nis tjetri, pasi moria e ndërtimeve private dhe bizneseve që lulëzojnë përgjatë kësaj rruge e ka rrafshuar ndarjen e dikurshme. E ndërsa komuniteti i gjithë kësaj zone ka thuajse 30 vjet që investon qindra miliona euro në ndërtimin e vilave private, njësive të shërbimit dhe sipërmarrjeve të mëdha me qindra punëtorë, investimi i shtetit në infrastrukturën rrugore është zero.

Në gati 30 vjet demokraci, banorët i kanë provuar të dy spektrit politik, të majtë e të djathtë. Dikur një komunitet që votonte masivisht për të djathtën, tani për të majtën. Maxhoranca e dikurshme dhe kjo e sotmja e ka pasur dhe e ka bastion të saj, por nga premtimet politike, banorëve u ka mbetur shija e hidhur që të lë mospërmbushja e tyre.

Në të gjithë vendin, të rrallë janë akset kombëtare me një densitet kaq të lartë popullsie dhe investime miliona euro nga biznesi. Edhe përsa i përket infrastrukturës, ky aks nuk besoj se ka ndonjë të ngjashëm. Gropa të stërmëdha të krijuara përgjatë gjithë gjatësisë së tij, vende-vende rruga bëhet thuajse njëkalimshme, sepse degradimi i saj e bën të pamundur kalimin e dy automjeteve njëkohësisht. Arnimet përgjatë skajeve të këtij aksi, të hapura herë pas here për shtrimin e kabllove tashmë kanë ceduar dhe drejtuesit e mjeteve nuk dinë nga cilat gropa të ruhen më parë. Në kohë me shi gropat janë të tejmbushura me ujë e baltë, në kohë të mirë nxjerrin më shumë në pah degradimin total të asfaltit të dikurshëm, përgjatë netëve drejtuesit e mjeteve duhet t’i ruajë zoti, pasi ndriçim dhe sinjalistikë rruga nuk ka.

Në bisedë me drejtuesit e mjeteve, me ata që janë të detyruar ta përshkojnë çdo ditë, madje dhe disa herë në ditë, kupton se ata nuk shpresojnë më në ndërhyrjen e shtetit. Ende nuk arrijnë të kuptojnë se pse nuk është investuar në gjithë këto vite në këtë aks, nuk arrijnë të gjejnë një justifikim për premtimet e bëra në çdo fushatë nga të gjithë ata që kërkojnë votën për të përfaqësuar popullin, por më pas e lënë në harresë premtimin e bërë. Dhe kur vjen fushata tjetër, premtimi përsëritet sërish dhe askush nuk zverdhet, skuqet apo nxihet për mospërmbushjen e tij.

Ndërsa një fushatë tjetër elektorale duket se po afron, shumë drejtues mjetesh artikulojnë mospjesëmarrjen në votime. Kanë protestuar disa herë në 2018-2019, por zëri i tyre nuk ka shkuar më tutje sesa mikrofonët e medieve që kanë përcjellë lajmin. Pushteti lokal e ka të pamundur investimin në këtë aks kombëtar, fondi duhet të akordohet nga buxheti i shtetit apo të sigurohet nga ndonjë kredi e butë a donacion i organizmave ndërkombëtarë. Qindra miliona euro që vilen çdo vit përgjatë këtij aksi nuk janë përkthyer në asnjë rast të vetëm në kërkesën primare të komunitetit; bërjen e rrugës.

Kur i dëgjon banorët e kësaj zone që artikulojnë mospjesëmarrjen në zgjedhje dhe bojkotimin e çdo politikani nuk ke si mos t’u japësh të drejtë. Aksi kombëtar Durrës-Shijak është shembulli më i mirë sesi shteti zhgënjen qytetarët e tij, “rrëmben” taksa dhe nuk i investon ato për përmirësimin e jetës së banorëve. Aksi në fjalë është njëkohësisht dështim i politikës, që për shumë vite ka bërë premtime që nuk janë mbajtur kurrë. Nga ana tjetër, aksi në fjalë është dhe dëshmi e pafuqisë së një komuniteti të tërë që ka dështuar për t’ju imponuar pushtetarëve vendor dhe qendror për t’i dhënë zgjidhje kërkesës bazike të tyre; bërjen e rrugës. Në fushatën e ardhshme zgjedhore, më 30 qershor apo në ndonjë datë tjetër, premtimi për bërjen e rrugës do të kumbojë sërish në veshët e banorëve.

Por të gjithë e dinë se askush nuk e ka seriozisht…

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Publikimi i përgjimeve të reja të dosjes 339/1 nga ana e të përditshmes gjermane “Bild” tronditi dhe njëherë politikën dhe opinionin publ

Edi Rama po i nxjerr bllof përkrahësit e tij mediatikë dhe politikë që profetizonin se refuzimi i opozitës për të hyrë në zgjedhje do shë