Nga Ardian Vehbiu

E keni vënë re që nuk po arrin njeri ta rrëfejë, qetë dhe natyrshëm dhe shtruar, incidentin e Vjenës, midis kryetarit të opozitës Edi Rama dhe një diplomati në ambasadën shqiptare në Vjenë, Egin Cekës?

Kemi parë deri më sot reagime, dënime, distancime, arsyetime, shpjegime dhe interpretime, nga të gjitha palët; e kemi lexuar dhe na e kanë lexuar incidentin si metaforë të gjithçkaje nuk shkon me politikën dhe shoqërinë civile sot në Shqipëri, por vetë kronikën e incidentit s’e ka rrëfyer dot kush.

Jemi të rrethuar nga gjithfarë mediash; dhe prej mediave presim që të funksionojnë si zgjatime të shqisave tona, për të na transmetuar çfarë ndodh gjetiu ose atje; ose për të na nxjerrë nga kafazi i këtu-së dhe tani-së.

Por mediat tona, në atë masë që janë shqisa, veprojnë si nën influencën e lëndëve topitëse, halucinative, psikadelike.

Nuk janë në gjendje të rrëfejnë dot asgjë, që nuk u ka ardhur e rrëfyer gati – nga një sekretarí partie, nga një megafon propagande, nga një agjenci e huaj, nga një raport burokratik policie.

Shumë-shumë, mund të kallzojnë se çfarë ka ndodhur në televizion; ose epika të llojit “ky i tha”, “ai i tha”, “ky ia ktheu”, “ai ia përplasi.”

Janë media të specializuara në ligjëratën e zhdrejtë, megafonë megafonësh.

Dhe jo rastësisht: perceptimi kaq disociativ që ia bëjnë botës si rrjedhë ngjarjesh rimerr saktësisht, besoj unë, përçarjen e sotme të shoqërisë shqiptare, sipas vijave partiake, ose kuqeblu.

Prandaj ndodh që jo vetëm interpretimet për ngjarjen të bien ndesh, por edhe përcjellja e vetë asaj çka ndodhur, thua se u referohet dy universeve paralele, të cilat ngjajnë mes tyre, por janë më interesante për nga ç’dallojnë.

Ja si e përshkruan kryeministri Berisha ngjarjen, në fjalimin e vet në Kuvend:

“Diplomati i ri i thotë: zoti Rama, ne jemi këtu për të shërbyer, nuk jemi hajdutë votash. Si mund të na quash ne, hajdutë? Kjo mjaftoi për të shtrirë dorën dhe grushtin e pakontrolluar drejt diplomatit, në prani të dhjetëra e dhjetëra vetëve. Kjo mjaftoi për t’u lëshuar në sharje prej rrugaçi të mirëfilltë, me regjistër të gjendjes civile, ndaj familjes së diplomatit”.

Ja si e përshkruan, të njëjtën ngjarje, relacioni i deputetëve demokratë:

“Z. Rama pas këtij momenti ka reaguar çuditshëm, duke iu drejtuar me fjalët “kush të ka dërguar” dhe me ton arrogant dhe jashtë etike e ka urdhëruar të largohej nga ambientet e Akademisë. Diplomati Egin Ceka i është përgjigjur se nuk kishte pse të largohej nga një ambient publik. Pas këtij momenti, z. Rama me veprime fizike i është avitur dhe e ka kapur në pjesën e kokës dhe të flokëve, duke e tërhequr me dhunë”.

Dhe, tani, si e ka rrëfyer ngjarjen vetë viktima, Egin Ceka (që, sipas GSh, ka pranuar të flasë për “ex-press.al”):

“Këtu ai u irritua shumë. Në këtë moment drejtoi dorën ndaj meje, më kapi fort flokët dhe veshin dhe më tërhoqi me forcë. Në këtë moment u gjenda i befasuar, pasi nuk e prisja një dhunim të tillë, aq më tepër në një ambjent publik si Akademia Politike e Vjenës. Kam reaguar menjëherë, duke i larguar dorën”.

Çfarë më bën përshtypje, në këto formulime të drunjta, është pamundësia për t’u shprehur shqip; sepse edhe kjo që thotë Egin Ceka “drejtoi dorën ndaj meje” mund të jetë gjithçka, veç shqipes dëftore; pa shkuar deri te zhgarravina e firmosur nga deputetët e PD-së, ku vërehet se z. Rama i është avitur Cekës “me veprime fizike” (si tamam, xhanëm?), për ta kapur “në pjesën e kokës dhe të flokëve” – çfarë është kjo pjesë? A është kjo pjesë e Egin Cekës? Si mund të flasësh, në shqip, për pjesë të një personi?

Më në fund Berisha, që për t’i shtuar dramacitet përrallës që tregon, i zëvendëson emrat e njerëzve me detyrat e tyre, duke e quajtur Cekën “diplomat”, pa çka se ai kish shkuar në takim si qytetar privat, jo si i dërguar i ambasadës; ndryshe nga Rama, që gjendej në takim si kryetar i PS-së dhe i opozitës…

Sipas kryeministrit shqiptar, fjalët që ia tha “diplomati i ri” Ramës mjaftuan, që ky “të shtrinte dorën dhe grushtin e pakontrolluar”…

Po çfarë ka ndodhur, xhanëm?

Flet zëvendësministrja e Jashtme, z. Edit Harxhi, e cila do të ketë marrë të dhëna nga burime të brendshme, diplomatike nga Vjena (Mapo):

“Zoti Rama ka reaguar në mënyrë mjaft agresive, ka përdorur dhunë fillimisht verbale, më pas në dhunë fizike, e cila ka rezultuar me një konflikt të hapur mes dy palëve, Ramës dhe diplomatit Ceka. Ky konflikt është shpërndarë nga të pranishmit në sallë dhe diplomatët e huaj që ishin prezent”.

Ndërsa Drejtoria e Komunikimit me Median, e PS-së, e ka rrëfyer ngjarjen kështu (Mapo):

“Pas takimit djali i Neritan Cekës, që për hatër të babait paguhet me taksat e shqiptarëve si diplomat, i është afruar Edi Ramës duke derdhur një lumë fjalësh të padenja kundër opozitës. Ndërsa kryesocialisti është përpjekur ta qetësojë, të pranishmit e kanë larguar djalin e Neritan Cekës nga mjedisi i Akademisë Politike”.

Te letra e hapur që ia dërgon Ramës, botuar sot në Panorama, i ati i viktimës, Neritan Ceka, i thotë kolegut të tij politikan:

 “[…] E ke kapur për veshi, si një fëmijë kopshti.”

Ndërsa Gazeta 55, për të njëjtën ngjarje:

“Kryetari i opozitës ka tmerruar gjithë të ftuarit në një konferencë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, teksa ka sulmuar fizikisht diplomatin e Misionit të Shqipërisë në Vjenë Egin Ceka.”

Dhe pikërisht:

Nga ana e tij Edi Rama nuk ka preferuar që të japë përgjigje për kërkesën e bërë nga diplomati Egin Ceka, por e ka kapur prej veshi dhe si të mos mjaftonte kjo, e ka goditur më pas në kokë.

Ndërkohë, sipas MAPO-s, Fate Velaj, që e kish organizuar takimin e Ramës në Vjenë, e ka treguar ngjarjen kështu:

“Ata dialoguan me njëri-tjetrin dhe Rama i ra shpatullave dhe i tha, ik o djalë se nuk kam ardhur për ty, por kam ardhur për punë të tjera. Kjo ishte e gjithë historia”, – tha Velaj.

Ja edhe një version tjetër i ngjarjes, sërish nga viktima Egin Ceka, këtë herë nga MAPO-ja (e cila, natyrisht, i referohet një interviste që Ceka ia ka dhënë TV Klan-it; sikurse i ka hije një gazete, që ta mbajë lexuesin në korrent të çfarë ndodh në TV):

“Zoti Rama nuk e mori parasysh argumentin dhe e ktheu diskutimin shumë shpejt në një çështje harbute, duke thënë që je i dërguar politikisht, kush të ka dërguar? Pse je këtu dhe vajti puna deri në një reagim fizik të zotit Rama. Bëri një akt provokativ për vete. Ai vuri dorën si për të thënë ‘djalë i mirë’ dhe e shfrytëzoi këtë taktikë për të tërhequr atë që mund të kapte dora e tij nga flokët dhe nga veshi im. Kaloi kufirin e kontaktit verbal me njeriun dhe bëri një gjest provokativ, siç duket me llogaritjen që do reagoj në të njëjtën mënyrë, gjë që unë nuk e bëra”.

Edhe një herë, sipas kësaj dëshmie, Rama ka “tërhequr atë që mund të kapte dora e tij nga flokët dhe veshi” i diplomatit. Të thuash se është fjala për një pirg me fara kungulli.

Të gjitha këto “deponime” duket sikur i ka shkruar një polic; e njëjta vëmendje ndaj detajit të shkëputur nga konteksti; e njëjta shurdhëri ndaj sfondit të ngjarjes, ose e skenës, për t’u përqendruar te kontakti fizik vetëm, ose konsumimi i “veprës penale të dhunimit të personit”.

Shqiptari publik nuk po arrin dot të nyjëtohet normalisht – përveçse kur është fjala për të rimarrë fjalët e të tjerëve, ose për ligjëratën e zhdrejtë.

Të cilën ia kanë përcjellë mediat, mundësisht televizioni, i rimarrë të nesërmen nga kryetitujt e gazetave.

Dhe në këtë mënyrë, debatit publik, që me të drejtë po shtjellohet rreth këtij incidenti që disi ka ndodhur, i mungon një premisë elementare e përbashkët, ose një konsensus për, të paktën, realitetin.

Ose për çfarë ka ndodhur.

http://xhaxhai.wordpress.com/2013/04/26/efekti-rashomon/