Nga Andi Bushati

Kush e ka kthyer parlamentin në estradë?

Sa herë mes bisedash të përditshme shtrohet kjo pyetje, dikush do të tregojë me gisht atë deputetin që thotë se dashuron NATO-n, pasi që i vogël ka mbajtur sahat “Atlantik”, një tjetër do nominojë atë flokëkërleshurën që nuk shqipton dot fjalën korporatë, ndërsa një i tretë mund të vërë bast për atë jeniçerin që hidhet në sulm për të drejtat e pensionistëve.

Në fakt, sa do humor të shkaktojnë këta të ngratë, të gjithë sëbashku nuk janë në gjendje të tejkalojnë atë që bën sikur i trajton denjësisht. Sepse siç ka shkruar këtu e gjysëm shekulli më parë, Milan Kundera, te “Dashuri qesharake”: “të marrësh seriozisht gjëra të cilave u mungon krejtësisht serioziteti, është të humbasësh seriozitetin tënd”.

Pikërisht këtë bëri sot Edi Rama, kur mbajti në parlament një fjalim të gjatë, sikur donte të gjente një pikë takimi mes opozitës reale dhe asaj parlamentare. Ai ofroi formula kompromisi, i’u përgjërua lolove të kuvendit për të pranuar komisionet bipartizane, në këmbim të listave të hapura, u betua se nuk i kishte aq vota sa duheshin për të miratuar reformën e re elektorale.

Por, këtij cirku me personazh kryesor një klloun të plakur, fatkeqësisht nuk i beson askush.

Prej afro një viti e gjysëm, që kur 40 deputetë nga fundi i listave të PD-LSI-së (nga 122 që ka kuvendi sot), shkelën në atë parlament, ata kanë votuar gjithnjë sipas dëshirave të Ramës.

Mes tyre gjenden figura si Aurora Mara, Bojaxhiu apo Rrushi, që e kanë përkrahur mbi 25 herë Rilindjen.

Po, cilindo që qëmton një kriter më të besueshëm dhe më të paanshëm, mund ti referohet kartonave që ka ngritur banda e opozitës së re, për ato çështje që më pas Komisioni i Venecias do t’a fshikullonte rëndë këtë regjim.

Pro komisionit për shkarkimin e presidentit kanë qenë edhe muskëtjerët Muslim Murrizi e Korab Lita.

Për zgjedhjen e anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese, të cilën Venecia e konsideroi në mospërputhje me ligjin themeltar të shtetit, Rama mblodhi plot 105 kartonë jeshilë.