Nga Eno Bozdo 

Vetëm tri javë më parë, Shqipëria u përball me një ngjarje thuajse të paprovuar më parë për shumë prej nesh. Këtu nuk flas për humbjet e jetëve njerëzore, dëmet në banesa apo infrastrukturë, apo edhe shpalljen e emergjencës civile. Ngjarje të tilla kemi përjetuar, në madhësi dhe forma të ndryshme, disa herë brenda dekadës së fundit. I referohem mbi të gjitha terrorit psikologjik që shkaktoi vala e tërmeteve. I referohem faktit të panikut të gjerë, gati neurotik, me të cilin u përballën Durrësi, Tirana dhe qytete të tjera të prekura.

Por, mbi të gjitha, i referohem faktit, siç edhe vetë përfaqësuesit e qeverisë bien dakord, se aftësia e strukturave qeveritare për t’u përballur me një fenomen të tillë ishte zero. Asnjë strukturë e specializuar, asnjë strukturë adhoc, asnjë procedurë shtetërore, asnjë institucion, asnjë përgatitje e rezervave të shtetit, asnjë dhe asgjë për ditën më të vështirë të vendit.

Deri këtu nuk po them asgjë të re. Këto fakte janë komentuar thuajse çdo ditë. Por, pikërisht për faktin se ngjarja është kaq e veçantë dhe e papërjetuar më parë, është kurioze të analizosh sjelljen e faktorëve politikë kundrejt përgjegjësive të tyre politike dhe publike.

Së pari, nuk ka asgjë të keqe kur Kryeministri i vendit viziton zonat e goditura dhe familjet e dëmtuara. Mbështetja për të dëmtuarit vjen në të gjitha format, edhe në atë të mbështetjes njerëzore dhe psikologjike. Problemi që opozita ngre sot është se edhe tri javë pas katastrofës, Kryeministri i vendit vazhdon me të njëjtin model të padobishëm sjelljeje. Ky rast i shëtitjes trejavore kryeministrore do të hyjë me siguri në analet e studiuesve politikë si i paprecedent. Edhe në raste lufte, Kryeministri nuk shkon në fortifikime, por drejton nga zyra e tij. Përballë pallateve të shkatërruar, mijëra familjeve në çadra lecke, mijëra të tjerëve që strehohen te të afërmit e tyre, mungesës së ushqimeve elementare dhe mizerabilitetit të kushteve të strehimit, Kryeministri vazhdon të bredhë dhe të zgjidhë me batuta një situatë që po bëhet realisht e pashpresë. Kryeministri nuk është inspektor, psikolog apo kurioz shëtitës. Ai tashmë duhet të jetë në zyrë dhe jo në teren. Terreni është përgjegjësi e strukturave të dedikuara.

Së dyti, qëndrimi politik i ashtuquajtur i “butë” i PD dhe Lulzim Bashës, nuk ka qenë i programuar. Thjesht ka qenë një “commonsense” i vyer për një burrë shteti. Basha nuk pati kohë të mendonte dhe të kalkulonte. Bëri atë që ndërgjegjja e tij i tha. Më tej nuk ka pasur asnjë mbledhje politike të PD-së, pas katastrofës ku ky qëndrim të analizohej politikisht. Nuk ka pasur aspak kohë për këtë. Basha ka qenë në terren, madje edhe përpara Edi Ramës. Dhe duhet të vazhdojë të qëndrojë në terren, sepse detyra e opozitës është pikërisht kjo: të monitorojë dhe të japë alternativa zgjidhjeje. Sepse Basha nuk ka përgjegjësi të drejtojë asnjë operacion shpëtimi, ndërtimi apo rindërtimi. Maksimalisht mund të angazhohet në mbledhjen e fondeve, gjë të cilën e ka bërë.

Së treti, për të gjithë ata që te ftesa e Ramës për bashkëpunim nuk shohin veçse një dëshirë të sinqertë të tij. Edhe pse besoj se numri i tyre është i vogël, pasi shumica dërmuese e konsideron këtë ftesë një grackë politike apo një sfidë idiote politike, përsëri me durim duhet t’u shpjegojmë se Basha e bën më mirë detyrën e tij duke qenë në terren dhe jo në tavolinë me Ramën. Si rregull, maxhoranca dhe opozita kanë për detyrë të ruajnë interesin publik, secila në pozicionet e saj. Në thelb, bashkëpunimi nuk është as edhe ulje në tavolinë, për sa kohë edhe Rama vetë nuk preferon tavolinën e punës kundrejt shëtitjeve të përditshme. Bashkëpunim do të thotë në këto kushte që secili të bëjë sa më mirë detyrat e tij. Rama duhet të drejtojë, Basha duhet të monitorojë dhe të ofrojë alternativa kur gjykon se punët nuk shkojnë mirë. Dhe Rama nuk po drejton pasi është thellësisht i papërgatitur për këtë. Fakti që ende preferon shëtitjen përpara zyrës së punës, tregon se sjellja e tij nuk do të ndryshojë.

Deri më sot, Basha ka monitoruar dhe ka ofruar disa herë ide të vlefshme zgjidhjeje. Dy platformat “ad-hoc” të shpallura prej tij në fillim u përqeshën, por më vonë po implementohen pa zhurmë nga Rama. E, pra, në këtë situatë, opozita po e bën më së miri detyrën publike të saj.

Së katërti, për ata që jo pa të drejtë këmbëngulin në ashpërsimin e toneve nga ana e opozitës, madje ekzaktësisht në ashpërsimin e fjalorit politik të Bashës. Ka një dallim midis një komunikimi të ashpër (të cilin Rama e meriton gjithsesi) dhe një komunikimi të vërtetëm, që përshkruan mirë ashpërsinë e realitetit. Në këtë kuptim, nuk ka komunikim më të ashpër sesa të përshkruash me saktësi, me emocion njerëzor dhe jo me triumf politik, gjendjen e mjeruar dhe të pashpresë të mijëra familjeve që humbën gjithçka nga tërmeti. Ky komunikim, që në thelb përshkruan gjendjen dhe nuk i vesh epitete Ramës, është jo vetëm më rezultativ nga pikëpamja e komunikimit politik, por edhe më i efektshëm për ta shtrënguar qeverinë dhe Ramën t’i kthehet punës dhe të braktisë cirkun politik. A nuk është ky, në fund të ditës, edhe objektivi politik i opozitës?

Së pesti, për të gjithë ata që janë të alarmuar se Rama po e shfrytëzon politikisht katastrofën duke e përdorur si pedanë për zgjedhjet e radhës, më duhet të pohoj se vërtet Rama po e bën një gjë të tillë. Por opozita nuk ka asnjë mënyrë për ta ndalur këtë. Nuk mund të ndalosh askënd të eglendiset mbi gërmadha, të përdorë talljen për komunikim, të mendojë se batuta e menjëhershme vlerësohet me shumë se dhënia drejtim e punëve.

Rama do të realizojë skenarin e tij, pavarësisht çfarë mendon publiku dhe opozita. Por nuk ka asnjë shans që shëtitja politike dhe karagjozllëku i batutave të vazhdojë pa fund. Në fund të ditës do të bëhet bilanci i masave të marra. Dhe terreni, të cilin opozita e zotëron, nuk lë kurrkënd të gënjejë pafund. Për këto arsye, ne nuk mund të jemi të frustruar pse Rama bën fushatë të tillë. As nuk mund të biem në grackën e ndjekjes së tij nga mbrapa.

Përkundrazi, deri tani, pavarësisht akrobacive të Ramës, opozita ka diktuar realisht axhendën ditore dhe ka drejtuar komunikimin publik. Rama ka zënë ekranet, por Basha e ka çuar ujin atje ku ai ka menduar. Është Rama që po ndjek nga mbrapa Bashën dhe jo e kundërta. Është Rama që viziton zonat ku Basha ka qenë një ditë me parë apo merr idetë e tij dhe i zbaton pa zhurmë.

E gjithë kjo histori, në fund të ditës, nuk është garë. Garën Rama nuk e ka me Bashën, por me rezultatet që ai do të ofrojë diku nga pranvera, kur dimri të ketë dalë dhe situata të jetë shumë më e qartë. Deri në pranverë, Basha do të jetë në terren, sepse aty është “zyra” dhe “shtabi” i tij. Nga ana tjetër, dyshoj se Rama do të shëtisë në këtë mënyrë deri në pranverë. Do të vijë një ditë, siç edhe shumë mendojnë që tashmë ka ardhur, kur Kryeministri do të duhet të bëjë kryeministrin dhe jo gaztorin. Dhe sado të vështirë Rama ta ketë këtë gjë, Basha nga terreni do ta detyrojë.

Së fundmi, ky tërmet nuk zuri vetëm Shqipërinë, por edhe politikën e saj. Ai ekspozoi shtetin si të paqenë dhe po ekspozon më qartë se kurrë Ramën si të paaftë, sipërfaqësor dhe estetikisht të rrënuar. Po ashtu po ekspozon opozitën në shërbim të kauzës publike, dhe mbi të gjitha Bashën që sistematikisht po ia çon me pahir gjuhën Ramës atje ku atij i dhëmb më shumë. Për sa kohë Basha do ta bëjë këtë gjë me të njëjtën eficiencë dhe veçanërisht nëse këtë vazhdon ta bëjë me gjuhën e tij të latuar, por ashpërsisht ekspozuese, Rama dhe spektakli i tij jo vetëm nuk do të duartrokitet, por do të fishkëllehet fort nga shqiptarët, tamam si ai klouni që nuk zbavit më askënd. /Panorama