Edi Rama, kamarieri i një pjate bajate

01/08/2019 - 13:28

Nga Andi Bushati

Sa më tepër kalon koha, aq më i parashikueshëm bëhet Edi Rama. Kryeministri ka shpërndarë dje një video të shëmtuar, me barraka të rrënuara, me plehëra shekullore dhe me mure që mezi mbahen në këmbë. Ai ka shpjeguar se ky është trualli publik për të cilin bëhet aq zhurmë, nga Teatri Kombëtar deri tek selia e vjetër e PD-së, ku mendohet që të ngrihen gjashtë rokaqiejt e kompanisë Fusha.

Mesazhi i Ramës është i njëjtë me atë që dha edhe gjatë konferencës së fundit për shtyp, përpara pushimeve:  ky është një mjedis në ditë të hallit, i cili jo vetëm se do të rilindë prej kullave që do të ngrihen mbi të, por më kryesorja, falë tij, shqiptarët do arrijnë të kenë një teatër modern.

Natyrisht, logjika është aq foshnjore sa nuk gënjen dot askënd. Sepse ajo tokë prej 6200 m2 (pa truallin e teatrit) nuk e ka vlerën as për muret e krisura që qëndrojnë mbi të, as për shishet e përdorura plastike që gjenden të hedhura aty. Nga pikpamja e parave ajo është një thesar i vërtetë. Ajo pasuri publike në mes të Tiranës, mund të bëhej për shembull një park i mrekullueshëm përkrah pedonales. Por edhe nëse vendosej të ndërtohej diçka (megjithëse në këtë boom ndërtimesh një ide e tillë i ngjan një çmendurie), për të duhej të merrej mendimi i dhjetra arikitektëve apo urbanistëve. Më tej, edhe nëse kjo realizohej, ajo nuk mund ti falej, një kompanie të vetme dhe pikërisht asaj që ka marrë mbi 80 milionë euro nga punët publike gjatë mbretërimit të rilindjes.

Pra, debati real për këtë pasuri të rallë, është se si duhej shfrytëzuar më mirë, ajo, në interes të publikut dhe jo se sa të shëmtuar e tregon Rama në videon e shëmtuar të xhiruar nga propogandistët e tij. 

Natyrisht kuptohet se përse kryeministri e zhvendos problemin kokë poshtë. Ai sillet kështu pasi po ta shtrojë çështjen në rafshin racional, duhet ti japë përgjigje edhe një sërë pyetjesh të tjera: pse u vendos që ky biznes milionësh ti dhurohej kompanisë Fusha, pa garë dhe pa tender? Pse u përdor një barrakë e vjetër e privatizuar prej saj, për të përligjur këtë allishverish? Pse u luajt parodia e investitorit që po bënte një ofertë të pakërkuar në 2017, kur sipas intervistave të arkitektit danez Bjarke Ingels, Rama ia kishte kërkuar atij që një vit më parë realizimin e këtij projekti?

Pse kjo tokë për të cilën ligjërisht duhet të vendoste Këshilli Bashkiak (ku në atë kohë socialistët nuk i kishin ⅔), iu mor atij me një ligj anitikushtetues të kuvendit? Pse pikërisht në këtë zonë, në qendër të Tiranës, është parashikuar në projekt një shfrytëzim i tokës 63.47%, i paparë ndonjëherë në kryeqytet? Pse aty është shkelur tavani i intensitetit të ndërtimit, që për gjithë Tiranën është 5.5, por për Fushën do të jetë 6.6?

Të gjitha këto pikpyetje të cilave Rama u devijon dhe s’u ka dhënë asnjëherë përgjigje, tregojnë se përse ai mundohet të gënjejë me atë sitilin e vjetër të para viteve 2000, kur shpërndante foto krahasuese, “si ishte dhe si do të bëhet”. 

Por tani, dy dekada më pas, publiku di ta ndajë shumë më mirë vjedhjen nga propoganda. 

Nuk ka më budallenj që të besojnë se për të shkulur disa barraka të amortizuara është e detyrueshme të ngrihen grataçiela. 

Kjo është një gjellë e servirur me mijra herë që tani ngjan bajate dhe e pa kapërdishme. 

Por, çuditërisht me videon e publikuar së fundi, Rama luajti rolin e kamarierit që të servir po të njëjtën pjatë. Të gjithë tani e dinë që atë nuk e ha më askush. E vetmja pikpyetje që mbetet është: mos vallë i ka shteruar forca e komunikimit, apo thjeshtë arroganca i ka arritur deri në pikën e hajdutit që pasi vjedh, përton dhe të gjejë justifikim? /Lapsi.al

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Prej gati dy javësh, bashkia e Durrësit ka ndërmarrë një aksion të gjerë pastrimi në të gjithë territorin.

“A duhet t’i besojmë Albin Kurtit”, tash e një kohë kjo është pyetja që më bëhet më së shpeshti prej njerëzve të pavarur politikisht, pre