Dyshimi që duhet të ndjekë qeverinë e re

28/07/2013 - 22:55

28 korrik 2013 - Intervista e gazetares së BBC Sarah Montague me Edi Ramën, ishte një leksion për gazetarinë shqiptare. Besoj se edhe për Edi Ramën. Fillimisht më erdhi të them se ishte si një gazetari e harruar, pastaj shtrova pyetjen nëse ka ekzistuar ndonjëherë te ne kultura e një gazetarie të tillë ku gazetari pyet për të kuptuar të vërtetën, dhe jo për të shërbyer apo manipuluar?
 Më rezulton se nuk ka ekzistuar, e, nëse mund të përdoret termi “e harruar”, duhet thënë se mund të përdoret për të gjithë ata gazetarë që, jo me pak shpenzime, janë edukuar e trajnuar për t’u bërë gazetarë si Montague e BBC, por që i kanë “harruar” leksionet, më të shumtat pa i aplikuar ndonjëherë.
E them këtë sepse në rolin e Montague gazetarët e llogoreve në shërbim të Edi Ramës nuk do t’i bënin atij kurrsesi pyetjet insistuese mbi bashkëpunimin me Meten, 21 janarin, përgjegjësitë e tij për korrupsionin, çfarë ka deklaruar Meta dhe çfarë ka deklaruar ai për të… sepse tashme e kanë “harruar” se mund t’i bëjnë ato pyetje. Kurse gazetarët e llogoreve pro Berishes nuk do të mund t’i bënin kurrsesi pyetje të tilla si ajo nëse do të kërkonte të hidhej në gjyq Berisha për Gërdecin siç ka premtuar ai në fushatën elektorale. Diferenca e gazetarisë së Montague me tonën është si ajo midis një mjeku që kërkon të të diagnostikojë për të gjetur mjekimin e duhur dhe një xhambazi që kërkon të të vërë një diagnozë që të shesë ilaçet e padronit të tij.
Pra BBC na bëri një shërbim edhe ne për të kuptuar sadopak të vërtetën e qeverisjes së ardhshme të Edi Ramës. Sipas meje, pjesa më interesante e interviste ishte ajo kur Rama tha se përgjegjës për korrupsionin është sistemi, jo njerëzit; se po të marrësh një nëpunës gjerman ta futësh në administratën shqiptare ai do të korruptohet ashtu sikurse një nëpunës shqiptar në administratën gjermane do të mbetej i pakorruptuar. Gazetarja, duke i qëndruar kësaj logjike, i bëri pyetjen: “D.m.th. edhe ti që ke hyrë në këtë sistem je korruptuar…” Dhe Rama u përgjigj se ai bën përjashtim që e ka provuar me administrimin e Tiranës.
Që nuk është kështu, e thotë Tirana vetë që ulërin nga dhimbjet dhe plagët që i ka krijuar sistemi. Madje sistemi që sundon sot ka lindur e lulëzuar bash në Tiranë më së shumti dhe veçanërisht në kohën e Edi Ramës. Por, edhe duke pranuar se Rama, sipas vetë gjykimit të tij, duke hyrë në sistem është korruptuar, nuk mund të mohohet se çështja që ngrihet nëse është sistemi që i korrupton njerëzit apo janë njerëzit që kanë krijuar këtë sistem të korruptuar, është e rëndësishme dhe meriton të trajtohet seriozisht nëse duam seriozisht të dalim nga sistemi i korrupsionit. Edhe vetë bëj pjesë ndër ata që kanë ngulmuar se duhet të merremi me sistemin, jo me njerëzit. E kam thënë këtë edhe duke iu kundërvënë asaj kategorie politikanësh dhe gazetarësh që gjithë opozitarizmin e tyre e kanë përqendruar te Berisha dhe familja e tij, berishologët, që sot duken si të mbetur pa punë. E këtu nuk mund të mos vihet re një inkoherencë midis fushatës së Ramës që ishte kryesisht e përqendruar kundër personit Berisha dhe familjes së tij dhe gjuhës paszgjedhore që flet për përgjegjësitë e sistemit jo të një personi apo të një familjeje.
Gjithsesi, pyetja e parë është se çfarë ka Rama parasysh kur flet për sistem, sepse ai asnjëherë nuk ka hyrë në detaje për të zbërthyer mekanizmat e tij? Sipas gjykimit tim, sistemi që ka parasysh është ai ku pushteti politik, pushteti ekonomik financiar, pushteti gjyqësor dhe pushteti mediatik, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, janë të përqendruar në të njëjtat duar oligarkësh politikanë dhe politikanësh oligarkë, ku e vetmja ndarje që krijon pak hapësira lirie dhe pavarësie është se këta janë të ndarë në dy grupe rivale. Sistemi punon si një i tërë, por në fund vija e tij ndahet për të çuar ujë në dy mullinj, ku njëri është më i madh, ai i maxhorancës, dhe tjetri është pak më i vogël, ai i opozitës. Kjo ka sjellë grabitjen dhe rrënimin e çdo gjëje publike, duke përfshirë edhe shtetin, i cili veç të tjerash, shërben për të mbajtur klientelën edhe nëpërmjet punësimit në administratë. Sistemi është edhe korruptimi i prokurorisë dhe gjykatave që nuk kanë bërë të mundur dënimin qoftë edhe të një politikani të korruptuar, siç e ka thënë dhe vetë Rama kur ka folur për gjyqin që shfajësoi Ilir Metën. Thënë ndryshe, ai është një regjim, në thelb si ai i Hoxhës, i cili shfrytëzon egërsisht pjesën më të madhe të popullsisë për të çuar ujë te dy mullinjtë. Nuk të fut në burg, nuk të izolon fizikisht nga bota, por, po të mos jesh pjesë e njërit apo tjetrit mulli, e sheh veten në të thatë. Është një sistem, pra, kundër meritokracisë, kundër barazisë së të gjithëve përpara ligjit, ku liritë dhe të drejtat e njeriut dhunohen edhe pse jo si në kohën e Hoxhës.
Nëse pranojmë se ky është sistemi, pyetja që ka shtruar Sarah Montague është kardinale. A munden këta njerëz, që kanë ngritur sistemin, që janë pasuruar dhe inkriminuar nëpërmjet këtij sistemi, ta ndryshojnë atë? Sado të përpiqet Rama të na mbushë mendjen se është sistemi që korrupton njerëzit dhe jo e kundërta, ndryshimi nuk ka se nga të fillojë veçse nga njerëzit. Unë e shoh me dyshim atë që thotë Rama, se po të sjellësh një administrator gjerman ai do të korruptohet. Më me shumë gjasa ai do të ikë duke dashur të mos njolloset. Dhe në fakt ka edhe shumë shqiptarë të ndershëm që nuk pranojnë të hyjnë në politikë pikërisht pse nuk duan të njollosen. Jo vetëm, por Rama kundërshtoi vetveten kur foli kështu, sepse si shembuj të vetëm që dha për të luftuar korrupsionin ai dha pikërisht sjelljen e të huajve. A nuk do t’i korruptojë ata sistemi, sipas vetë fjalëve të Ramës?
Personalisht besoj se sistemi dhe njerëzit nuk mund të ndahen. Sistemi dhe njerëzit janë dy faqe të së njëjtës medalje, prandaj përgjegjësia e korrupsionit është e dyfishtë. Dhe kur flitet për përgjegjësi dhe ndëshkim që sjell ndryshimin në sistem dhe në njerëz, nuk është vetëm çështja e futjes në burg të të korruptuarve, por edhe ajo e prishjes së strukturave të ngritura për interesat e tyre. Pra, nëse do të ndryshosh strukturat e një sistemi nëpërmjet të cilit kanë ngrënë dhe hanë mbështetësit e tu, kjo do të thotë t’u biesh ndesh interesave të tyre. A do të mund ta bëjë Rama me Metën një gjë të tillë?
Kur ngremë këtë pyetje nuk mund të mos marrim në shqyrtim edhe procesin zgjedhor, sepse edhe ai është pjesë e sistemit, madje në një farë kuptimi ai hedh themelet e një pushteti dhe sistemit të tij. E kam fjalën për faktin se deri më sot e dimë se ata që mund të quhen shtyllat e sistemit, oligarko-mafiozët, janë ata që investojnë më së pari në fushatën elektorale, janë ata që derdhin një shumë parash për t’i shumëfishuar ato pastaj kur të marrin pushtetin. E pra, në logjikën e kësaj që thashë më lart, nëse është e vërtetë, siç ka shumë të dhëna, se një pjesë e mirë e votave janë blerë ose janë dhënë mbi premtimet për të zgjidhur problemet e bizneseve private, sistemi ka vazhduar të punojë po njëlloj edhe gjatë zgjedhjeve. Nëse është e vërtetë, ashtu sikurse thuhet gjithandej, se logjika e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë te PS ka qenë e tillë që janë sakrifikuar jo pak njerëz të ndershëm për hir të njerëzve të fortë që mund të blejnë dhe akaparojnë vota, zor se këta njerëz do të ndryshojnë sistemin, pasi janë atje pikërisht për t’i shërbyer atij, që do të thotë vetes së tyre.
Në këtë pikë nuk mund të mos shtrojmë pyetjen: gjuha e ndryshuar e Ramës, i cili para zgjedhjeve akuzonte kryesisht Berishën dhe familjarët e tij dhe pas zgjedhjeve i shfajësoi direkt apo indirekt këta duke ia vënë fajin dhe përgjegjësinë sistemit, a mos vallë duhet interpretuar se ai, ashtu sikurse Berisha i 2005-s, ka synuar thjesht e vetëm të zëvendësojë paraardhësin në krye të sistemit? Le të shohim. Sikurse kam thënë në shkrimin para këtij, të vësh bast për një gjë të tillë nuk është punë e mençur. Por inkoherencat e Kryeministrit të ardhshëm në BBC, sipas meje, na dhanë sinjale të forta se qeverisjen e re Rama-Meta duhet ta ndjekim me dyshim dhe vigjilencë të madhe.

 

Panorama

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: