Edi Rama vazhdon të shkojë në Kosovë për Berishën, jo pavarësisht tij

15/04/2013 - 16:20

Nga Alfred Lela

Edi Rama, kryetar i opozitës, dje ka qenë në Kosovë me turin e tij të Rilindjes dhe përpjekjen e disatë për ta paraqitur veten si shtetar pankombëtar. Ai u shfaq në Prishtinë në krye të një enturazhi socialist, i cili i përmbylli aktivitetet me një takim ceremonial në një sallë të mbyllur në Prishtinë. Lajmi nuk është te vizita e z. Rama në Kosovë dhe as te përpjekja e tij për të profilizuar veten si një lider që shkon përtej Tiranës me ndikimin dhe peshën e tij politike e kulturore, por te mënyra/t me të cilat kërkon ta bëjë këtë.

Në këtë përpjekje, tek e cila duhet thënë se lexohet njëfarë dëshpërimi, Rama ka bërë një gafë. Në shpejtësi e sipër ai e ka bartur diskursin politik të Tiranës në Prishtinë nëpërmjet një konotacioni negativ: atij se Berisha dhe demokratët i përdorin kosovarët sa herë ka votime në Shqipëri. “Urojmë që kësaj here kosovarët të mos vijnë për të votuar në Shqipëri”, u tha Rama të pranishmëve dje në takim, duke u munduar ta korrigjonte me një tjetër ‘njollë’ të Berishës, pasaportat e premtuara, por të padhëna. Të njëjtin qëndrim, ndarës, jo bashkues, ai mbajti edhe ndaj pyetjes së një gazetari të Klan Kosova, duke e etiketuar ndërhyrjen e tij ‘të porositur’.

Fabula e rrugës së kombit është gjithashtu rrënimtare për ligjërimin afrues të liderit socialist me kosovarët. Nëse Sali Berisha do të mundej që ditën e zgjedhjeve t’i ‘detyronte’ të gjithë shqiptarët të udhëtonin në Rrugën e Kombit, do t’i fitonte zgjedhjet në mënyrë plebishitare. Rruga është ndoshta i vetmi moment europian i Shqipërisë. Lëbyrja e saj i zhbën të gjitha gabimet; trupi i saj i varros të gjitha ‘shkeljet’. Rruga është një fakt i bukur dhe kreu socialist nuk mund ta zhbëjë me fjalë.

Çelësi për në Prishtinë duket se kalon edhe përmes një ‘çelësi’ tjetër, që është kulturor, me të cilin Rama e ka tradhtuar veten kur ishte kryebashkiak i Tiranës: ai i dha Çelësin e Tiranës një këngëtari serb i cili ngriti shumë supe në Kosovë. Një popull që i ka ende të freskëta plagët dhe shijen e luftës e pranon me vështirësi një bohem kozmopolitan si Rama, për të cilin lufta është një formë artistike.

Rrafshi i katërt i përpjekjes së Ramës për t’u impostuar në Kosovë është psikologjik. Ai kërkon të bëhet duke zhbërë, duke zgjedhur automatikisht një rrugë më të vështirë. Në vend që të kërkojë një vend afër Sali Berishës në peizazhin social të Kosovës, ai kërkon vendin e Sali Berishës. Kjo qasje dekodon një më të hershme të Ramës: përpjekjen e tij për të zhbërë vendin e Fatos Nanos në historinë e së majtës shqiptare. Duke qenë një shoqëri konservatore, Kosova nuk i pranon qasjet apo përmbysjet e tilla. Rama, herët a vonë, për të mirën e tij dhe të së majtës, bën mirë t’i kuptojë këto.

http://www.mapo.al/2013/04/15/edi-rama-vazhdon-te-shkoje-ne-kosove-per-b...

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: