E kanë kapur për “fyti” Shqipërinë

Postuar: 20/04/2017 - 07:50

Nga Ilir Vata

Në 45 vite diktaturë ishte regjimi komunist që kishte mbërthyer në grykë shqiptarët, të mbytur në varfëri, izolim, përndjekje, persekutim dhe vrasje, sa shqiptarët vuajnë edhe sot pasojat post-traumë të një regjimi mizor dhe despotik, duke i lënë të paaftë të ndërtojnë të ardhme në liri.

Post- diktatura e ardhur me një politikë hibride të ngërdheshur mes së shkuarës dhe së ardhmes i solli vendit për afro tri dekada një shtet të shpërfytyruar, një lloj sistemi hibrid, pa formë e pa konture demokratike, duke i dhuruar vendit një tranzicion pa fund, sepse shteti u shndërrua në një mjet të disave ku vilnin dhe vjelin të mirat qytetare, me të vetmin qëllim, shtimin e pasurive të një grushti njerëzish dhe varfërimin e shumicës.

Kjo babëzi u bë garë mes palëve, e vit pas viti përvilnin mëngët për të shqyer çdo të mirë qytetare sa tashmë mali i pasurive të të korruptuarve ka mbuluar me hije gjithçka, madje ka mbytur konkurrencën, duke krijuar monopolet, ka fshirë garën dhe meritokracinë, ka prishur rregullat e lojës së institucioneve shtetërore, ka mbërthyer drejtësinë, politikën dhe tashmë, zot janë të korruptuarit, disa nga më të ligjtë që i janë ngjitur Shqipërisë dhe shqiptarëve si shushunja të pangopura.

Në këtë gjendje të Shqipërisë kur disa politikanë dhe zyrtarë të lartë kanë futur popullin, tashmë duart ia kanë drejtuar në fyt Shqipërisë dhe kombit, dhe nuk e lënë të eci para, të çlirohet nga e shkuara dhe të bashkohet me vendet e lira të Europës apo botës së qytetëruar sepse duan një stan për vete të lënë në errësirë, ku të gjithë të turren dhe të zgrapin çdo të mirë, vetëm e vetëm që të maksimizojnë pasuritë e tyre nëpërmjet korrupsionit dhe paligjshmërisë.

E pas 27 vitesh tashmë kanë nisur një tjetër betejë, atë të ruajtjes së pasurive të paligjshme dhe ashtu siç bënë me mjegullën dhe errësirën, për t’i vënë pasuritë e tyre, tani kanë skenar se si t’i ruajnë. Zgjidhja është, të mos ia heqin duart nga fyti Shqipërisë për t’i lënë shqiptarët në errësirë të përjetshme, larg botës, qytetërimit, transparencës dhe demokracisë.

Politika e vjetër që vjen nga e shkuara dhe sillet si regjimi diktatorial që lamë pas ka si synim kontrollin e vendit me disa njerëz dhe sundimin e shumicës, pasi kanë gllabëruar pavarësinë e institucioneve, pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ dhe tanimë duan ta mbajnë peng drejtësinë si të vetmen shpresë për të ruajtur pasuritë e tyre vënë me korrupsion.

Ka njerëz, intelektualë dhe politikanë të rinj që duan t'i japin një dorë të mirë, por lukunia e hajdutëve ngrihet e tëra dhe vjell vrer, bën presion se vendi është në pashmangshmëri për të rënë në fatalitet, madje dhe në anarki, dhe tashmë ata kanë në plan ta djegin Shqipërinë, por kanë hallin se si?!

Ndërkombëtarët po lemerisen me politikën shqiptare sepse hipokrizia e tyre kalon çdo cak, pasi krimineli, hajduti dhe persekutori të shiten si engjëj, nostalgjikët e regjimit komunist demokrat, sepse kjo është një botë e pa ndarë nga e shkuara dhe demokracia nuk erdhi natyrshëm, por e skicuar nga persekutorët e regjimit komunist dhe diktatori i fundit i saj.

Të gjithë kanë marrë flamujt politikë në krah e tashmë u janë përveshur zgjedhjeve, ndërsa pala tjetër bën sikur ka ulur flamujt politikë dhe nuk do të hyjë në garë sepse kjo është një lloj teatri që i ngjan melodramës që herë të bën për të qarë e herë për të qeshur, një shfaqje e pështirë që rishfaqet herë pas herë dhe kryesisht në zgjedhjet parlamentare.

Këtu hyhet në zgjedhje për të fituar një palë dhe përfituar disa individë dhe sa herë ka situatë zgjedhore, beteja bëhet aq serioze sa populli mbahet peshë nën presion që të harrojë hallet e përditshme dhe të mendojë se si do ta zgjidhë politika ngërçin, madje bëhen aq mercenarë sa harrojnë gjithçka për t'u marrë me partitë, një farë shpërlarje e trurit të shqiptarëve njësoj siç edhe bënte diktatura komuniste.

Në kohën e regjimit, dëgjoheshin shpesh fjalët se “jemi fuqi pariti”, apo “s’pyesim për perëndimin dhe imperializmin, ndërsa tani disa politikanë bolshevikë intimidojnë politikanë të nivelit europian madje dhe ndërkombëtarë për interesa të tyre për të treguar të njëjtin instikt komunist si edhe më parë.

Shqipëria është po ajo, por shqiptarët të lodhur sepse në diktaturë ju shtrëngonte futi shqiptarëve, tani Shqipërisë së tërë madje dhe kombit shqiptar, vetëm nga disa politikanë të ardhur nga e shkuara e që na mbajnë peng të ardhmen.

/SOT NEWS/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Të luftosh për të vërtetën në këto kohëra, po bëhet gjithmonë e më e vështirë, sidomos në epokën e internetit.

Nga çfarë ka marrë frikë policia e Durrësit? Nga gazetarët, nga banditët, apo nga ministri? Nga mediat apo banditët me armë?

Në debatin e së enjtes së shkuar në Kuvend, Kryeministri Edi Rama thirri në ndihmë figurën e “Lulit të Vocërr” të Migjenit për të fyer kr

Emërimet e reja të drejtuesve në krye të disa institucioneve publike në Durrës, janë duke u pritur me interes të madh jo nga ata që duan

Analisti Andi Bushati në një shkrim në Lapsi.al ka analizuar ngjarjen e fundit që ka ndodhur në Kavajë ku ishin tjetërsuar disa hektar to