Durrsakët, qytetaria dhe pushteti

03/09/2012 - 00:00

 

Gjatë viteve të regjimit komunist mes banorëve të qytetit të Durrësit përflitej gjithnjë në biseda konfidenciale fakti se qyteti mijëravjeçar nuk drejtohej nga durrsakët, por në postin e sekretarit të parë të Komitetit Ekzekutiv (posti më i lartë lokal në hirearkinë e asaj kohe) vendoseshin përherë të ardhur, ndërkohë që intelektualët lokalë liheshin në harresë apo nuk u jepej vendi që u takonte.

Me një histori më shumë se dy mijëvjeçare si qytet dhe një kulturë europiane që e transmetonin figurat e shquara të dala nga Durrësi, pjesa dërrmuese e të cilëve e diplomuar në perëndim, qyteti bregdetar ishte në elitën e qyteteve që prodhonin kuadro dhe figura të shquara në fusha të ndryshme të jetës.

Gjatë viteve të regjimit të Enver Hoxhës, Durrësi ka nxjerrë jo pak figura të tilla, por faktet kokëforte tregojnë se qyteti është drejtuar në pjesën më të madhe të këtyre viteve jo nga intelektualët e tij, por nga të katapultuarit nga ana e regjimit në postin e sekretarit të parë. Në vitet e demokracisë gjërat ndryshuan dhe ajo që të bën më tepër përshtypje këto kohët e fundit është fakti se po shtohen ndjeshëm durrsakët që propozohen ose që mbajnë poste mjaft të rëndësishme në hirearkinë e lartë shtetërore.

Dy rastet më të fundit janë dy kandidaturat e propozuara për postin e presidentit të Republikës, njëri prej të cilëve po e mban aktualisht këtë post. Pas kandidaturës së Artan Hoxhës, i cili vetëm për pak orë mbeti pa u bërë president i vendit, vendin e tij e zuri Bujar Nishani, një intelektual durrsak që para se të vihej në postin më të lartë shtetëror ka mbajtur disa portofole ministrish në qeverisjen Berisha.

Me vendosjen e tij në detyrë Nishani shkarkoi kreun e SHISH, Bahri Shaqiri, dhe pavarësisht se në këtë post u emërua Visho Lika, një nga kandidaturat e propozuara ishte dhe Ferdinand Xhaferaj, ish ministër i Kulturës dhe disa herë deputet i qarkut të Durrësit.

Ndërkohë që pas shkarkimit të Shaqirit, “kokën” e të cilit Berisha e kërkonte prej kohësh, por nuk mori dot asnjëherë aprovimin e ish-presidentit Topi për këtë çështje, duket se rradhën do ta ketë kryeprokurorja e përgjithshme, Ina Rama, edhe kjo nga Durrësi, bijë e regjizorit të njohur, Haxhi Rama.

Një ndër kandidaturat e mundshme që përflitet për të zëvendësuar Ramën në këtë post është një vartës i saj nga qyteti bregdetar, i cili prej mëse 20 vitesh punon si prokuror në Durrës. E për ta mbyllur këtë listë emrash, për postin e kryetarit të KQZ një nga emrat në garë pritet të jetë Oerd Bylykbashi (edhe ky durrsak), drejtor i kabinetit të kryeministrit Berisha dhe bashkë kryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore.

Pavarësisht konsideratave personale që mund të ketë secili prej nesh për çdonjërin prej këtyre emrave fakti që një numër i konsiderueshëm të rinjsh durrsakë propozohen apo dhe zgjidhen në poste të rëndësishme shtetërore nuk ka sesi të mos na bëjë krenarë. Nuk them se këta mund të jenë emrat më përfaqësues të qytetit, pasi nuk dua aspak t’ju mohoj kontributin që kanë dhënë e vazhdojnë të japin shumë intelektualë durrsakë, të vjetër e të rinj, por sipas meje kjo kahje pozitive e Durrësit me pushtetin mund të krijojë në të ardhmen premisa për shumë figura të tjera të njohura, me kontribute të shumta në fushat përkatëse, që pse jo të jenë dhe ata pjesë e posteve të larta shtetërore.

Çdo qytetar, qoftë durrsak apo nga qytete të tjera të vendit preferon që në një post të administratës shtetërore ku duhet të drejtohet për të zgjidhur një punë të gjejë një bashkëqytetar të tijin. Kjo është një preferencë që normalisht lidhet me interesin e ngushtë personal, sepse ne shqiptarët jemi mësuar t’i zgjidhim hallet dhe problemet me miqësira (pa dashur të përmend këtu korrupsionin që është temë tjetër), po në të njëjtën kohë jemi një vend që pëlqejmë të krenohemi me faktin që njerëz të njohur në botë kanë origjinën nga Shqipëria.

Rasti më i fundit që kujtoj është një shkrim i disa ditëve më parë kur lexova një shkrim në internet që fliste për origjinën shqiptare edhe të të famshmit Al Pacino. E thashë këtë për të shpjeguar faktin se shumë kush nga ne kërkon të krenohet me një njeri të njohur, qoftë politikan, artist, shkencëtar etj që është nga qyteti apo vendi i tij.

Për ta mbyllur desha të theksoj dhe njëherë që më shumë sesa emrat e përvetshëm, për secilin nga ne besoj se ka rëndësi që qytetarët tanë që zgjidhen në strukturat e larta shtetërore qoftë lokale apo qendrore të arrijnë të përcjellin ato vlera që qyteti i lashtë i Durrësit ka arritur t’i trashëgojë në shekuj dhe t’i përcjellë brez pas brezi.

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: